Sipërmarrjet e Afrikës së Jugut kërkojnë ndihmë nga Kina për të dalë nga kriza energjetike

Sipërmarrjet e Afrikës së Jugut kërkojnë ndihmë nga Kina për të dalë nga kriza energjetike

19:59, 13/11/2023
A+ Aa A-

Kina premtoi të ndihmojë Afrikën e Jugut përballë krizës paralizuese energjetike gjatë takimit të vendeve BRICS, që u mbajt në Johanesburg. Në të njëjtën kohën, Afrika e Jugut theksoi se dëshiron ta ekuilibrojë marrëdhënien tregëtare me Kinën dhe të eksportojë më shumë produkte të gatshme – por prodhimi në Afrikën e Jugut aktualisht po pengohet nga furnizimi i paqëndrueshëm me energjinë elektrike. Gazetarja e Zërit të Amerikës, Kate Bartlett bisedoi me pronarët e sipërmarrjeve në Johanseburg për sfidat me të cilat ata përballen.

Disa pajisje janë të domosdoshme për prodhimin e veshjeve në shekullin 21.

Forca krijuese pas këtij dyqani afrikano-jugor është një person me ëndrra të mëdha...

“Po e orientojmë aktualisht sipërmarrjen që të jetë më ndërkombëtare,” thotë zoti Mohlala.

Ëndrra e tij është që krijimet e tij të përfshijnë globin, por ai përballet me një sfidë: mungesën pothuajse të përditshme të energjisë elektrike.

“Diçka që do të duhej një javë për ta përfunduar, tani merr deri katër javë, prandaj kjo është pengesa më e madhe që e kemi tani.”

Ndonëse zoti Mohlala ka panele diellore, që furnizojnë me energji elektrike makineritë e tij, ato nuk mjaftojnë për të furnizuar pajisjet më të mëdha. Kjo nuk është sipërmarrja e vetme që ka shqetësime të tilla.

Së fundi, Afrika e Jugut ka nënshkruar marrëveshje me Kinën, partnerin e saj më të madh tregtar, ta ndihmojë të përballet me krizën energjetike. Marrëveshja përfshin një ndihmë financiare dhe pajisje për situatë emergjente nga Kina, në vlerë prej rreth 30 milionë dollarë.

Disa ekspertë i shohin investime e këtilla si shembuj se si Kina po spostohet nga investimet e mëdha infrastrukturore në kuadër të nismës Një Brez Një Rrugë drejt investimeve më strategjike sipas agjendës së gjelbër të Pekinit.

Ndonëse Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa falënderoi udhëheqësin kinez për ndihmën financiare, ai gjithashtu theksoi deficitin e madh tregtar.

Zoti Ramaphosa synon që vendet afrikane të zëvendësojnë eksportimin e materialeve bazë me produkte të përfunduara. Por ekspertët thonë se keqmenaxhimi qeveritar dhe korrupsioni ndër vite ka lënë pasoja tek pjesa më e madhe e infrastrukturës në Afrikën e Jugut, vendi më i industrializuar i kontinentit.

“Dyshoj që çekuilibri tregtar ndërmjet Afrikës së Jugut dhe Kinës do të ndryshojë në afat të shkurtër dhe të mesëm, kjo për shkak të shkatërrimit të kapacitetit industrial të Afrikës së Jugut si edhe të infrastrukturës pasi portet e Afrikës së Jugut nuk po punojnë me efikasitet, po ashtu edhe problemet me energjinë elektrike..”

Tony Esslinger nga Afrika e Jugut, që menaxhon distilerinë e pijeve “Primal Spirits”, po ashtu po përballet me vështirësi të depërtojë në tregun e eksporteve. Mungesa e vazhdueshme e energjisë elektrike është një nga pengesat kryesore.

“Problemi me këto makina është se duhet të punojnë gjatë tërë ditës, në intervale tetëorëshe, dhe nëse në mes të këtij procesi ndërpritet korrenti, atëherë duhet ta ringrohim të gjithë aparaturën të nesërmen – kjo nënkupton shpenzim shtesë të energjisë elektrike.”

Nëse intrastruktura e re për energji elektrike, e mbështetur me fondet kineze, do t’i ndihmojë ose jo sipërmarrjet, siç është rasti i distilerisë dhe ateliesë së modës, që të zgjerojnë tregtinë e mallrave të tyre tutje, do të varet nga menaxhimi brenda Afrikës së Jugut dhe gatishmëria e Kinës të importojë produkte të përfunduara nga Afrika e Jugut./ VOA/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco