Lajmi i fundit

Lek me thasë/ SPAK sekuestron bizhuteri, ora Rolex, makina dhe miliona euro. Ja ngjarjet kriminale që u zbardhën

Hamasi publikon video-mesazh me 3 të moshuar izraelitë që i mban peng

Hamasi publikon video-mesazh me 3 të moshuar izraelitë që i mban peng

09:56, 19/12/2023
A+ Aa A-

Krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Qassam, publikuan një video të hënën që tregonte tre pengje, tre burra izraelitë që mbahen në robëri në Gaza.

Një prej tyre është 79-vjeçari Chaim Peri. Dy burrat e tjerë në video u identifikuan si Yoram Metzger, 80 vjeç dhe Amiram Cooper, 84 vjeç.

Në një mesazh të shkurtër, Chaim Peri kërkoi lirimin e tyre pa kushte. Ai foli për vuajtjet e tyre të jashtëzakonshme dhe frikën  nga sulmet ajrore në Gaza.

Videoja shfaqi një mbishkrim që thoshte: "Mos më flakni në pleqëri".

Nuk është e qartë se kur dhe ku është filmuar video.

Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) reagoi ndaj pamjeve, duke e quajtur atë një "video kriminale terroriste".

"Chaim, Yoram dhe Amiram: Shpresoj që të jeni në gjendje të më dëgjoni këtë mbrëmje. Dijeni se ne po bëjmë gjithçka - gjithçka - për t'ju kthyer të sigurt. Disa nga anëtarët e familjes suaj janë tashmë në shtëpi dhe ne nuk do të ndalojmë derisa të ktheheni edhe ju,” tha kundëradmirali Daniel Hagari.

Daniel Hagari tha se publikimi i videos "pasqyron mizorinë e Hamasit ndaj civilëve të moshuar dhe të pafajshëm, që kanë nevojë për trajtim mjekësor".

"Bota duhet të veprojë për të transferuar pajisjet mjekësore dhe për të siguruar gjendjen e pengjeve," shtoi ai.

Kibuci Nir Oz, ku tre burrat jetonin përpara se të rrëmbeheshin, tha se vlerëson "çdo shenjë jete nga pengjet, por koha po ikën".

"Lirimi i menjëhershëm i të gjithë të rrëmbyerve, përmes çdo rruge të mundshme negocimi, kërkohet urgjentisht. Çdo ditë që kalon e përkeqëson situatën e tyre. Ngjarjet e fundit me trishtim ilustrojnë se situata e pengjeve po përkeqësohet çdo ditë që kalon, veçanërisht për më të moshuarit," u njoftua nga kibuci.

Publikimi i videos vjen në një moment shumë të ndjeshëm. Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara, Katari dhe Izraeli janë takuar në Evropë për të diskutuar mundësinë e një armëpushimi të ri në Gaza në këmbim të lirimit të më shumë pengjeve.

Videoja pason gjithashtu vrasjen aksidentale të tre pengjeve nga ushtria izraelite të premten e kaluar, e cila nxiti demonstrata të reja nga familjet e pengjeve duke kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm.

Hamasi ka thënë se asnjë peng tjetër nuk do të lirohet derisa të ketë një armëpushim.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco