Shkrimtari që e krahasoi Gazën me getot naziste, u nderua me çmimin letrar gjerman

Shkrimtari që e krahasoi Gazën me getot naziste, u nderua me çmimin letrar gjerman

09:27, 18/12/2023
A+ Aa A-

Masha Gessen mbajti qëndrime që ngjallën debate në një artikull të botuar në “New Yorker”, ku shkruante se Gaza është "si një geto hebreje në një vend të Evropës Lindore të pushtuar nga Gjermania naziste".

Gazetari, shkrimtari dhe aktivisti ruso-amerikan Masha Gessen mori një çmim letrar gjerman të shtunën më 16 dhjetor në një ceremoni që u vonua dhe u zvogëlua si reagim ndaj një artikulli ku krahasohej Gaza, me getot e nazistëve gjermanë.

Krahasimi në një artikull të fundit të Neë Yorker ngjalli debate në Gjermaninë ku autoritetet qeveritare mbështesin fuqishëm Izraelin.

Gessen, një hebre i lindur në Bashkimin Sovjetik, ka qenë një kritik i hapur i Vladimir Putin dhe i  Donald Trump dhe është kritik ndaj trajtimit që Izraeli po u bën palestinezëve.

Reagimi ndaj artikullit vjen ndërsa shoqëria gjermane po përballet me pasojat e luftës Izrael-Hamas, me protestat pro-palestineze dhe demonstratat pro-izraelite që u zhvilluan javët e kaluara.

Udhëheqësit gjermanë kanë theksuar vazhdimisht mbështetjen e tyre për hebrenjtë e vendit dhe për Izraelin dhe i kanë denoncuar incidentet antisemitike.

Shkrimtari që është një transgjinor dhe jobinar, fillimisht duhej të merrte çmimin “Hannah Arendt” për Mendimin Politik të premten në bashkinë e Bremenit, në Gjermaninë veriperëndimore, por organizata sponsorizuese, Fondacioni “Heinrich Böll: dhe Senati i qytetit të Bremenit u tërhoqën nga ceremoninë.

Ceremonia u zhvillua në një vend tjetër të shtunën me rreth 50 të ftuar të grumbulluar në një dhomë të vogël ngjarjesh dhe me sigurinë e policisë, raportoi agjencia gjermane e lajmeve dpa.

Çmimi është për të nderuar njerëzit që kontribuojnë në mendimin politik publik sipas traditës së Hannah Arendt, teoricienes politike amerikane me origjinë gjermane që eksploroi totalitarizmin.

Nën “Hijen e Holokaustit”

Në artikullin e Gessen, të titulluar "Në hijen e Holokaustit", botuar më 9 dhjetor, autori eksploron kujtesën gjermane mbi Holokaustin, duke argumentuar se Gjermania sot e mbyt debatin e lirë dhe të hapur mbi Izraelin.

Aty argumentohet se kultura e kujtimit të Gjermanisë në lidhje me Holokaustin po përdorej si një "instrument politik i përdorur në mënyrë cinike" nga AfD për të vënë në shënjestër, emigrantët myslimanë.

Gessen dënoi mizoritë e kryera nga Hamasi në sulmin e 7 tetorit, por gjithashtu është kritik ndaj marrëdhënieve të Izraelit me palestinezët, duke shkruar se Gaza është "si një geto hebreje në një vend të Evropës Lindore të pushtuar nga Gjermania naziste".

“Getoja po likuidohet”, shton artikulli.

Getot në vendet e pushtuara nga gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin burgje të hapura ku hebrenjtë vriteshin, vdisnin nga uria dhe vdisnin nga sëmundjet. Ata që nuk vdiqën atje u mblodhën dhe u transportuan në kampet e vdekjes ku u vranë, një proces i quajtur "likuidim".

Fondacioni Böll, i lidhur me partinë e Gjelbër të Gjermanisë, e quajti krahasimin "të papranueshëm".

Një juri vendosi në verë t’ia jepte çmimin Gessen dhe fondacioni tha se nuk po e anulonte vetë çmimin./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco