Pse kompjuterI kuantik po e kërcënon sigurinë tonë globale Për momentin, kubitët, njësitë e përpunimit të kompjuterëve kuantikë, s'janë të qëndrueshëm për një kohë mjaft të gjatë sa për të deshifruar sasi të mëdha të dhënash

Pse kompjuterI kuantik po e kërcënon sigurinë tonë globale

09:32, 27/01/2024
A+ Aa A-

Dita kuantike ose Q-Day është dita kur do të ndërtohet një kompjuter kuantik aq i fuqishëm sa mund të thyejë sistemet e enkriptimit publik. Ndaj, sa të shqetësuar duhet të jemi?

Mund të vijë një ditë e njohur si dita kuantike, e cila do të shkatërrojë sigurinë globale që njohim sot. Mund të jetë pas disa vitesh nga tani, ose pas 10 vjetësh ose më shumë. Por shkencëtarët, matematikanët dhe qeveritë nuk po presin duarkryq që të ndodhë kërcënimi kuantik.

Dita kuantike është kur ndërtohet një kompjuter kuantik aq i fuqishëm, sa mund të thyejë sistemet e enkriptimit publik që mbrojnë bisedat tona në internet, llogaritë bankare dhe infrastrukturën më jetike, duke bërë kërdinë mbi qeveritë dhe bizneset.

Mënyra se si do të ndodhte ky fund i botës dixhitale varet nga matematika e thjeshtë.

Si filloi

Që nga fillimi i internetit, kriptografia ka mbrojtur të dhënat dhe bisedat tona në internet duke fshehur ose koduar informacione që vetëm personi që merr mesazhin mund t'i lexojë në kompjuterët tradicionalë.

Në vitet 1970, matematikanët ndërtuan metoda të kriptimit që përbëheshin nga numra me qindra shifra të gjata. Vështirësia e problemeve matematikore ishte e tillë që mund të duheshin qindra vjet për t'u zgjidhur nëse përdorni madhësinë dhe numrat e duhur të parametrave.

Për të thyer enkriptimin, numrat duhet të ndahen në faktorët e tyre kryesorë, por kjo mund të zgjasë qindra, nëse jo mijëra vjet me kompjuterët tradicionalë.

Prandaj, kërcënimi i thyerjes së kodeve nuk ishte një shqetësim i madh.

Kjo ndodhi deri në vitin 1994 kur matematikani amerikan Peter Shor tregoi se si mund të bëhej me një algoritëm duke përdorur një kompjuter kuantik, atëherë hipotetik, i cili mund të ndante numra të mëdhenj në faktorët e tyre shumë më shpejt se një kompjuter tradicional.

Dalja e kuantit

Kërcënimi kuantik nuk ishte ende shqetësim me rëndësi në atë kohë, por filloi të bëhej një problem katër vjet më vonë kur u ndërtua kompjuteri i parë kuantik.

Megjithëse ai kompjuter kuantik - dhe ata që po ndërtohen aktualisht - nuk janë ende aq të fuqishëm për të përdorur algoritmin e Peter Shor për të deshifruar numrat, në vitin 2015, agjencitë e inteligjencës përcaktuan se përparimi në llogaritjen kuantike po ndodhte me një shpejtësi të tillë që përbënte  kërcënim për sigurinë kibernetike.

Për momentin, kubitët, njësitë e përpunimit të kompjuterëve kuantikë, nuk janë të qëndrueshëm për një kohë mjaft të gjatë për të deshifruar sasi të mëdha të dhënash.Kompjuterët kuantikë kanë të metat e tyre dhe nuk zgjidhin gjithçka. Por ata janë ende një revolucion.

Ndaj kompanitë e teknologjisë si IBM dhe Google kanë filluar ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme të bëjnë përparim në ndërtimin e makinerive mjaft të forta për të pasur përfitimet e kuantit, të cilat përfshijnë kërkimin farmaceutik, fizikën nënatomike dhe logjistikën.

“Është çështje kohe dhe është çështje se sa kohë do të duhet derisa të kemi një kompjuter të madh kuantik për të filluar”, tha Dr Jan Goetz, Shef Ekzekutiv he bashkëthemelues i IQM Quantum Computers, një kompani “start-up” që ndërton kompjuterë kuantikë, gjatë një prononcimi për Euronews Next.

Image

Nëse duhen 30 vjet për të ndërtuar një kompjuter mjaft të fortë, do të kishte më pak arsye për panik pasi shumica e të dhënave të koduara mund të mos jenë më të rëndësishme.

Por “nëse dikush vjen me një ide shumë të zgjuar dhe tashmë mund të bëjë thyerjen e kodit në 3 deri në 5 vjet, e gjithë situata duket gjithashtu ndryshe”, tha Goetz.

Kush do të duhet të shqetësohet?

Individët nuk duhet të shqetësohen nga dita kuantike, pasi ka ndoshta pak njerëz që kanë të dhëna që janë shumë të ndjeshme dhe do të jenë ende të rëndësishme në vitet në vijim.

Goetz tha se sapo të vijë teknologjia e re, kodet e enkriptimit do të përditësohen në të gjithë kompjuterët dhe telefonat dhe "nuk duhet të shqetësoheni shumë për këtë, sepse industria do të kujdeset për këtë".

Por qeveritë, organizatat dhe bizneset duhet të shqetësohen nga kërcënimi kuantik.

Ekziston një koncept i quajtur "magazinojeni tani, deshifrojeni më vonë". Kjo do të thotë se dikush mund të jetë duke ruajtur të dhënat dhe duke pritur që një kompjuter kuantik mjaft i fortë të vijë dhe t'i deshifrojë ato.

"Qeveritë në veçanti po mbledhin të dhëna nga interneti," tha Dr Ali El Kaafarani, themelues dhe Shef Ekzekutiv i kompanisë së kriptografisë kuantike PQShield.

"Ata po ruajnë të dhëna që nuk mund t'i prekin ose lexojnë për momentin, por mund t'i mbajnë aty derisa shtresa e kriptografisë të bëhet më e dobët e derisa të dinë një mënyrë për ta sulmuar atë dhe pastaj t'i thyejnë dhe t'i lexojnë ato komunikime." tha ai për EuroneWs Next.

Një botë pas kriptografisë kuantike

Qeveritë nuk po presin që kjo të ndodhë dhe komuniteti kriptografik po ndërton metoda të kriptimit që mund të përballojnë kërcënimin kuantik, i njohur si kriptografia post-kuantike (PQC).

Këtë vit, diku midis majit dhe qershorit, standardizimi përfundimtar i PQC do të publikohet nga Instituti Kombëtar i Standardeve dhe Teknologjisë i SHBA-së.

Ky do të jetë një ndryshim i lojës pasi do të jetë në treg për të gjitha industritë.

Legjislacioni amerikan ka mandatuar që afati kohor për të kaluar në kriptografinë post-kuantum do të jetë nga viti 2025 deri në vitin 2033, kohë në të cilën zinxhiri i furnizimit të sigurt kibernetik do të duhet të ketë kaluar në përdorimin e kriptografisë post-kuantum si parazgjedhje.

Në vitin 2025, shfletuesit e internetit dhe përditësimet e softuerit do të duhet të bëhen të sigurta post-kuantike si parazgjedhje, nëse shiten në SHBA, tha El Kaafarani.

Kjo është arsyeja pse disa kompani, si Google Chrome dhe Cloudflare, kanë filluar tashmë të përdorin kriptografinë post-kuantum.

Standardet e saj në SHBA-së janë standarde ndërkombëtare, por çdo vend ka udhëzimet e veta me të cilat qeveritë bashkëpunojnë.

Qeveria e SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, franceze, gjermane dhe holandeze, ndër të tjera, kanë peshuar të gjitha dhe kanë prodhuar udhëzime për industrinë për t'i shtyrë ata të fillojnë fazën e tranzicionit në kriptografinë post-kuantike pasi ata e kuptojnë se është një proces që do të marrë kohë.

“Qeveritë kujdesen për standardizimin e algoritmeve në mënyrë që ne të gjithë të flasim të njëjtën gjuhë,” tha El Kaafarani, por është komuniteti kriptografik ai që del me metodat e reja të kriptimit, tw cilat nuk janë të cenueshme ndaj kompjuterëve kuantikë./ar/sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco