Dita e dytë e protestave në Indi, fermerët bllokojnë rrugët

Dita e dytë e protestave në Indi, fermerët bllokojnë rrugët

10:45, 14/02/2024
A+ Aa A-

Fermerët indianë u përleshën për të dytën ditë radhazi me forcat e sigurisë që përdorën dronë për të hedhur gaz lotsjellës kundër tyre.

Qindra fermerë, duke udhëtuar me kamionë dhe makina plot me ushqime u nisën për në Nju Delhi të martën në mëngjes pasi nuk u arrit një marrëveshje midis sindikatave të tyre dhe qeverisë indiane.

Protestuesit janë ndalur në Sambhu, që ndan shtetet Punjab dhe Haryana, nga vijnë shumica e fermerëve, pothuajse 200 kilometra nga destinacioni i tyre.

“Ne duam që kryeministri të flasë me fermerët,” tha Sarëan Singh Pandaher, sekretar i përgjithshëm i komitetit të fermerëve në Punjab.

Nga ana e saj, qeveria e kryeministrit Narendra Modi u ka kërkuar fermerëve të diskutojnë këtë çështje.

“Përpjekjet do të vazhdojnë për të biseduar me sindikatat e fermerëve në një mënyrë konstruktive dhe pozitive,” tha sot Ministri i Bujqësisë Arjun Munda.

Në vitin 2020, dhjetëra mijëra fermerë indianë bllokuan hyrjet e Nju Delhit për të protestuar kundër reformës së tokës të Modit. Protesta e tyre zgjati më shumë se një vit, deri në vjeshtën e vitit 2021, ndërsa gjatë demonstratave u vranë më shumë se 700 persona.

Më 26 janar 2021, Dita e Republikës, fermerët depërtuan nëpër barrikadat e policisë dhe hynë në Nju Delhi.

Protestat përfunduan kur qeveria ra dakord të tërhiqte disa nene të reformës së tokës dhe u zotua të gjente mënyra për të siguruar një çmim minimal shitjeje për të gjitha produktet.

Protestat e reja vijnë me afrimin e zgjedhjeve kombëtare të prillit. Dy të tretat e 1.4 miliardë njerëzve të Indisë varen nga bujqësia, e cila përbën gati një të pestën e PBB-së së vendit, sipas shifrave zyrtare.

Mijëra fermerë vrasin veten çdo vit në Indi për shkak të varfërisë, borxhit dhe ndikimit të motit ekstrem dhe ndryshimeve klimatike që shkatërron të korrat e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco