BBC: Hamasi përdhunoi dhe gjymtoi gratë më 7 tetor

BBC: Hamasi përdhunoi dhe gjymtoi gratë më 7 tetor

11:37, 06/12/2023
A+ Aa A-

Nga Lucy Williamson - BBC 

BBC ka parë dhe dëgjuar prova për përdhunime, dhunë seksuale dhe gjymtim të grave gjatë sulmeve të Hamasit të 7 tetorit.

Shumë nga personat që janë përfshirë në grumbullimin dhe identifikimin e trupave të të vrarëve në sulm na thanë se kishin parë shenja të shumta sulmesh seksuale, duke përfshirë thyerje të legenit, mavijosje, prerje dhe çjerrje, dhe se viktimat varionin nga fëmijë dhe adoleshentë e deri te pensionistë.

Dëshmia në video e një dëshmitareje okulare në festivalin e muzikës Nova, që iu tregua gazetarëve nga policia izraelite, tregonte me hollësi për përdhunimin në grup, gjymtimin dhe ekzekutimin e një viktime.

Videot e grave të zhveshura dhe të gjakosura të filmuara nga Hamasi në ditën e sulmit, dhe fotografitë e trupave të marra në vendngjarje më pas, lënë të kuptosh se gratë ishin shënjestruar seksualisht nga agresorët e tyre. Pak viktima mendohet se kanë mbijetuar për të treguar historitë e tyre.

Momentet e tyre të fundit po mblidhen nga të mbijetuarit, mbledhësit e trupave, stafi i morgut dhe pamjet nga vendet e sulmit. Policia u ka treguar privatisht gazetarëve një dëshmi të tmerrshme që ka filmuar një grua që ishte në festivalin Nova gjatë sulmit.

Ajo përshkruan se kishte parë luftëtarët e Hamasit të përdhunonin një grua dhe ta gjymtonin, para se agresori i fundit ta qëllonte në kokë ndërsa vazhdonte ta përdhunonte. Në video, gruaja e njohur si Dëshmitarja S imiton agresorët duke marrë dhe e kaluar viktimën nga njëri te tjetri.

"Ajo ishte gjallë", thotë dëshmitarja. "I rridhte gjak nga shpina". Ajo vazhdon të tregojë me detaje se si burrat prenë pjesë të trupit të viktimës gjatë sulmit. "Ia prenë gjoksin dhe e hodhën në rrugë", thotë ajo. "Ata po luanin me të." Viktima iu kalua një burri tjetër me uniformë, vazhdon ajo. "Ai e penetroi dhe e qëlloi në kokë para se të mbaronte. Ai as nuk ngriti pantallonat, i qëllon dhe ejakulon."

Një burrë që kishte qenë në vendin ku u zhvillua festivali tha se dëgjoi "zhurmat dhe britmat e njerëzve që vriteshin, përdhunoheshin e që u priteshin kokat".

Kur e pyetëm se si mund të ishte i sigurt, pa e parë, nëse britmat që dëgjoi tregonin sulm seksual e jo lloje të tjera dhune, ai tha se nga ato që dëgjoi, mund të ishte vetëm përdhunim. Një deklaratë që ai bëri përmes një organizate mbështetjeje e përshkruan si "çnjerëzore". "Disa gra u përdhunuan para se të vdisnin, disa u përdhunuan ndërsa u plagosën dhe disa kishin vdekur kur terroristët përdhunuan trupat e tyre të pajetë", thuhet në deklaratën e tij. "Doja dëshpërimisht të ndihmoja, por nuk mund të bëja asgjë".

Policia thotë se ka "shumë" rrëfime të dëshmitarëve okularë të sulmeve seksuale, por nuk pranoi të jepte më shumë sqarime për numrin e tyre. Kur folëm me ta, ata nuk kishin marrë në pyetje ende asnjë viktimë të mbijetuar.

Ministrja e Fuqizimit të Grave të Izraelit, May Golan, i tha BBC-së se disa viktima të përdhunimit ose sulmeve seksuale u kishin mbijetuar sulmeve dhe se të gjitha aktualisht po merrnin trajtim psikiatrik. "Por shumë, shumë pak. Shumica u vranë brutalisht," tha ajo. "Ata nuk janë në gjendje të flasin, as me mua, dhe me askënd nga qeveria ose nga media."

Videot e filmuara nga Hamasi përfshijnë pamjet e një gruaje, të prangosur dhe të marrë peng me prerje në krahë dhe një njollë gjaku në pjesën e pasme të pantallonave të saj. Gjetkë, gratë e rrëmbyera nga luftëtarët duken të zhveshura ose gjysmë të veshura. Fotografi të shumta nga vendet pas sulmit tregojnë trupat e grave të zhveshura nga beli e poshtë, ose me të brendshme të grisura në njërën anë, këmbët e hapura, me shenja traume në organet gjenitale dhe këmbë.

"Duket se Hamasi ka mësuar si t'i përdorë si armë trupat e grave nga ISIS [grupi i Shtetit Islamik] në Irak, nga rastet në Bosnjë", tha dr. Cochav Elkayam-Levy, një ekspert ligjor në Institutin Davis të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Hebraik. "Më rrëqethet mishi vetëm të di detajet që ata dinin se çfarë t'u bënin grave: prerja e organeve, gjymtimi i organeve gjenitale, përdhunimi. Është e tmerrshme ta dish këtë."

"Kam folur me të paktën tre vajza që tani janë shtruar në spital për një situatë shumë të rëndë psikiatrike për shkak të përdhunimeve që panë", më tha ministrja May Golan. "Ato u shtirën si të vdekura dhe panë e dëgjuan gjithçka. Dhe s'e përballojnë dot."

Shefi i policisë izraelite Yaacov Shabtai tha se shumë të mbijetuar nga sulmet e kishin të vështirë të flisnin dhe se ai mendonte se disa prej tyre nuk do të dëshmonin kurrë për atë që panë ose përjetuan. "18 të rinj e të reja janë shtruar në spitalet e shëndetit mendor sepse nuk mund të funksiononin më", tha ai.

Të tjerë thuhet se kanë tendenca vetëvrasjeje. Një nga ata që punonin me ekipet që merreshin me të mbijetuarit i tha BBC-së se disa tashmë kishin vrarë veten. Pjesa më e madhe e provave kanë ardhur nga vullnetarët që kanë mbledhur trupat pas sulmeve, dhe nga ata që kanë trajtuar trupat pasi arritën në bazën e ushtrisë Shura për identifikim.

Një nga mbledhësit e trupave që ishte vullnetar në organizatën fetare Zaka më përshkroi shenja torturash dhe gjymtimesh, ku në një rast konkret, një gruaje shtatzënë i ishte çarë barku para se të vritej dhe fetusi i saj ishte therur ndërsa ishte brenda saj. BBC nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë rrëfim, dhe raportimet e mediave izraelite kanë vënë në pikëpyetje disa dëshmi nga vullnetarët.

Një tjetër, Nachman Dyksztejna, dha një dëshmi me shkrim se ka parë trupat e dy grave në kibuc Be'eri me duart dhe këmbët e tyre të lidhura në një shtrat. "Njëra u terrorizua seksualisht me një thikë të ngulur në vaginë dhe i hoqën të gjitha organet e brendshme", thuhet në deklaratën e tij.

Në vendin ku u mbajt festivali, ai thotë se strehëzat e vogla ishin "të mbushura me grumbuj grash. Rrobat e tyre ishin grisur në pjesën e sipërme, por pjesa e tyre e poshtme ishte krejtësisht e zhveshur. Grumbuj e grumbuj grash. [...] Kur i shikoje nga afër te koka, kishin një të shtënë të vetme në tru"

Qindra trupa u mblodhën nga vendet e sulmit nga vullnetarë. Hetuesit pranojnë se në ditët e para kaotike pas sulmeve, me disa zona ende zona luftarake aktive, mundësitë për të dokumentuar me kujdes skenat e krimit ose për të marrë prova mjekoligjore ishin të kufizuara ose të humbura.

"Për pesë ditët e para, ne kishim ende terroristë në terren në Izrael", tha May Golan. "Dhe kishte qindra, qindra trupa kudo. Ata u dogjën, ishin pa organe, ishin therur plotësisht". "Kjo ishte një ngjarje me viktima masive," tha zëdhënësi i policisë Dean Elsdunne para gazetarëve në një konferencë. "Gjëja e parë ishte të punohej për identifikimin e viktimave, jo domosdoshmërisht në vendin e krimit. Njerëzit prisnin të dëgjonin se çfarë kish ndodhur me të dashurit e tyre." Ka qenë personeli në bazën e ushtrisë Shura, ku kanë mbërritur trupat për identifikim, të cilët u kanë ofruar hetuesve disa nga provat më të rëndësishme.

Kjo provë doli nga një ambient i improvizuar çadrash dhe kontejnerësh frigoriferikë transporti të vendosur në bazë për të identifikuar trupat.

Avionët luftarakë oshtinin lart, duke mbytur gjinkallat, ndërsa bombardimet e Izraelit ndaj Gazës vazhdonin. Ekipet këtu na thanë se kishin parë prova të qarta të përdhunimit dhe dhunës seksuale te trupat që vinin, duke përfshirë legenin e thyer nga abuzimi i vazhdueshëm i dhunshëm.

"Shohim gra të të gjitha moshave," i tha BBC-së një nga rezervistet në ekipin mjekoligjor, kapitene Maayan. "Shohim viktima përdhunimi. Shohim gra që kanë përjetuar dhunë. Kemi patologë dhe shohim mavijosjet, mësojmë për prerjet dhe çjerrjet dhe e dimë se ato janë abuzuar seksualisht."

E pyes se çfarë përqindje e trupave që ka trajtuar tregojnë shenja të kësaj.

"Me bollëk," tha ajo. "Një sasi e bollshme e grave dhe vajzave të të gjitha moshave."

Numri i viktimave është vështirë të përcaktohet, pjesërisht për shkak të gjendjes së trupave.

"Është një numër i madh," tha një tjetër ushtare në shërbim, e cila kërkoi të përdorte vetëm emrin e saj, Avigayil. "Është e vështirë ta thuash. Unë jam marrë me më shumë se disa trupa të djegur dhe nuk e kam idenë se çfarë kanë kaluar më parë ata. Dhe trupa që u mungon gjysma e poshtme - nuk e di nëse janë përdhunuar. Por gratë që është e dukshme që janë përdhunuar? Ka mjaftueshëm. Më shumë se mjaftueshëm."

"Ndonjëherë na mbetet vetëm një pjesë shumë e vogël e trupit," më thotë dr. Elkayam-Levy. "Ndoshta ata po përpiqen të identifikojnë një gisht, një këmbë ose një dorë. Njerëzit janë djegur e janë bërë hi.

Privatisht, disa nga ata që po punojnë me këtë, flasin për "dhjetëra" viktima, por thonë menjëherë se po mblidhen akoma prova.

Komisioni civil i kryesuar nga dr. Elkayam-Levy, për të mbledhur dëshmi për krimet seksuale, po bën thirrje për njohjen ndërkombëtare se ajo që ndodhi më 7 tetor ishte abuzim sistematik, që përbën krime kundër njerëzimit.

"Ne shohim modele të caktuara," më tha ajo. "Pra, nuk ishte e rastësishme, nuk ishte e rastësishme. Ata erdhën me një urdhër të qartë. Ishte […] përdhunim si gjenocid."

Avigayil është dakord se kishte ngjashmëri në dhunën e kryer mbi trupat që mbërritën në bazën Shura. "Ka modele që grupet e grave nga i njëjti vend janë trajtuar në mënyrë të ngjashme," tha ajo.

"Mund të ketë një grup grash që janë përdhunuar në një mënyrë, dhe ne po shohim ngjashmëri te trupat; dhe më pas një grup tjetër që nuk janë përdhunuar, por janë qëlluar disa herë në të njëjtin model. Kështu që duket se grupe të ndryshme terroristët kishin forma të ndryshme mizorie".

"Kjo ishte një ngjarje e paramenduar, sistematike," u tha gazetarëve shefi i policisë Yaacov Shabtai.

David Katz nga njësia izraelite e krimit kibernetik, e cila është e përfshirë në hetim, u tha gazetarëve se ishte shumë herët për të provuar se dhuna seksuale ishte planifikuar si pjesë e sulmit, por të dhënat e nxjerra nga telefonat e agresorëve të Hamasit sugjeronin se "gjithçka ishte sistematike".

"Do të ishte e pamatur të thuash se tashmë mund ta vërtetojmë […] por gjithçka që ndodhi atje, u bë në mënyrë sistematike," tha ai. "Asgjë nuk ndodhi rastësisht. Përdhunimi ishte sistematik."

Qeveria izraelite tregon dokumentet që thotë se u gjetën te luftëtarët e Hamasit, të cilat duket se mbështesin idenë se dhuna seksuale ishte planifikuar. Janë publikuar klipet e marrjes në pyetje me disa luftëtarë të kapur në të cilat ata duket se thonë se gratë janë shënjestruar për këtë qëllim.

Javën e kaluar, UN Women nxorri një deklaratë duke thënë se "dënon pa mëdyshje sulmet brutale nga Hamasi" dhe ishte "e alarmuar nga rrëfimet e shumta të mizorive me bazë gjinore dhe dhunës seksuale gjatë atyre sulmeve".

Dr. Elkayam-Levy tha para deklaratës se organizatave ndërkombëtare për të drejtat e grave u është dashur shumë kohë për t'iu përgjigjur thirrjes së saj për mbështetje.

"Kjo është mizoria më e dokumentuar që njerëzimi ka njohur," më tha ajo.

"Izraeli me 7 tetor nuk është i njëjti vend që u zgjua mëngjesin tjetër", tha shefi i policisë Yaacov Shabtai.

Mes tmerrit të asaj që ndodhi me gratë këtu, kapitene Maayan nga njësia e identifikimit të Shuras thotë se momentet më të vështira janë kur ajo sheh "rimelin në qerpikët e tyre, ose vathët që vendosin atë mëngjes".

E pyes se ç'ndjesi i jep kjo asaj si grua.

"Terror," u përgjigj ajo. "Na terrorizon."

 

 

 

 

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco