'Pesë burrat më të pasur në botë e dyfishuan pasurinë e tyre, kurse 60% e më të varfërve humbën para'

'Pesë burrat më të pasur në botë e dyfishuan pasurinë e tyre, kurse 60% e më të varfërve humbën para'

10:56, 15/01/2024
A+ Aa A-

Një përqendrim i fuqisë globale të korporatave dhe monopolit po kontribuon në thellimin e pabarazisë, që po i bën më të pasurit më të pasur dhe më të varfërit më të varfër.

Pesë njerëzit më të pasur në botë kanë më shumë se dyfishuar pasurinë e tyre që nga viti 2020, ndërsa 60% e më të varfërve kanë humbur para, sipas një raporti të Oxfam të publikuar të hënën në Davos të Zvicrës, ku po mbahet Forumi Ekonomik Botëror vjetor.

Sipas të dhënave nga kompania kërkimore Wealth X, pasuria e kombinuar e Elon Musk, Bernard Arnault, Jeff Bezos, Larry Ellison dhe Mark Zuckerberg – që janë pesë njerëzit më të pasur në botë – është rritur me 423.8 miliardë euro ose 114 për cent që nga viti 2020, shkruan Euronews.

Brenda të njëjtit hark kohor, 4.77 miliardë njerëzit më të varfër në botë kanë humbur 0.2 për qind në terma realë të pasurisë së tyre.

Kjo do të thotë se ndërsa miliarderët e botës ishin 3 trilionë euro më të pasur në vitin 2023 se në vitin 2020 – me pasurinë e tyre që po rritej tri herë më shpejt se norma e inflacionit – pothuajse pesë miliardë njerëz janë varfëruar.

Sipas rrjetit ndërkombëtar, hendeku i madh midis të pasurve dhe të varfërve ka të ngjarë të vazhdojë të rritet, duke çuar në krijimin e trilionerit të parë në botë brenda një dekade.

Varfëria botërore, nga ana tjetër, nuk do të zhduket para 230 vjetësh, vlerëson Oxfam.

Pabarazia ekzistuese është pjesërisht për shkak të përqendrimit të pushtetit në duart e atyre që kanë interes të nxjerrin fitime maksimale për veten e tyre në vend që ta rishpërndajnë pasurinë midis punëtorëve dhe shoqërisë.

Sipas raportit të Oxfam, shtatë nga dhjetë korporatat më të mëdha në botë kanë ose një Shef Ekzekutiv miliarder ose një miliarder si të parin e tyre, ndërsa 1 përqindëshi më i pasur në botë zotëron 43% të të gjitha aseteve financiare globale.

Po ky 1% më i pasur emeton po aq ndotje karboni, në nivel global, sa dy të tretat e më të varfërve të njerëzimit.

Gjithashtu, jo rastësisht njerëzit më të pasur në botë janë të gjithë burra.

Sipas Oxfam, në mbarë botën burrat zotërojnë 95.9 trilionë euro më shumë pasuri se gratë.

Rrjeti vlerëson se do të duheshin 1200 vjet që një punonjëse femër në sektorin shëndetësor dhe social të fitojë atë që një Shef Ekzekutiv në 100 kompanitë më të mëdha të Fortune fiton mesatarisht në një vit./ar.sh/SYRI.NET

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco