Protestat pro-palestineze në Londër dhe Berlin, dhjetra të arrestuar

Protestat pro-palestineze në Londër dhe Berlin, dhjetra të arrestuar

19:43, 04/11/2023
A+ Aa A-

Mijëra njerëz marshuan sot në qendër të kryeqytetit të Gjermanisë në solidaritet me palestinezët në Gaza, mes bombardimeve shkatërrimtare të Izraelit pas sulmit të Hamas në territorin e tij më 7 tetor.

“Gjermania është fajtore për krimet që po kryhen aktualisht kundër palestinezëve. Ne kërkojmë fundin e politikës gjermane në mbrojtje të Izraelit dhe kërkojmë që vendi të përkushtohet në ndihmë humanitare për palestinezët”, tha për rrjetin AFP një protestues që dha emrin e tij si Dave.

Organizatorët thanë se marshimi do të ishte i vogël por policia tha se rreth 10,000 njerëz kishte në të, prandaj rreth 1,400 ishin dislokuar për të mbikqyrur protestën.

Atmosfera e protestës ishte kryesisht e qetë teksa shumë protestues vinin me familjet dhe fëmijët e tyre.

Mes pankartave të protestuesve shiheshin sloganet “Shpëtoni Gazën”, “Ndaloni genocidin” dhe “Armëpushim”, dëshmonin gazetarët e rrjetit AFP.

Shumë nga pjesëmarrësit mbanin në kokë shallin karakteristik palestinez ‘kefieh’.

Rrjedhimisht protestuesit u mblodhën në sheshin qendror Alexanderplatz në Berlin, ku nisën të brohorisnin “Palestina e lirë”.

Numri i personave të arrestuar në Londër për protestat pro-palestineze në Londër ka arritur në 11.

Gjatë katër javësh protestash numri i londinezëve të arrestuar ka ardhur gjithnjë duke u rritur. Tre prej tyre u arrestuan këtë të shtunë.

Një person u arrestua pasi shfaqi një pankartë që mund të nxiste urrejtje, personi tjetër u ndalua për sulm ndaj oficerit të policisë. Personi i fundit ra në pranga për shkelje të ligjit të rendit publik.

Policia Britanike e Transportit njoftoi më tej se protestuesit u ulën në stacionin hekurudhor Charing Cross, duke ndaluar disa pasagjerë të hynin në trena.

Ndërkohë, kryeministri Rishi Sunak ka argumentuar se organizimi i demonstratave pro-palestineze në ditën e armëpushimit do të ishte “provokues dhe mosrespektues”.

Deri më tani është paralajmëruar për një tjetër demonstratë masive, që pritet të mbahet më 11 nëntor, për të bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco