Hajdutë me flamuj

Hajdutë me flamuj

23:38, 23/09/2023
A+ Aa A-

Si udhëheqësit cinikë po shfrytëzojnë nacionalizmin për të fituar dhe për të abuzuar me pushtetin. Këta politikanë që përhapin urrejtje, shpesh dobësojnë kontrollet ndaj keqqeverisjes dhe korrupsionit, shkruan The Economist

Në fillim të këtij viti, presidenti i Tunizisë, Kais Saied, paralajmëroi se një “hordhi emigrantësh të parregullt” nga Afrika Nënsahariane po komplotonin për të ndryshuar demografinë e Tunizisë, duke zëvendësuar shumicën arabe.

“Afrikanët me ngjyrë, – tha ai, – sjellin dhunë, krime dhe praktika të papranueshme”.

Ai u dha leje tunizianëve që të ishin haptazi racistë. Papritur, shumë u ndien të lirë të përdornin sharje që më parë ishin tabu, duke përfshirë një ofendim për njerëzit me ngjyrë që do të thotë “skllav”. Shumica e vendasve të intervistuar nga The Economist në rrugë në muajin gusht, e përdorën këtë term.

“Skllevërit po na zëvendësojnë”, tha Nizar, një riparues mobiliesh në kryeqytetin Tunis. “Ata po na marrin të gjitha punët, edhe më keq, qëndrojnë në ballkon me të brendshme duke pirë alkool”.

Një valë urrejtjeje ka përfshirë gjithë vendin. Në korrik, pasi një arab u vra në një përleshje me emigrantët në qytetin tunizian Sfax, turmat dogjën shtëpitë ku banonin afrikanët me ngjyrë.

Pronarët, të frikësuar nga humbja e pronës, dëbuan qiramarrësit me ngjyrë. Me qindra emigrantë nënsaharianë përfunduan në rrugë, duke u grumbulluar së bashku për t’u mbrojtur.

“Shikoni kokën time”, tha Muhammad, një piktor nga Guinea, duke treguar një shenjë të goditjes me çekiç. Ai u dëbua nga banesa e vet nga disa banditë që mbanin gurë dhe bomba, më pas policia e kapi dhe e degdisi në shkretëtirë pa ujë.

Shumë emigrantë kanë vdekur në këtë mënyrë, por Muhammad arriti të kthehej në Sfax. Ai është i dëshpëruar për të shkuar në Europë.

Fjalimi i presidentit ishte një trillim. Nuk ka asnjë komplot për të ndryshuar demografinë e Tunizisë. Afrikanët e zinj janë një pjesë e vogël e popullsisë dhe kryesisht vetëm kalimtarë. Shumica duan të ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm nëpër Mesdhe.

Përpara fjalimit, zoti Saied nuk kishte popullaritet, për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike. Pas fjalimit, ai duket se ka fituar më shumë mbështetje.

Sondazhet nuk janë të besueshme, por një i tillë në nëntor tregoi se ai kishte një nivel mbështetjeje prej 30%; një tjetër në qershor zbuloi se 69% do të votonin për të.

Duke u zotuar se do t’i ruajë tunizianët nga një kërcënim imagjinar, ai ka tërhequr përkrahjen e tyre. Gjithashtu nuk ka pranuar asnjë faj për problemet e vendit.

Ekonomistët mendojnë se inflacioni i Tunizisë shkaktohet kryesisht nga qeveria, por banori Mustafa nga qyteti Sfax, fajëson njerëzit me ngjyrë, duke thënë se ata po i rrisin çmimet duke ngrënë të gjithë bukën.

Ai planifikon të votojë për zotin Saied në zgjedhjet e ardhshme.

Nxitja e urrejtjes nga ana e presidentit gjithashtu ka shpërqendruar nga veprime të tjera polemike që ai ka bërë, si shtypja e medias, ndërhyrjet në sistemin gjyqësor dhe mbyllja e organit kombëtar të mbrojtjes kundër korrupsionit.

Ai ka çmontuar kontrollet dhe baraspeshat që promovojnë një qeverisje të mirë, të pastër dhe me rezultate të parashikueshme. Tunizia është bërë më e frikësuar, më pak e lirë dhe më e korruptuar.

Rezultati i vendit në Treguesin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI), i përpiluar nga organizata Transparency International, është përkeqësuar ndjeshëm që nga viti 2021, kur zoti Saied filloi të çmontojë demokracinë e vendit.

Image
 

Nacionalizimi si faktor për pushtet

E vërteta është se Tunizia pasqyron një prirje globale: gjithnjë e më shumë udhëheqës po përdorin nacionalizmin si një mjet për të grumbulluar pushtet dhe për ta keqpërdorur atë (shih grafikun 1).

Ndërsa nacionalizmi dikur ishte një mjet për të çmontuar perandoritë e dobësuara koloniale, ai tani po bëhet gjithnjë e më shumë një mjet për të hequr kufizimet legjitime mbi pushtetin e qeverisë. Udhëheqësit që pengojnë kontrollet dhe balancat e pushtetit, kanë nevojë për një pretekst për t’i hequr ato.

Ata nuk mund të pranojnë haptazi para njerëzve se duan t’i mbyllin gojën shtypit dhe të pastrojnë gjykatat ngaqë nuk duan të ndjekin rregullat dhe do të parapëlqenin të vendosnin një autoritet të papenguar. Kështu që akuzojnë gazetarët dhe gjyqtarët si tradhtarë, apo si agjentë të fuqive të huaja.

Nacionalizmi mund të jetë pozitiv ose negativ. Lloji pozitiv i tij, si dashuria për atdheun, mund të jetë një forcë e mirë. “Është themeli më i fortë për solidaritetin midis njerëzve që përndryshe do të kishin pak gjëra të përbashkëta”, shkruan Yascha Mounk në librin “Eksperimenti i madh: Si mund të funksionojnë demokracitë e ndryshme”.

“Në rastin më të mirë, nacionalizmi mund të frymëzojë një të krishterë të bardhë që jeton në zonën rurale të Tennessee, që të ndiejë lidhje të veçantë me një ateist hispanik që jeton në Los Angeles dhe anasjelltas”.

Për shkak se është i padëmshëm dhe i mirë për vendin, nacionalizmi pozitiv përqafohet nga pothuajse të gjithë politikanët. Në fund të fundit, askush nuk do të pranonte se nuk e do vendin e vet.

Rreziku është kur ata përkrahin nacionalizmin negativ: frikën dhe dyshimin ndaj të huajve. Të huajt mund të jenë me shtetësi tjetër ose minoritete vendase.

Ky lloj nacionalizmi paranojak është shumë i fuqishëm, ndoshta sepse mbështetet në një instinkt të rrënjosur thellë të njeriut, dëshirën për të mbrojtur fisin e vet.

Kur njerëzit ndjejnë se vendi i tyre është i kërcënuar, ngrihen për ta mbrojtur atë, ndonjëherë edhe heroikisht. Për shembull, kur Vladimir Putin pushtoi Ukrainën, ukrainasit bënë sakrifica të mëdha për t’i bërë qëndresë.

Kjo qëndresë e ndihmoi Ukrainën, e cila përndryshe do të ishte bërë një shtet vasal i Rusisë. Veprimi gjithashtu rriti popullaritetin e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, sepse njerëzit u mblodhën rreth njeriut që udhëhoqi mbrojtjen e vendit të tyre.

Mjerisht, udhëheqësit e paskrupullt kanë zbuluar se mund të fitojnë një nivel të ngjashëm popullariteti, duke u zotuar se do t’i mbrojnë njerëzit kundër kërcënimeve imagjinare.

Putin pretendon se sulmi i tij i paprovokuar ndaj Ukrainës, ka të bëjë me mbrojtjen e Rusisë nga agresioni perëndimor dhe nazistët ukrainas.

Dhe shumë rusë e besojnë. Pavarësisht gjithë gjakut të derdhur, parave të shpenzuara dhe izolimit ndërkombëtar, sondazhet e pavarura tregojnë se popullariteti i Putinit në Rusi është rritur që kur nisi pushtimin.

E meta kryesore e nacionalizmit paranojak është e qartë. Ai është i tmerrshëm për ata që shënjestron, qofshin emigrantë në Tunizi apo ukrainas, toka e të cilëve është mbushur me mina.

Fqinjët e regjimeve nacionaliste paranojake, kanë arsye të jenë nervozë, siç janë ata vende që ndajnë një kufi me Rusinë ose Kinën.

E meta tjetër e madhe e këtij lloj nacionalizmi është jo aq e dukshme: politika e mbështetur në fanatizëm i hap derën keqqeverisjes dhe korrupsionit.

Ndërsa Putini ka nxitur propagandën nacionaliste gjatë dy dekadave të fundit, miqtë e tij kanë plaçkitur Rusinë. Dhe megjithëse ai është padyshim shembulli më i skajshëm, nuk është i vetmi. Në fakt, ka një korrelacion të qartë statistikor midis nacionalizmit dhe korrupsionit.

The Economist analizoi të dhënat nga Instituti V-Dem, një institut kërkimor në Universitetin Gothenburg në Suedi. Çdo vit, ai u kërkon ekspertëve të përshkruajnë se si qeveritë e botës justifikohen para votuesve ose qytetarëve.

Më pas krijon një renditje nga rezultatet e marra. Duke i peshuar vendet sipas popullsisë, zbuluam se midis viteve 2012 dhe 2021, qeveritë u mbështetën më shumë në nacionalizëm për të tërhequr përkrahje. (Konkretisht, mbi një ideologji që përfshin një element nacionalist.

Kjo mund të përfshijë gjithashtu elemente të tjera, si populizmi ose islamizmi.) Ndryshimi ishte domethënës: një qytetar tipik ka vërejtur një rritje në përdorimin e nacionalizmit nga shteti i vet, që është i barabartë me rritjen e nacionalizmit që ka përjetuar Kina nën presidentin e saj Xi Jinping, me pseudonimin “Ujku Luftëtar”.

Image
 

Nacionalizimi dhe korrupsioni

The Economist ndërthuri të dhënat mbi nivelin e nacionalizmit të qeverive, me të dhënat mbi perceptimet e korrupsionit në sektorin publik nga Transparency International (TI), për vitet 2012 deri në 2021.

Duke përdorur një model statistikor, zbuluam se në vendet ku qeveritë mbështeten në retorikë nacionaliste për të qëndruar në pushtet, sektori publik është shumë më i korruptuar (shih grafikun 2).

Për më tepër, duke krahasuar evoluimin e vendeve me kalimin e kohës, zbulojmë se rritja e nacionalizmit, është shoqëruar me më shumë korrupsion dhe rënia e nacionalizmit, me më pak korrupsion. Të dyja këto zbulime mbeten të vërteta sot.

Kishte përjashtime të dukshme, por marrëdhënia është statistikisht e qartë: një rritje e devijimit standard të nacionalizmit me faktor 1, lidhej me një rritje të korrupsionit me 5.31 (në një shkallë nga 0 në 100). Dhe kur ndodhte një rritje e nacionalizmit, parashikohej edhe një rritje e ardhshme e korrupsionit.

Pse ndodh kjo? Kreu i organizatës Transparency International, Daniel Eriksson, thotë se ka tri mënyra se si nacionalizmi mund të nxisë abuzimin me pushtetin.

Politikanët mund të nxisin pasionet nacionaliste për të fituar postin ose për ta mbajtur atë. Duke u dhënë poste me ndikim të afërmve ose miqve, ata mund të përpiqen të kapin shtetin.

Dhe duke i quajtur kritikët tradhtarë, mund të zhvlerësojnë kontrollet dhe balancat që parandalojnë grabitjen e fondeve publike.

Thirrjet nacionaliste janë efektive sepse janë të thjeshta për t’u kuptuar dhe më emocionuese se çdo propozim politik.

Për shembull, “Votoni për mua sepse do të përmirësoj gjendjen e shkollave” është një platformë e mirë, por një slogan i mërzitshëm, ndërsa “Fisi fqinj po na sulmon!” është një slogan elektrizues.

Image
 

Zgjidh helmin tënd

Armiku mund të marrë shumë forma. Mund të jenë emigrantë, si në Tunizi; ose një rival gjeopolitik: për shembull, propagandat kineze dhe ruse sulmojnë vazhdimisht Amerikën; ose një sulm ndaj pakicës: për shembull, partia në pushtet e Indisë fryn kërcënimin që myslimanët, të cilët përbëjnë më pak se 15% të popullsisë, paraqesin për shumicën hinduiste.

Armiku mund të jetë edhe një ndryshim kulturor. Shumë udhëheqës nacionalistë e përshkruajnë çdo prirje të re shoqërore si të huaj, apo edhe si një përpjekje të egër nga të huajt për të përmbysur vlerat e vendit të tyre.

Për shembull, regjimi i Iranit e përdor këtë argument për të drejtat e grave; Uganda, në lidhje me tolerancën ndaj homoseksualëve. Regjimet joliberale zakonisht i përshkruajnë si të huaja vlerat që ata kundërshtojnë, gjë që është më e lehtë se sa të shpjegojnë pse e kanë gabim.

Çdo udhëheqës nacionalist është unik dhe është e vështirë të thuhet se cilët prej tyre i besojnë retorikës së vet. Sido që të jetë, nacionalizmi paranojak u jep atyre mjete për të fituar pushtetin, për ta konsoliduar atë dhe për të maskuar abuzimin me të.

Marrim si shembull Nikaraguan. Presidenti i vendit Daniel Ortega, dikur ishte një marksist revolucionar. Ai u ngjit në pushtet në vitin 1979, por humbi zgjedhjet në vitin 1990.

I vendosur për të rifituar dhe për të mbajtur pushtetin, ai shfrytëzoi marksizmin, nisi sulmet antiamerikane, fitoi zgjedhjet në vitin 2006 dhe që atëherë e ka ndrydhur vazhdimisht demokracinë.

Zgjedhja e armikut ishte mendjemprehtë. Shtetet e Bashkuara sponsorizuan vërtet revolucionarë të dhunshëm në vendin e tij, katër dekada më parë.

Ky kërcënim është zhdukur prej kohësh, por Ortega ende pretendon se kundërshtarët e tij janë “agjentë të perandorisë amerikane”, të cilët “kanë reshtur së qeni nikaraguas shumë kohë më parë”. Në shkurt, ai i hoqi shtetësinë më shumë se 300 disidentëve.

Image
 

Pas skenarit të zotit Eriksson, Ortega ka vendosur njerëzit e afërm në poste të pushtetshme. Zëvendëspresidentja dhe pasardhësja e tij e mundshme, është e shoqja, Rosario Murillo.

Tetë nga nëntë fëmijët e tyre punojnë si ndihmës në drejtimin e vendit. Djali Laureano është këshilltar presidencial.

Ai mbikëqyri negociatat me një firmë kineze për të ndërtuar një kanal prej 50 miliardë dollarësh në Nikaragua.

Projekti u rrëzua në vitin 2015 pas akuzave për korrupsion. Laureano është edhe një këngëtar opera. Jo të gjithë fansat e operës janë të bindur për talentin e tij. Një kritik e krahasoi zërin e tij me “ulërimat e një dhie që po pjell”.

Por ai merr rregullisht rolin kryesor nëpër opera të mbështetura nga një fondacion që e drejton vetë, i cili financohet nga taksapaguesit e Nikaraguas.

 

Autokrat hajdut

Familja Ortega drejton kanalet kryesore televizive në Nikaragua. Kjo i lejon të paraqesin lajmet në favor të tyre. Është gjithashtu një biznes fitimprurës.

Midis viteve 2018 dhe 2020, qeveria e Nikaraguas bleu reklama me vlerë 59 milionë dollarë nga tre kanalet më të mëdha televizive të zotëruara ose të kontrolluara nga familja Ortegas, ndërkohë që shpenzoi vetëm 230,000 dollarë në kanale që nuk kanë lidhje financiare me ta.

Në total, familja mendohet se kontrollon 22 kompani në industri, nga energjia te pronat.

Nikaragua është dhjetë pikë më e korruptuar se në vitin 2012, në shkallën e Transparency International, dhe tani renditet më poshtë se Kongo.

Por edhe në demokracitë më të pasura e më të qëndrueshme, nacionalizmi paranojak po përdoret si mjet nga të jashtmit për të hyrë në politikë ose për të ruajtur pushtetin.

Në maj, kryeministri hungarez Viktor Orban, deklaroi në një konferencë konservatore: “Ne jemi të gjithë nën sulm”. Ai zotohet t’i mbrojë hungarezët nga emigrimi, islami dhe të drejtat e homoseksualëve.

Ai kërkon bashkimin e të gjithë hungarezëve etnikë, duke përfshirë edhe ata në vendet fqinje. U jep atyre pensione dhe i lejon të votojnë në zgjedhjet hungareze; ata kanë prirjen për të votuar për të. Në këtë mënyrë, nacionalizmi i ndezur e ka ndihmuar të fitojë katër zgjedhje.

Mediat hungareze, të cilat tani kryesisht janë të kontrolluara nga miqtë e Orbanit, përsërisin si papagall pretendimet e tij për komplote të huaja.

Gjykatat e korruptuara nuk kundërshtojnë kur shuma të mëdha ndihmash nga Bashkimi Europian, derdhen në xhepat e familjes së tij dhe pasuritë shtetërore kalohen nëpër fondacione të kontrolluara nga aleatët.

Lorinc Meszaros, një ish-shok shkolle i Orbanit, i cili zotëronte një biznes modest të montimit të tubave, tani është bërë njeriu më i pasur në Hungari, me një pasuri prej 1.4 miliardë dollarësh.

Në Hungari dhe gjetiu, nacionalizmi përdoret si një justifikim i besueshëm për të dobësuar kontrollet dhe ekuilibrat e pushtetit. Kundërshtarët mund të quhen “agjentë të huaj”.

Nëpunësit e ndershëm publikë mund të etiketohen si “jopatriotë” dhe të zëvendësohen me servilë. Marrëdhëniet e dyshimta mund të mbahen të fshehta në emër të sigurisë kombëtare.

Putini ka qenë pionier i kësaj qasjeje. Në vitin 2012, ai paraqiti një ligj që kufizon veprimtaritë e OJQ-ve që merrnin para nga jashtë. Në vitin 2022, e zgjeroi fushën e ligjit.

Tani shteti mund të shpallë çdo individ apo grup si një “agjent të huaj” (që për shumë veshë tingëllon si “spiun”), nëse vendos se ata janë “nën ndikimin e huaj”. Të ashtuquajturit “agjentë të huaj”, mund të ndalohen të kryejnë çdo lloj veprimtarie politike, ose thjesht detyrohen të mbyllen.

Elementet e metodës së Putinit janë imituar gjerësisht në mbarë botën. Të paktën 50 shtete kanë miratuar rregulla për të frenuar shoqëritë civile në vitet e fundit, sipas organizatës Amnesty International.

Nga 31 shtete që treguan përkeqësim të ndjeshëm të Treguesit të Perceptimit të Korrupsionit midis viteve 2012 dhe 2022, 80% gjithashtu pësuan një shtrëngim të lirive civile, siç matet nga organizata Economist Intelligence Unit.

Etiketimi i organeve mbikëqyrëse si “agjentë të huaj”, pengon punën e tyre. Donatorët nervozë lokalë, ngurrojnë të financojnë OJQ-të me emër të keq; reklamuesit shmangin mediat e pavarura, në mënyrë që emrat e markave të tyre të mos njollosen nga shoqërimi me organizata të papëlqyera.

India ka përdorur Aktin e Rregullores së Kontributeve të Huaja, për të ngacmuar dhe për të penguar grupe të ndryshme, nga Oxfam tek Greenpeace. Rregullat e “ndikimit të huaj” të Kinës, kufizojnë veprimtaritë e çdo OJQ-je të lidhur me jashtë, që mund të shqetësojë Partinë Komuniste.

Në korrik, presidenti i Zimbabvesë nënshkroi një “Projektligj Patriotik” që lejon dënime të gjata me burg për këdo që kapet “duke dëmtuar me dashje sovranitetin dhe interesin kombëtar të shtetit”.

Opozita thotë se ky projektligj ka kriminalizuar kritikat ndaj qeverisë në prag të zgjedhjeve që u mbajtën javën e kaluar, të cilat partia në pushtet “i fitoi” padrejtësisht.

Pavarësisht nga emri që mbart, projektligji duket se është krijuar për ta qeverisur më keq vendin. Ai bën që të jetë e rrezikshme për anëtarët e shoqërisë civile, që të kenë ndonjë kontakt me të huajt.

Nëse një gazetar i pavarur flet me një diplomat të huaj, ose një grup lokal monitorues i zgjedhjeve ndan të dhëna me një ndërkombëtar, ose një mbikëqyrës kundër korrupsionit kërkon këshilla nga një ekspert jashtë vendit, ata mund të përfundojnë pas hekurave.

Si qershia mbi tortë, ligji gjithashtu e bën më të vështirë ndëshkimin e zyrtarëve grabitqarë, duke kërkuar nga prokurorët që të provojnë se ata që shpërdorojnë detyrën, e dinin se veprimet e tyre ishin të gabuara.

Kështu, në shumë vende nëpër botë, pushtetarët kanë zbuluar se argumentet nacionaliste ose sektare mund të përdoren për të ngacmuar ose për të përjashtuar nga detyra ata njerëz që sfidojnë status quo-në.

Teokracia e korruptuar e Iranit këmbëngul se të gjithë kandidatët presidencialë duhet të përmbushin përkufizimin e saj për devotshmërinë islame.

Në vitin 2021, skualifikoi 585 syresh, duke përfshirë të gjithë reformatorët e mundshëm dhe lejoi vetëm shtatë që të kandidojnë.

Një ligj i ri polak mund të ndalojë nga detyra politikanët që konsiderohen të ndikuar në mënyrë të padrejtë nga Rusia; objektivi i mundshëm i këtij ligji është Donald Tusk, një kandidat kryesor i opozitës që nuk është aspak pro-rus.

Që nga viti 2015, kur partia nacionaliste në pushtet e Polonisë mori drejtimin, gjendja e vendit është përkeqësuar me tetë pikë në Treguesin e Perceptimit të Korrupsionit.

 

Nuancat e lakmisë

Një qeveri më nacionaliste nuk do të thotë automatikisht një qeveri më e korruptuar. Është e mundur që një vend të bëhet më i zhurmshëm, por jo më i korruptuar, të paktën për njëfarë kohe.

Megjithatë, në planin afatgjatë, nëse një udhëheqës përdor nacionalizmin për të gërryer kontrollet dhe baraspeshat e pushtetit, njerëzit përreth tij ose pasardhësit do ta kenë më të lehtë që të plaçkisin vendin.

Kjo ndodhi në Zimbabve, ku Robert Mugabe, autokrat nacionalist, i cili ishte më i interesuar për pushtetin sesa paratë, nuk arriti të ndalonte plaçkitjen nga miqtë e tij dhe ata e rrëzuan nga pushteti.

Kështu, pavarësisht nga pikënisja, nacionalizmi paranojak priret që t’i bëjë vendet më të paqëndrueshme dhe me një qeverisje më të keqe.

Një punim nga Abhijit Banerjee, ekonomist i cili ka fituar çmimin Nobel, zbuloi se kur votuesit zgjedhin kandidatët sipas përkatësisë etnike në vend të ndershmërisë ose aftësisë, ata përfundojnë me përfaqësues më pak të ndershëm dhe më pak të aftë.

Andreas Wimmer nga Universiteti Columbia, përmblodhi të dhënat nga afro 500 luftëra civile dhe zbuloi se kur partitë politike janë me bazë etnike, lufta civile ka pothuajse dy herë më shumë gjasa.

Dhe paqëndrueshmëria është ndoshta 30 herë më e mundshme nëse vendi në fjalë nuk është as një diktaturë (e cila mund të shtypë trazirat para se të përshkallëzojnë), dhe as një demokraci e plotë (ku mosmarrëveshjet zakonisht zgjidhen në mënyrë paqësore).

Me pak fjalë, kur një udhëheqës nxit urrejtjen, prisni që vendi të bëhet më i korruptuar.

Image

Përktheu: Lira Muça/Monitor

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco