Armëpushimi në Gaza, Hamasi liron 12 nga pengjet izraelite

Armëpushimi në Gaza, Hamasi liron 12 nga pengjet izraelite

21:18, 28/11/2023
A+ Aa A-

Edhe 12 pengje të tjera të mbajtura në Rripin e Gazës, 10 izraelite dhe dy tajlandezë, janë liruar nga Hamasi – grupi radikal palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – njoftoi ushtria izraelite të martën mbrëma.

Zyra e kryeministrit të Izraelit tha se të 12 pengjet kanë mbërritur në Izrael.

“Familjet e tyre u njoftuan nga zyrtarët se ata janë kthyer në Izrael”, tha ajo në një komunikatë.

Në këmbim, Izraeli do t’i lirojë edhe 30 të burgosur palestinezë nga burgjet izraelite, në ditën e pestë të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit.

Paraprakisht, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se përfaqësuesit e Kryqit të Kuq i transportuan 12 pengje në Egjipt dhe se ata ishin rrugës për në Izrael.

Izraeli dhe Hamasi u pajtuan për ta vazhduar armëpushimin deri të mërkurën, duke i rritur shpresat për këmbime të tjera të pengjeve të mbajtura nga Hamasi me të burgosur palestinezë në burgjet izraelite, si dhe për një ndërprerje më të gjatë të luftës më vdekjeprurëse dhe më shkatërruese mes tyre.

Zgjatja e armëpushimit do të mundësonte dhe dërgimin e më shumë ndihmave në Gazë, e cila është shkatërruar nga një fushatë e fuqishme bombardimesh dhe nga një ofensivë tokësore e Izraelit, që i kanë detyruar 75 për qind të 2.3 milionë banorëve të zhvendosen nga shtëpitë e tyre dhe të ikin në jug të territorit.

Por, Izraeli thotë se mbetet i përkushtuar për ta shkatërruar Hamasin dhe për t’i dhënë fund sundimit të tij 16-vjeçar në Gazë. Kjo, me gjasë, nënkupton zgjerim i ofensivës nga veriu në jug.

Rreth 240 njerëz u rrëmbyen nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael, ku luftëtarët e grupit radikal palestinez i vranë më shumë se 1.200 njerëz, sipas zyrtarëve izraelitë.

Më shumë se 15.000 palestinezë janë varë gjatë ofensivës ajrore dhe tokësore të Izraelit në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila kontrollohet nga Hamasi./ REL/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco