Lajmi i fundit

‘Metamorfoza 2’/ Arrestohet në Milano, ‘Leksi i druve’

Amerika po ndërton fabrika të çipave, problem i madh mungesa e fuqisë punëtore

Amerika po ndërton fabrika të çipave, problem i madh mungesa e fuqisë punëtore

08:12, 16/09/2023
A+ Aa A-

Amerika po ndërton fabrika të çipave. Tani duhet të gjejë punëtorë. Fabrikat e prodhimit të çipave do të vënë në provë potencialin prodhues të vendit

Politika e re industriale e Amerikës duket se po zhvillohet me vrull. Kompanitë, të joshura nga subvencionet, po derdhin para në fabrikat e gjysmëpërçuesve dhe ato të automjeteve elektrike.

Investimet në pikat e prodhimit po arrijnë një nivel rekord dhe pretendimi i presidentit Joe Biden se e ardhmja do të jetë “made in America”, duket më i besueshëm se dikur.

Hapi i ardhshëm është më pak i sigurt. Amerika po ndërton fabrika, por a mund të gjejë punëtorë të mjaftueshëm për të punuar në to?

Ndërsa shkalla e papunësisë ka arritur nivelin më të ulët në pesë dekada, kompanitë kanë vështirësi në gjetjen e stafit. Dhe ndërsa do të ndërtohen më shumë fabrika të reja, hendeku do të rritet.

Gjysmëpërçuesit janë prova më e rëndësishme për rritjen e prodhimit në Amerikë. Gjatë dy dekadave të fundit, shumë prodhues të çipave kompjuterikë janë larguar nga vendi.

Amerika ka ende studiues dhe projektues gjysmëpërçuesish të klasit botëror, por i mungon fuqia punëtore që i kthen disqet e silikonit në qarqe elektronike.

Me shpresën për të ndryshuar këtë gjendje, ligji i çipave i miratuar vitin e kaluar, do të bëjë që qeveria të shpenzojë 50 miliardë dollarë në gjysmën e dekadës së ardhshme.

Sipas një vlerësimi nga Shoqata e Industrisë së Gjysmëpërçuesve, deri në vitin 2030, sektori i çipave në Amerikë, do të përballet me një mungesë prej 67,000 teknikësh, shkencëtarësh kompjuterikë dhe inxhinierësh dhe mungesë prej rreth 1.4 milionë punëtorësh të kësaj fushe, në të gjithë ekonominë.

Po ta krahasojmë këtë me totalin prej rreth 70,000 studentësh që diplomohen në degën e inxhinierisë në Amerikë çdo vit, shkalla e deficitit bëhet e dukshme. Cilido qoftë hendeku i saktë, ai do të sjellë kosto të larta dhe produktivitet të ulët.

Një nga vendet në qendër të ambicieve të Amerikës është Tajvani, Ai e reflekton mjaft mirë problemin që pritet të përjetojë edhe Amerika në të ardhmen.

Kompania tajvaneze e prodhimit të gjysmëpërçuesve, me emrin TSMC, është prodhuesi më i madh në botë i çipave.

Ajo planifikon të investojë 40 miliardë dollarë në dy fabrika në Phoenix dhe Arizona, duke rritur në masë të madhe aftësinë e Amerikës për të prodhuar gjysmëpërçues ultra të vegjël. Nëse del me sukses, atëherë Amerika mund të fitojë përparësi në prodhimin e çipave.

Fabrika e parë e kësaj kompanie do të fillonte prodhimin vitin e ardhshëm. Por në korrik, ajo njoftoi se do të niste në vitin 2025, sepse nuk mund të gjente dot punëtorë të mjaftueshëm, me ekspertizën e nevojshme për të instaluar pajisje në një objekt të tillë të teknologjisë së lartë.

Shefi i TSMC-së, Mark Liu, tha se kompania do të dërgonte teknikë nga selia e saj në Tajvan, për të trajnuar stafin amerikan.

“Frika ime më e madhe është se do të investoj në të gjithë këtë infrastrukturë dhe më pas nuk do të jem në gjendje të gjej fuqinë punëtore”, thotë Shari Liss, nga grupi Semi Foundation.

Fakti që shumë njerëz në këtë fushë ndajnë të njëjtin shqetësim, është tregues i rëndësishëm.

Një raport në janar nga Instituti Brookings, tha se Amerika kishte nevojë “për një rritje të veprimeve kombëtare, shtetërore dhe lokale” për të siguruar punëtorë të mjaftueshëm për sektorin e çipave. Duket se kanë filluar të vihen re shenjat e para të kësaj mungese.

Problemi

Problemi më i madh me mungesën e fuqisë punëtore, siç ilustrohet nga problemet e TSMC-së, është në industrinë e ndërtimit.

Departamenti i Tregtisë vlerëson se rreth 100,000 ndërtues mund të nevojiten për fazën e parë të investimeve në fabrikat e prodhimit të gjysmëpërçuesve.

Qeveria nuk mund të gjejë sa hap e mbyll sytë një fuqi të tillë punëtore. Por ajo ka vënë si kusht për subvencionet, që kompanitë duhet të shpjegojnë hapat që do të ndërmarrin për të rekrutuar dhe për të trajnuar punëtorët e ndërtimit.

Një zyrtar në Departamentin e Tregtisë thotë se qeveria dëshiron që kompanitë të bashkëpunojnë për të krijuar një fuqi punëtore në ndërtim.

“Punëtorët që trajnohen për një projekt do të jenë të dobishëm edhe për fabrikat e tjera që do të ndërtohen në të ardhmen”, thotë zyrtari. Në këtë drejtim, plani i TSMC-së për të importuar trajnerë tajvanezë do të ndihmojë në transmetimin e njohurive.

Pasi të ndërtohen fabrikat, ato do të kenë nevojë për teknikë. Punëtorë të tillë, të cilët janë përgjegjës për detyra si vëzhgimi i mjeteve dhe produkteve, historikisht janë trajnuar për dy vjet në një kolegj komunitar ose në një shkollë profesionale.

Por kompanitë dhe trajnerët kanë filluar të eksperimentojnë me kurse shumë më të shkurtra.

Kanë nisur disa programe të shpejta që premtojnë të nxjerrin teknikë në vetëm dhjetë ditë, të ofruara nga Kolegji Korporativ Maricopa në Arizona dhe Kolegji Komunitar Portland në Oregon.

Kolegji Portland, i mbështetur nga kompania e çipave Intel, u ofron studentëve paga prej 500 dollarësh në javë dhe ai në Arizona, u garanton studentëve intervista me TSMC-në.

Megjithatë, asnjë kompani nuk dëshiron të rrezikojë, duke vendosur kandidatë me vetëm dhjetë ditë trajnim, pranë makinerive që kushtojnë disa miliona dollarë.

Qëllimi më realist është të nxitet dëshira e njerëzve për një karrierë në fushën e gjysmëpërçuesve. “Qëllimi ynë është të nxisim njerëz që mendojnë se u mungojnë aftësitë për këtë lloj pune”, thotë Gabriela Cruz Thompson nga firma Intel.

Ajo vëren se firma ka qenë më e suksesshme në rekrutimin e grave dhe pakicave në programet e shpejta, se sa në kurset tradicionale dyvjeçare.

Së shpejti mund të ofrohen më shumë mundësi. Për shembull, këtë vjeshtë, Kolegji Shtetëror Columbus në Ohio, ku kompania Intel po ndërton dy fabrika, do të ofrojë një program njëvjeçar të një lloji të ri. Qëllimi është që studentët të “jenë gati për të punuar” për kompaninë Intel.

Hapi tjetër janë inxhinierët nëpër fabrika. Universitetet pranë disa fabrikave që po ndërtohen, duke përfshirë shtetet Arizona dhe Ohio, kanë zgjeruar ofertat e kurseve të gjysmëpërçuesve si pjesë e diplomave në inxhinieri dhe shkenca fizike.

Një i tillë është Universiteti Purdue në Indiana: vitin e kaluar, ai nisi një program diplomimi në fushën e gjysmëpërçuesve, si për studentët në bachelor, edhe për ata në master.

Qëllimi i modelit të Universitetit Purdue është të bashkëpunojë më ngushtë me kompanitë. Ai u jep studentëve qasje në llojet e kushteve dhe materialeve që do të hasin në ndërmarrjet tregtare dhe vë në provë aftësitë e tyre në vendin e ardhshëm të punës, duke i veshur edhe me kostumet e posaçme që nuk lejojnë infektimin e çipave.

Këtë verë, Universiteti Purdue ofroi një kurs tetëjavor që përfshinte pagën prej 10,000 dollarësh për studentët, me financim nga kompanitë që shpresojnë të tërheqin punëtorë të mundshëm përpara se ata të joshen nga Silicon Valley.

Në një park industrial në skajin jugperëndimor të kampusit të universitetit, kompania SkyWater do të ndërtojë një fabrikë prej 2 miliardë dollarësh.

“Studentët do të jenë në gjendje të zgjohen në konviktin e tyre, të kthehen djathtas dhe të shkojnë në klasa dhe më pas të kthehen majtas dhe të bëjnë praktikë”, thotë Mung Chiang, presidenti i Universitetit Purdue.

Mundësi të jashtëzakonshme

Zonja Cruz Thompson thotë se në fillim, kompania Intel priste që rreth 100 njerëz të regjistroheshin në kurset e shpejta. Por u regjistruan rreth 900 veta.

Në maj, platforma e punës për të sapodiplomuarit Handshake, raportoi se aplikimet për punë me kohë të plotë në kompanitë e gjysmëpërçuesve u rritën me 79% krahasuar me vitin e kaluar, kundrejt 19% në sektorë të tjerë.

“Studentët e kuptojnë se çipat janë e ardhmja”, thotë Vijay Raghunathan, drejtori i Universitetit Purdue.

Fatkeqësisht, Amerika po kufizon qasjen në një burim të madh talentesh. Emigrantët përbëjnë rreth 40% të punëtorëve të kualifikuar në industrinë e gjysmëpërçuesve të Amerikës.

Ata duhet të kalojnë nëpërmjet disa programeve të rrepta vizash. Këto programe kanë kuota fikse, që do të thotë se ndërsa industria zgjerohet, ato do të bëhen edhe më kufizuese. Politikanët në të djathtë, duke përfshirë Donald Trump, kanë kërkuar të mos jepen më shumë viza.

Kompanitë amerikane të çipave po përgatiten për një fuqi punëtore të vogël, por të kualifikuar.

Pasi tkurrën prodhimin jashtë vendit, ato u bënë më të specializuara në vend, duke e ngritur Amerikën në krye të industrisë globale. Qualcomm, Nvidia dhe të tjerë u bënë udhëheqës botërorë në zhvillimin dhe modelimin e çipave të përparuar.

Tani Amerika po përpiqet të rifitojë terren në nivelet më të ulëta të industrisë, duke trajnuar punëtorë në aftësitë themelore si prerja e disqeve në çipa dhe paketimi i tyre në një shtresë të fortë plastike.

Përparësia e politikanëve është që të mos varen së tepërmi nga Kina. Edhe për kompanitë është e volitshme që të bëjnë më të larmishëm zinxhirët e furnizimit dhe të afrojnë pikat e prodhimit me operacionet kërkimore.

Lajmi i mirëpritur për ata që duan të sjellin këtë ndryshim, është se kolegjet dhe universitetet janë në anën e tyre. Por nuk dihet ende nëse është një ide e mirë që Amerika t’i rikthehet një të kaluare në fushën e prodhimit, që një herë e një kohë vendosi ta linte pas./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco