Agjenti hakerues i CIA dënohet me 40 vjet burg

Agjenti hakerues i CIA dënohet me 40 vjet burg

08:29, 02/02/2024
A+ Aa A-

Një ish-oficer i CIA është dënuar me 40 vjet burg pasi nxori sekretin e një sërë pajisjeve të hakerimit në platformën Wikileaks.

Joshua Schulte u shpall gjithashtu fajtor për zotërim të imazheve të abuzimit të fëmijëve.

Prokurorët e kanë akuzuar atë për zbulimin e pajisjeve të CIA-s me emrin "Vault 7", të cilat mundësojnë që oficerët e shërbimit sekret të përgjojnë telefonat inteligjentë dhe t'i përdorin ata si pajisje dëgjimi.

Ata thanë se rrjedhja e informacionit është një nga më "të pafytyrat" në historinë e SHBA.

Schulte, 35 vjeç, i dha rreth 8,761 dokumente, Wikileaks në vitin 2017, që përbën shkeljen më të madhe të të dhënave në historinë e CIA-s, tha departamenti i drejtësisë amerikane.

Ai i mohoi akuzat, por u dënua për akuza të ndryshme në tre gjyqe të veçanta federale në Nju Jork në 2020, 2022 dhe 2023.

Të enjten, ai u dënua për akuza për spiunazh, hakerim kompjuterik, përbuzje të gjykatës, dhënie të deklaratave të rreme në FBI dhe zotërim të imazheve të abuzimit me fëmijët.

“Joshua Schulte e tradhtoi vendin e tij duke kryer disa nga krimet më të pacipa, të urryera të spiunazhit në historinë amerikane”, tha prokurori amerikan Damian Williams.

Sipas provave të ndara në gjyq, Schulte ishte i punësuar si zhvillues softuerësh në Qendrën për Inteligjencën Kibernetike, e cila kryen spiunazh kibernetik kundër organizatave terroriste dhe qeverive të huaja.

Prokurorët thanë se në vitin 2016 ai ia transmetoi informacionin e vjedhur Wikileaks dhe më pas i gënjeu agjentët e FBI-së për rolin e tij në rrjedhje.

Ata thanë se ai në dukje ishte i motivuar nga zemërimi për një mosmarrëveshje në vendin e punës.

Schulte kishte pasur vështirësi për të përmbushur afatet dhe Ndihmës Prokurori i SHBA-së, Michael Lockard tha se një nga projektet e tij ishte aq shumë prapa planit, saqë i kishin vënë pseudonim.

Prokurorët thanë se ai donte të ndëshkonte ata që ai perceptonte se i kishin bërë keq dhe thanë se "duke kryer atë hakmarrje, ai shkaktoi dëme të mëdha në sigurinë kombëtare të këtij vendi".

Wikileaks filloi publikimin e të dhënave të klasifikuara nga dosjet në vitin 2017.

Rrjedhja, thanë prokurorët, "dëmtoi menjëherë dhe thellësisht aftësinë e CIA-s për të mbledhur informacione sekrete nga jashtë kundër kundërshtarëve të Amerikës; vendosi personelin, programet dhe asetet e CIA-s drejtpërdrejt në rrezik; dhe i kushtoi CIA-s qindra miliona dollarë".

FBI e intervistoi Schulte disa herë pasi WikiLeaks publikoi të dhënat, ku ai mohoi përgjegjësinë.

 

Një kontroll në banesën e tij, thanë prokurorët, zbuloi më vonë "dhjetëra mijëra imazhe të materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve".

Ata shtuan se pas arrestimit të tij, Schulte u përpoq të transmetonte më shumë informacion. Ai futi kontrabandë një telefon në burg ku u përpoq t'i dërgonte një reporteri informacione për grupet kibernetike të CIA-s dhe krijoi mesazhe në Twitter që përfshinin informacione për mjetet kibernetike të CIA-s nën emrin Jason Bourne, një agjent imagjinar i inteligjencës.

Ai mbahet pas hekurave që nga viti 2018.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco