Lufta Izrael- Hamas- Bota po humbet humanizmin e saj

Lufta Izrael- Hamas- Bota po humbet humanizmin e saj

07:38, 20/10/2023
A+ Aa A-

Lindja e Mesme është në "buzë të një humnerë" si rezultat i luftës midis Izraelit dhe Hamasit, ka thënë shefi i agjencisë së OKB-së, Philippe Lazzarini për BBC.

Ai paralajmëroi për situatën e rëndë për civilët brenda Gazës, duke bërë thirrje përsëri për korridoret e ndihmës humanitare në territor.

Shefi i OKB-së tha se ai ka frikë se "bota tani po humbet humanizmin e saj".

Në një intervistë ekskluzive me BBC, Lazzarini përsëriti thirrjet për korridoret e ndihmës humanitare, duke thënë se ndihma "duhet të jetë e pandërprerë... e parashikueshme [dhe] kuptimplote" për të ndihmuar popullin e Gazës.

Duke folur nga Jerusalemi, kreu i UNRWA dënoi sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, duke e quajtur atë një "masakër të tmerrshme dhe barbare" që kishte krijuar një "traumë kombëtare, një traumë kolektive në Izrael".

''Por kjo ngjarje nuk e justifikon faktin që lufta po zhvillohet pa asnjë kufizim”, tha ai. "Dhe nuk besoj se vrasja e më shumë civilëve është në interes të sigurisë dhe paqes së ardhshme këtu në rajon."

I pyetur nëse izraelitët po respektonin ligjin ndërkombëtar humanitar, Lazzarini tha: "Dëgjoni, ne jemi tani në një situatë ku po vendoset një rrethim total në Rripin e Gazës.

"Ne jemi në një situatë ku më shumë se një milion njerëzve u është kërkuar të zhvendosen. Pra, kjo përbën dënim kolektiv dhe dënimi kolektiv është një shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar."

Ai shtoi: "Ne u bëjmë thirrje izraelitëve dhe kujtdo që është i rëndësishëm në këtë konflikt që të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare. Nuk ka përjashtim për askënd."

Duke folur për krizën në rritje humanitare në Gaza, Lazzarini tha se 2.2 milionë palestinezë, gjysma e të cilëve janë zhvendosur, "në thelb u mungon gjithçka".

"Nuk ka ujë. Janë katër tualete për 4000 njerëz. Ata jetojnë në dysheme," tha ai. 

"Nëse nuk ka më ujë në Rripin e Gazës, gjërat do të përshpejtohen. Dhe fatkeqësia që tashmë po shpaloset nën sytë tanë, do të bëhet edhe më e keqe,"

 Shefi i agjencisë së OKB-së, përfundoi duke thënë se palestinezët tani 'po ndiejnë thellë braktisjen nga komuniteti ndërkombëtar" mes dhunës së vazhdueshme.

"Ata ndihen plotësisht të zbrazët. Të gjithë kanë anëtarë të familjes që janë vrarë çdo ditë. Dhe në të njëjtën kohë, ata duhet të kujdesen për mbijetesën e tyre."

“Por ndjenja e braktisjes nuk duhet nënvlerësuar”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco