SHBA: Djegia e ambasadës suedeze në Irak ‘akt i paligjshëm dhune’

SHBA: Djegia e ambasadës suedeze në Irak ‘akt i paligjshëm dhune’

09:03, 21/07/2023
A+ Aa A-

Shtetet e Bashkuara denoncuan ashpër sulmin ndaj ambasadës suedeze në Irak të enjten, duke thënë se dështimi i forcave irakiane të sigurisë për të penguar sulmin ishte “i papranueshëm”.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller , tha se ndërsa “liria e tubimit paqësor është një shenjë thelbësore e demokracisë”, sulmi ndaj misionit diplomatik “ishte një akt i paligjshëm dhune”.

“Është e papranueshme që forcat irakiane të sigurisë nuk vepruan për të parandaluar protestuesit që të shkelin kompleksin e Ambasadës Suedeze për herë të dytë dhe ta dëmtojnë atë. Ne jemi në kontakt me partnerët tanë suedezë dhe kemi ofruar mbështetjen tonë. Misionet e huaja nuk duhet të jenë objektiva të dhunës,” tha Miller në një deklaratë.

 “Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Irakut të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare për të mbrojtur të gjitha misionet diplomatike në Irak kundër çdo ndërhyrjeje apo dëmtimi, siç kërkohet nga ligji ndërkombëtar,” shtoi ai.

Të enjten herët në mëngjes, një turmë irakianësh sulmuan Ambasadën e Suedisë në Bagdad dhe i vunë flakën në shenjë proteste ndaj djegies së një kopje të Kuranit, librit të shenjtë të Islamit, muajin e kaluar nga Salwan Momika, një burrë i lindur në Irak, i cili tani jeton në Suedi.

Ministria e Jashtme e Suedisë dënoi sulmin ndaj ambasadës së saj në Bagdad, duke e quajtur atë një “shkelje të rëndë” të Konventës së Vjenës.

Shumë shtete, duke përfshirë SHBA-në, Rusinë, Turqinë , Irakun, Pakistanin, Indonezinë, Afganistanin, si dhe vende të tjera islamike, e dënuan sulmin.

Suedia gjithashtu nisi një hetim për incidentin.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco