FMN: 40% e vendeve të punës në mbarë botën do të ndikohen nga Inteligjenca Artificiale

FMN: 40% e vendeve të punës në mbarë botën do të ndikohen nga Inteligjenca Artificiale

10:42, 15/01/2024
A+ Aa A-

Kristalina Georgieva tha se tani është koha për të vepruar për të krijuar një sërë politikash që sigurojnë që ndikimi i Inteligjencës Artificiale të jetë i dobishëm dhe jo i dëmshëm për njerëzimin.

Zhvillimi i Inteligjencës Artificiale  do të ndikojë në 60 për qind të vendeve të punës në ekonomitë e përparuara dhe në disa tregje në zhvillim në mbarë botën, tha Drejtoresha Menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva.

Pak para nisjes për në Forumin Ekonomik Botëror  në Davos të Zvicrës, të dielën, shefja e FMN-së paralajmëroi për pasojat masive që mund të ketë përdorimi i shtuar i Inteligjencës Artificiale në tregun global të punës, duke thelluar pabarazitë dhe duke lënë miliona pa punë, shkruan Euronews.

"Punën juaj mund ta zhdukë krejtësisht – gjë jo e mirë - ose Inteligjenca Artificiale mund ta përmirësojë punën tuaj, kështu që në të vërtetë do të jeni më produktiv dhe niveli juaj i të ardhurave mund të rritet," tha ajo në një intervistë me AFP në Uashington.

Sipas Georgieva, ndikimi do të jetë pak më i vogël në tregjet në zhvillim, ku do të ndikoheshin 40 për qind e vendeve të punës. Në vendet me të ardhura të ulëta, ky numër zbret në 26 për qind.

Këto vlerësime mund të gjenden në një raport të FMN-së që thotë se gjysma e vendeve të punës do të ndikohen negativisht nga Inteligjenca Artificiale, ndërsa pjesa tjetër mund të përfitojë nga futja e teknologjisë së re.

"Për gjysmën tjetër, aplikacionet e Inteligjencës Artificiale mund të ekzekutojnë detyra kyçe që kryhen aktualisht nga njerëzit, të cilat mund ta ulin kërkesën për punë, duke çuar në paga më të ulëta dhe ulje të punësimit. Në rastet më ekstreme, disa nga këto punë mund të zhduken," shkruan Georgieva në Raporti.

"Në tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim, Inteligjenca Artificiale ka të ngjarë të ketë ndikim më pak të dobishëm - diçka që mund të përkeqësojë ndarjen dixhitale dhe pabarazinë e të ardhurave midis vendeve," sipas Georgieva.

Njerëzit e moshuar gjithashtu pritet të vuajnë më shumë nga ndikimi i Inteligjencës Artificiale.

Kjo është koha për të prezantuar politika të reja që i adresojnë këto shqetësime ekzistuese, sipas shefes së FMN-së, si rrjetet e sigurisë sociale dhe programet e rikualifikimit.

“Ne duhet të fokusohemi në ndihmën për vendet me të ardhura të ulëta në veçanti për të ecur më shpejt për të qenë në gjendje të kapin mundësitë që do të paraqesë Inteligjenca Artificiale”, tha ajo.

"Me fjalë të tjera, përqafojeni, ajo po vjen. Pra, inteligjenca artificiale, po, pak e frikshme. Por është gjithashtu një mundësi e jashtëzakonshme për të gjithë".

Tema e ndikimit të Inteligjencës Artificiale në vendet e punës pritet të jetë e lartë në axhendën e Forumit Ekonomik Botëror në Davos./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco