Pse Azerbajxhani kreu ofensivë në Karabak?

Pse Azerbajxhani kreu ofensivë në Karabak?

12:33, 21/09/2023
A+ Aa A-

Për muaj të tërë, negociatat për fatin e Nagorno-Karabakut duket se po shkonin në favor të Azerbajxhanit. Qeveria e Armenisë publikisht dhe në mënyrë eksplicite tha se ka njohur territorin e shkëputur – që është në qendër të konfliktit prej dekadave mes këtyre dy shteteve – si pjesë të Azerbajxhanit. Pra, pse lufta shpërtheu sërish?

Sfondi i luftës

Në qendër të çështjes është Nagorno-Karabaku, një enklavë malore e Azerbajxhanit që historikisht ka qenë shtëpi e armenëve dhe azerbajxhanasve. Në prag të kolapsimit të Bashkimit Sovjetik, popullsia e asaj që atëbotë quhej Rajoni Autonom i Nagorno-Karabakut ishte e përbërë prej pothuajse 75 për qind armenë etnikë. Një lëvizje nacionaliste në vitet ’80 kërkoi ndarjen e territorit nga Azerbajxhani dhe bashkimin me Armeninë. Lufta që pasoi në fillim të viteve ’90 vrau rreth 30.000 persona dhe përfundoi me marrjen e territorit nga Azerbajxhani nga separatistët e mbështetur nga Armenia.

Përpjekjet diplomatike për të zgjidhur konfliktin sollën pak përparim dhe të dyja palët zhvilluan edhe një luftë tjetër më 2020 që zgjati për gjashtë javë, përpara se Rusia të ndërmjetësonte një marrëveshje armëpushimi, që në mënyrë efektive njohu humbjen e kontrollit armen në pjesë të rajonit dhe shtatë qarqeve përreth.

Më 2022, Bakuja dhe Jerevani nisën negociatat që synonin arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare të konfliktit. Azerbajxhani tha se qëllimi i tij ishte rimarrja e kontrollit të plotë të pjesës tjetër të Karabakut, dhe kryeministri armen, Nikol Pashinian, la të kuptohet se ai ishte i vullnetshëm për diçka të tillë. Por, udhëheqja armene në Karabak ka qenë më hezituese për këtë, duke shprehur frikën se premtimet e Azerbajxhanit për “riintegrimin” paqësor të armenëve etnikë, ishin pretekst për të fshehur një plan që në fund do t’i largonte ata një herë e mirë nga ky territor. Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë kanë tentuar që të gjejnë një kompromis për të ulur tensionet, por kanë pasur pak sukses.

Pse Azerbajxhani sulmoi tani?

Më 19 shtator, Azerbajxhani nisi një sulm në shkallë të gjerë kundër Nagorno-Karabakut dhe pjesës së mbetur të forcave të armatosura të këtij rajoni, duke i detyruar banorët e kryeqytetit të rajonit, Stepanakert, të fshihen nëpër vendstrehime dhe ata nga periferitë u evakuuan në qendër. Pas një dite të sulmeve, ofensiva e Bakusë arriti qëllimin: Autoritetet de facto të armenëve etnikë në Karabak u pajtuan që të shpërbëheshin dhe të çarmatoseshin.

Frika nga dhuna më e madhe duket se është shmangur, me palën azerbajxhanasve dhe të armenëve etnikë që u pajtuan për një armëpushim të menjëhershëm. Por, ofensiva nxori në pah se si dinamikat e konfliktit janë që të gjitha në anën e Azerbajxhanit, deri në atë pikë saqë Bakuja ndjeu se ishte në interesin e saj të përshpejtonte këtë proces me forcë, pavarësisht mundësisë që të përballej me dënim ndërkombëtar dhe të rrezikonte jetën e popullatës në Nagorno-Karabak, që thotë se janë qytetarë të saj.

Azerbajxhani ka qenë i pakënaqur me ritmin e negociatave, duke u ankuar se udhëheqja e Nagorno-Karabakut po bëhej gjithnjë e më shumë refuzuese. Bakuja po ashtu e ka parë si një mundësi kohën kur garantuesi tradicional i sigurisë në Armeni, Rusia, u kthye kundër Qeverisë armene dhe kryeministrit të saj, Nikol Pashinian. Dhe në fund, Azerbajxhani me gjasë ka llogaritur se me çfarëdo kosto ndërkombëtare që do të përballej për sulmin, ky çmim që do të duhej të paguante nuk do të ishte shumë i dhimbshëm.

A ishte e papritur ofensiva azerbajxhanase?

Arsyeja e dukshme për këtë operacion ishte shpërthimi i një mine që vrau gjashtë azerbajxhanas mëngjesin e 19 shtatorit. Shpërthimi ndodhi afër qytetit Hojavend, që tani është nën kontrollin e paqeruajtësve rusë dhe është pjesë e një territori më të gjerë që forcat azerbajxhanase rimorën gjatë luftës më 2020. Pala azerbajxhanase fajësoi për këtë sulm sabotatorët armenë nga Karabaku.

Por, përgatitjet për sulmin janë bërë për javë të tëra. Trupat azerbajxhanase u grumbulluan në masë në linjën e kontaktit që ndan territorin e kontrolluar nga Azerbajxhani nga pjesa e poshtme e Karabakut, që mbeti jashtë territorit të saj pas luftës më 2020. Po ashtu ka pasur raportime për fluturime me dërgesa ushtarake në mes të Azerbajxhanit dhe Izraelit, duke sugjeruar se Azerbajxhani mund të ketë qenë u riarmatosur në përgatitje të më shumë luftimeve.

Retorika e Bakusë po ashtu në javët e fundit u ashpërsua. Azerbajxhani “nuk do të tolerojë praninë e asnjë zone gri në territorin e tij”, tha në fund të gushtit, Hikmet Hajiyev, këshilltar i lartë i presidentit azerbajxhanas, Ilham Aliyev. Ai iu referua pjesëve të Karabakut që Azerbajxhani ende nuk i ka nën kontroll.

Shumë përpara kësaj vere, analistët thanë se Azerbajxhani kishte përdorur përshkallëzimin ushtarak për të shtyrë procesin demokratik. Bisedimet midis Qeverisë qendrore në Baku dhe armenëve në Karabak kishin ngecur, me azerbajxhanasit që u ankuan se bashkëbiseduesit e tyre ishin refuzues. “Armenët e Karabakut refuzojnë të bisedojnë për ndonjë gjë tjetër përveç pavarësisë”, tha Farid Shafiyev, kreu i institutit të Qeverisë azerbajxhanase për Analiza të Raporteve Ndërkombëtare. Ai theksoi se Qeveria de facto e armenëve etnikë kishte organizuar zgjedhje presidenciale në shtator të vitit 2022, një hap që në sytë e azerbajxhanasve konfirmoi se ata nuk kishin vullnet të pranonin sundimin e tyre.

Por, qëndrimi i autoriteteve armene në Karabak ka “evoluar”, duke shprehur vullnet më të madh për të pranuar kërkesat e Azerbajxhanit, tha Olesya Vartanyan, analiste e lartë në Grupin e Krizave për Kaukazin Jugor. “Ata ishin të gatshëm të takoheshin me Azerbajxhanin dhe të diskutonin për procesin e integrimit, ashtu siç ka kërkuar Bakuja”.

Përderisa mospajtimet vazhduan u rrit edhe rreziku për një sulm të ri nga Azerbajxhani. “Mungesa – ose më mirë thënë ngecja – e një procesi politik i përkeqëson këto shqetësime”, tha Zaur Shiriyev, një analist nga Bakuja i Grupit të Krizave. Ai këto deklarata i bëri në një diskutim më 15 shtator, disa ditë para nisjes së ofensivës. “Nëse ndodh një përshkallëzim ushtarak në zonat e banuara nga armenët në Karabak në ditët dhe javët në vijim, nuk do të ishte befasi”.

Faktori Rusi

Përshpejtimi i procesit ishte një kolapsim i shpejtë në raportet midis Armenisë dhe aleates së saj tradicionale, Rusisë. Si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2020, një kontingjent prej 2.000 paqeruajtësish rusë u dislokuan në pjesë të Karabakut që armenët etnikë ende kontrollonin. Por, këta paqeruajtës janë dëshmuar se nuk janë në gjendje apo nuk kanë vullnet që të veprojnë kundër presionit që bën Azerbajxhani në territor. Dhe vetë Rusia – pavarësisht se ka nënshkruar traktat për të mbrojtur Armeninë në rast të një sulmi ngas jashtë, pasi të dy shtetet janë pjesë e Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO) – nuk ka intervenuar pas inkursioneve të vazhdueshme azerbajxhanase përtej kufirit në Armeni.

Kjo çoi në thellimin e mospajtimeve midis Jerevanit dhe Moskës, mospajtime u bënë të dukshme gjatë këtij muaji, kur Qeveria armene ndërmori një sërë hapash, që duket se kanë qenë të llogaritura, për të treguar pakënaqësinë e saj me Rusinë. Në mesin e tyre: Shkuarja e gruas së Pashinianit, Anana Hakabian, në Kiev për të dorëzuar një paketë të ndihmës; njoftimi se Armenia dëshiron të nënshkruajë një traktat për t’iu bashkuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale – institucion që ka lëshuar urdhërarrestim për presidentin rus, Vladimir Putin – dhe tërheqja e përfaqësuesve armenë nga CSTO-ja. “Ata shkelën tri vija të kuqe ruse”, tha Thomas de Waal, analist në institutin Carnegie Europe.

Bakuja duket se u inkurajua nga mospajtimet mes Rusisë dhe Armenisë, tha Shujaat Ahmadzada, hulumtues në Qendrën Topchubashov, me seli në Baku, e cila përqendrohet në çështjet e raporteve ndërkombëtare dhe të sigurisë. “I vetmi aktor që mund të shkaktojë probleme ishte Rusia, dhe tani kur mospajtimet mes Armenisë dhe Rusisë u rritën, mendoj se ata [Azerbajxhani] menduan se ishte koha e duhur” për të vepruar.

Si reagoi bota?

Përderisa pozicioni i tyre përballë Azerbajxhanit është dobësuar dhe aleanca me Rusinë është shkatërruar, Armenia ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare kudo që ka mundur ta marrë. Ky shtet është bërë nikoqir i monitoruesve kufitarë nga Bashkimi Evropian, po blen armë nga India, dhe vazhdimisht tenton ta sjellë në diskutim konfliktin në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Por, deri më tani ka dështuar të bindë ndonjë faktor ndërkombëtar që të ndërmarrë ndonjë veprim të rëndësishëm për të frenuar Azerbajxhanin dhe këtë pjesë Bakuja e ka marrë parasysh, tha Ahmadzada. “Nëse do të isha në këpucët [e armenëve], nuk do të prisja ndonjë veprim të rëndësishëm nga Perëndimi ndaj azerbajxhanasve”, tha ai.

Kur Azerbajxhani nisi ofensivën më 19, bota reagoi menjëherë, por reagimi i tyre u kufizua vetëm në shprehjen e shqetësimeve. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri thirrje Aliyevit që shteti i tij të “ndalë menjëherë veprimet ushtarake në Nagorno-Karabak”. Bashkimi Evropian tha se “dënon përshkallëzimin ushtarak”, duke shtuar se “dhuna duhet të ndalet”.

“Komuniteti ndërkombëtar vetëm po bën deklarata. Janë vetëm deklarata”, tha Edmon Marukian, ambasador jorezident armen. “E dini, deklaratat nuk iu ndihmojnë kur ju jeni duke u sulmuar dhe dikush tenton t’iu vras”.

Çfarë tani?

Ofensiva arriti të siguronte një koncesion që Azerbajxhani e kërkonte– dhe të cilin udhëheqja e armenëve etnikë në Karabak e kanë refuzuar – për muaj të tërë. Takimet midis përfaqësuesve të armenëve nga Karabaku dhe Qeverisë qendrore të Bakusë po mbahen në jug të Azerbajxhanit më 21 shtator.

Në një deklaratë para këtij takimi, të lëshuar nga presidenca de facto e Karabakut, u tha se do të diskutohet për mundësinë e “riintegrimit” të rajonit brenda Azerbajxhanit dhe për të drejtat dhe sigurinë e armenëve të Karabakut, “në bazë të Kushtetutës azerbajxhanase”.

Këto janë kushtet që më herët kanë qenë të papranueshme për armenët e Karabakut, por Azerbajxhani sërish fitoi avantazh dhe liderët e armenëve etnikë nuk kishin zgjidhje tjetër, pos t’i pranonin.

Një javë përpara ofensivës, historiani dhe diplomati armen, Gerard Libaridian mbajti një ligjëratë në SHBA, për të promovuar librin e tij të ri. Ai foli për negociatat që po vazhdonin dhe argumentoi se me kalimin e kohës, pozicioni i armenëve do të përkeqësohet.

“Sa më shumë që presim, aq më pak do të kemi avantazh… Sot, nuk mund të arrijmë atë që mundeshim një vit më parë. Sa më shumë që kemi pritur, aq më i ashpër është bërë Aliyevi”, tha ai./Marrë nga REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco