Zhvillimet e orëve të fundit gjatë armëpushimit të përkohshëm Izrael - Hamas

Zhvillimet e orëve të fundit gjatë armëpushimit të përkohshëm Izrael - Hamas

18:47, 30/11/2023
A+ Aa A-

Lajmet më të fundit Lindjen e Mesme

Armëpushimi i përkohshëm në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit është tashmë në ditën e shtatë - dhe dy pengje të tjera sapo janë liruar nga Izraeli. Më poshtë është një përmbledhje e shpejtë e ngjarjeve të sotme:

Për pengjet:

• Dy gra janë liruar nga Hamasi dhe tani janë në Izrael duke u dërguar në një bazë ajrore, ka thënë Izraeli. Njëra prej tyre është Mia Schem, 21 vjeçe, e cila u rrëmbye nga festivali muzikor Supernova me 7 tetor dhe ishte personi i parë që u shfaq në një video të pengjeve të publikuar nga Hamasi.

• E liruar është edhe avokatja 40-vjeçare Amit Soussana, e cila u rrëmbye nga kibuci Kfar Azar.

• Izraeli thotë se në orët e ardhshme pritet të transferohen pengje të tjera izraelite në Kryqin e Kuq.

• Nga ana tjetër, sonte pritet të lirohen 30 të burgosur palestinezë. Grupi mbrojtës, Klubi i të Burgosurve Palestinez ka publikuar një listë, e cila thotë se përfshin 22 fëmijë dhe tetë gra.

Në zhvillime të tjera:

• Kryediplomati amerikan Antony Blinken po viziton Lindjen e Mesme për herë të tretë dhe sot paralajmëroi Izraelin se duhet "të marrë çdo masë të mundshme për të shmangur dëmtimin e civilëve" nëse luftimet rifillojnë në Gaza. Siç shkruan korrespondenti ynë diplomatik, mesazhi nga SHBA duket i qartë - duhet të ketë një ndryshim taktikash, për të shmangur vrasjen e mijëra civilëve të tjerë palestinezë.

• Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i tha Blinken se Izraeli do të vazhdojë luftën derisa të gjithë pengjet të lirohen dhe Hamasi të jetë "eliminuar" plotësisht.

• Hamasi ka thënë se të shtënat në Jerusalem mëngjesin e sotëm që vranë tre persona dhe plagosën 16 të tjerë u krye nga anëtarët e tij.

• Vazhdojnë bisedimet për zgjatjen e armëpushimit të përkohshëm - dhe zyrtarët egjiptianë thonë se ata dhe Katari, të cilët po ndërmjetësojnë, po bëjnë presion për ta zgjatur atë edhe për dy ditë të tjera./BBC - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco