E dashuruara në foton e famshme të puthjes pariziane vdes në moshën 93-vjeçare

E dashuruara në foton e famshme të puthjes pariziane vdes në moshën 93-vjeçare

14:48, 08/01/2024
A+ Aa A-

Znj. Françoise Delbart (e lindur me mbiemrin Bornet), gjysma e atij çiftit që puthet në fotografinë ikonike të Robert Doisneau, "Le baiser de l'hôtel de ville", ka vdekur.

Kur mendoni për këtë puthje, çfarë shihni? Adhuruesit e skulpturave të mermerit të Rodinit me "The Kiss"? Apo "The Lovers"? Ndoshta fotografinë ikonike të Victor Jorgensen "Kissing the War Goodbye" ose  "Kissing Coppers" të Banksy?!  Eh, mund t’ju kujtojë edhe puthjen e Ret dhe Skarlet në  filmin “Bashkë me erën”.

Të  gjitha zgjedhjet janë të shkëlqyera, por shanset janë që ju të keni parë një moment të puthjes së një çifti, kapur nga Robert Doisneau jashtë një kafeneje përballë bashkisë së Parisit.

E bërë  nga fotografi francez (1912 – 1994) në vitin 1950, si pjesë e një serie të porositur nga revista amerikane “Life” me temën e të dashuruarve në Paris, me titullin "Le baiser de l'hôtel de ville" ("Puthja prej bashkisë" ) ka mbetur legjendë.

Fotografia bardh e zi tregon një çift, znj. Françoise Delbart (e lindur Bornet) dhe të dashurin e saj z. Jacques Carteau, duke shkëmbyer një puthje të ëmbë në mes të zhurmës së ngjeshur pariziane.

Image

Tani është mësuar se znj. Françoise Delbart vdiq ditën e Krishtlindjeve në moshën 93-vjeçare.

Ajo ishte 20 vjeçe në kohën kur pozoi për këtë përqafim dhe historia thotë se fotografi u magjep nga çifti i ri në një tarracë kafeneje. Ai u kërkoi atyre të pozonin për të, duke e përjetësuar romancën e tyre.

Vitin e kaluar, znj. Delbart i tha “La Dépêche d’Évreux”: “Isha me të dashurin tim. Nuk mund të ndalonim së puthuri. Po putheshim kudo, gjatë gjithë kohës. Fotografi Robert Doisneau ishte në bar, ai na kërkoi të pozonim për të.”

Kjo është e drejtë, ajo u inskenua - diçka që shkaktoi polemika të vogla kur u zbulua artifici, pasi shumë supozuan se fotografia ishte spontane.

Znj. Françoise Bornet atëherë po merrte kurse drame në prestigjiozin “Cours Simon”, duke ëndërruar të bëhej aktore. Çifti e lejoi veten të fotografohej për një tarifë prej 500 frangash dhe Doisneau i dha znj. Bornet, fotografinë origjinale pasi mbaroi seanca.

Fotografia u harrua për gati tridhjetë vjet, por u bë e famshme kur u shitën 410,000 kopje të një printimi me madhësi posteri në vitin 1986. Doisneau e shpjegoi këtë sukses duke thënë "Është simboli i një momenti të lumtur".

Historia mori një kthesë më pak romantike kur disa çifte pretenduan se ishin puthësit dhe e paditën Doisneau. Ata shkuan në gjykatë për të drejtat e imazhit të tyre, por çështjet u hodhën jashtë gjykatës.

Znj. Bornet u konfirmua si modelja në foto, por nuk iu dha asnjë lek për të drejtat e imazhit, sepse ajo konsiderohej si e panjohur, me fytyrën e errësuar nga puthja.

Në vitin 2005, ajo vendosi ta shesë kopjen e saj origjinale të fotografisë, nga e cila mori 185,000 euro nga një blerës zviceran që dëshironte të mbetej anonim./ar/sh/SYRI.NET

ImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco