Bjellorusia po ndërton kamp për Wagner? Dalin pamjet satelitore

Bjellorusia po ndërton kamp për Wagner? Dalin pamjet satelitore

09:39, 02/07/2023
A+ Aa A-

Imazhet satelitore të analizuara nga Associated Press të shtunën treguan atë që dukej të jetë një kamp i sapondërtuar i stilit ushtarak në Bjellorusi. Ndërsa sipas deklaratave nga një grup gueril bjellorus dhe zyrtarë sugjeronin se ai mund të përdoret për të strehuar luftëtarët nga grupi mercenar Wagner.

Imazhet e siguruara nga Planet Labs PLC sugjerojnë se dhjetëra tenda u ngritën brenda dy javëve të fundit në një ish bazë ushtarake jashtë Osipovichi, një qytet 230 kilometra (142 milje) në veri të kufirit ukrainas. Ndërsa në një fotografi satelitore të kapur më 15 qershor nuk ka asnjë shenjë të rreshtave të strukturave të bardha dhe jeshile që shfaqën në një imazh të mëvonshëm, të datës 30 qershor.

Kreu i Wagner Yevgeny Prigozhin dhe luftëtarët e tij i shpëtuan ndjekjes penale dhe iu ofrua strehim në Bjellorusi javën e kaluar pasi Minsk ndihmoi ndërmjetësimin e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund asaj që dukej të ishte një kryengritje nga grupi mercenar. Forcat e Wagner që kishin luftuar përkrah ushtarëve rus në Ukrainë, morën nën kontroll një bazë ushtarakë në Rostov, në Rusinë jugore dhe marshuan qindra kilometra drejt Moskës, pa hasur pengesa.

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, tha se vendi i tij, një aleat i ngushtë i Moskës, mund të përdorte përvojën dhe ekspertizën e Wagner-it dhe njoftoi se ai u kishte ofruar luftëtarëve një ‘njësi ushtarake të braktisur’ për të ngritur kampin.

Aliaksandr Azarau, udhëheqësi i grupit gueril ‘BYPOL’ i përbërë nme ish-anëtarë ushtarakë dhe kundër Lukashenkos, i tha të enjten Associated Press, përmes një telefonate, se po ndërtohej një bazë për mercenarët e Wagner pranë Osipovichi.

Andriy Demchenko, zëdhënës i forcës kufitare të Ukrainës tha të shtunën për gazetën ukrainase ‘Ukrainska Pravda’, se në Bjellorusi mund të vendosen deri në 8,000 luftëtarë të grupit Wagner. Ai tha se si përgjigje Ukraina do të forcojë kufirin e saj prej 1,084 kilometrash (674 milje) me Bjellorusinë.

Lukashenko e ka lejuar më parë Kremlinin të përdorte territorin bjellorus për të dërguar trupa dhe armë në Ukrainë. Ai ka mirëpritur gjithashtu një prani të vazhdueshme të armatosur ruse në Bjellorusi, duke përfshirë kampe dhe stërvitje të përbashkëta ushtarake, si dhe vendosjen e disa prej armëve taktike bërthamore të Rusisë atje.

Demchenko i tha Ukrainska Pravda të shtunën se që nga kjo javë, rreth 2,000 trupa nga njësitë e rregullta të ushtrisë ruse ndodhen të stacionuara në Bjellorusi.

Në një gala të mbrëmjes së së premtes që shënonte Ditën e Pavarësisë së Bjellorusisë, Lukashenko tha se forcat e armatosura bjelloruse mund të përfitonin nga trajnimi nga anëtarët e Wagner dhe pohoi se mercenarët nuk ishin ‘kërcënim’ për bjellorusët.

Ai gjithashtu deklaroi se ishte ‘i sigurt’ se Bjellorusia nuk do të përdorte armët bërthamore të vendosura në territorin e saj dhe nuk do të përfshihej drejtpërdrejt në luftën e Moskës kundër Ukrainës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco