Po hetohet si akt terrorist/ Aksidenti me 2 të vdekur dhe 5 të plagosur në New York

Po hetohet si akt terrorist/ Aksidenti me 2 të vdekur dhe 5 të plagosur në New York

08:24, 03/01/2024
A+ Aa A-

Një aksident fatal me dy të vdekur dhe tre të plagosur, jashtë një koncerti festiv për Vitin e Ri në Rochester, po hetohet si akt i mundshëm terrorist nga autoritetet e Nju Jorkut.

Sipas CNN, drejtuesi i mjetit që është edhe i dyshuari kryesor për ngjarjen besohet se la një shënim vetëvrasës dhe një ditar në dhomën e tij të hotelit, para se të ndodhte ngjarja e rëndë.

Task Forca e Përbashkët e Terrorizmit e FBI-së po heton pasi dy automjete, një prej të cilave e ngarkuar me bombola gazi, u përplasën me turmën jashtë koncertit në qendrën Kodak, duke vrarë dy persona dhe duke lënë të plagosur tre të tjerë.

Pjesëmarrësit në koncert ishin duke ecur në trotuar jashtë vendit të ngjarjes pak pas mesnatës të së hënës kur një automjet “SUV Ford” u përplas me një “Mitsubishi Outlander” që po largohej nga një parking aty pranë.

“Forca e përplasjes i zhvendosi automjetet përmes një grupi këmbësorësh”, tha shefi i policisë së Rochester-it, David Smith.

Dy pasagjerë në Mitsubishi kanë humbur jetën dhe drejtuesi i mjetit është dërguar në spital me lëndime të lehta. Shoferi i Ford-it gjithashtu u shtrua në spital me lëndime të rrezikshme për jetën.

Tre këmbësorë që u plagosën ndodhen ende në spital, me njërin prej tyre që rrezikon jetën si pasojë e lëndimeve të rënda.

Përplasja e mjeteve shkaktoi një zjarr që iu desh zjarrfikësve gati një orë për ta shuar.

“Pasi flakët u shuan, reaguesit e parë gjetën të paktën një duzinë bombolash benzine brenda dhe rreth automjetit Ford. Bazuar në nivelin e rrezikut që lidhet me këto, skuadra e bombave të departamentit të policisë Rochester u përgjigjën në vendngjarje”, tha Smith.

Është e paqartë se çfarë çoi në përplasjen mes mjeteve, apo pse bombolat ndodheshin në vendngjarje.

“Ne po vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë federalë, përfshirë FBI-në, për të mësuar saktësisht se çfarë çoi në këtë aksident”, tha Smith.

Burime nga hetimi zbuluan për median amerikane se i dyshuari është identifikuar si Michael Avery nga Syracuse. Familja e Avery është intervistuar nga hetuesit dhe janë shprehur se i dyshuari ishte bipolar, megjithëse nuk ishte diagnostikuar, ndërsa për ngjarjen është informuar edhe Presidenti Joe Biden.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco