Gazetarja e REL-it Alsu Kurmasheva përballet me akuza të reja në Rusi

Gazetarja e REL-it Alsu Kurmasheva përballet me akuza të reja në Rusi

11:57, 12/12/2023
A+ Aa A-

Hetuesit rusë raportohet se kanë krijuar një rast të ri kundër gazetares së Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, e cila është në paraburgim në Rusi, nën akuzat se e ka shkellur rregulloren e ligjit për të ashtuquajturit “agjentë të huaj”.

Agjencia e lajmeve Tatar-Inform, e kontrolluar nga shteti në Republikën ruse të Tatarstanit, dhe kanali Baza Telegram, kanë raportuar më 12 dhjetor se Kurmasheva tani akuzohet për shpërndarje të lajmeve “të rreme” për forcat ushtarake të Rusisë - shkelje e ndëshkueshme me deri në 10 vjet burgim.

Rasti është nisur për shkak të një libri të titulluar “Jo luftës. Dyzet rrëfime të rusëve që dalin kundër pushtimit të Ukrainës”, e cila është publikuar në nëntor të vitit 2022 nga Shërbimi i Radios Evropa e Lirë për Tatar-Bashkirin.

Libri është bazuar në 40 rrëfime të banorëve të rajonit Vollga të Rusisë, prej marsit deri në gusht të vitit 2022, e të cilat janë ndarë me Radion Evropa e Lirë, dhe janë publikuar prej Shërbimit të Tatar-Bashkirit.

Hetuesit kanë thënë se Kurmasheva ka qenë pjesë e ekipit për publikim të librit.

“Ne dënojmë ashpër vendimin, që besohet se është marrë prej autoriteteve ruse, për të shtuar akuzat kundër Alsusë”, ka thënë ushtruesi i detyrës së presidentit të Radios Evropa e Lirë, Jeffrey Gedmin.

“Gazetaria nuk është krim. Është koha që kjo ndjekje mizore të ndalet. Alsuja ka kaluar 56 ditë në paraburgim, padrejtësisht, dhe e ndarë prej familjes së saj”.

Kurmasheva, gazetare e cila ka punuar në selinë e Radios Evropa e Lirë në Pragë, në Shërbimin e Tatar-Bashkirit, ka shtetësi amerikane dhe ruse.

Ajo ka udhëtuar drejt Rusisë për një urgjencë familjare, në muajin maj.

Kurmasheva është ndaluar përkohësisht teksa ka pritur për kthimin e saj në Pragë, më 2 qershor.

Po atë ditë, në aeroportin e Kazanit i janë konfiskuar të dyja pasaportat.

Ajo nuk ka mundur të udhëtojë, sepse ka qenë në pritje të dokumenteve të saj të udhëtimit.

Më 11 tetor, autoritetet e kanë gjobitur Kurmashevan me 103 dollarë për “dështim të informimit të zyrtarëve rusë për shtetësinë e dytë”.

Kurmasheva është ndaluar sërish më 18 tetor, dhe këtë herë është akuzuar pse ka dështuar që të regjistrohet si agjente e huaj, krim që ndëshkohet me deri në pesë vjet burgim.

Komiteti Hulumtues rus ka thënë se përgjatë hulumtimit, ka gjetur se ndonëse Ministria e Drejtësisë nuk e ka përfshirë në listën e agjentëve të huaj, ajo ka dështuar që të ofrojë dokumente për t’u përfshirë në regjistër.

Komiteti ka thënë se Kumasheva është duke u akuzuar, sipas Kodit Penal, që i referohet regjistrimit të agjentëve të huaj që kryejnë “mbledhjen e qëllimshme të informacionit në fushën e ushtrisë, aktiviteteve tekniko-ushtarake të Rusisë”, të cilat nëse merren prej burimeve të huaja, “mund të përdoren kundër sigurisë së shtetit”.

Kurmasheva dhe Radio Evropa e Lirë, i kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco