Diktatori në krizë/ Tre mesazhet e fshehura në fjalimin e Putinit

Diktatori në krizë/ Tre mesazhet e fshehura në fjalimin e Putinit

20:10, 27/06/2023
A+ Aa A-

BILD

Ky fjalim do të ishte vendimtar për ‘fatin e Rusisë’. Kështu e vlerësoi zëdhënësi i Kremlinit fjalimin televiziv të diktatorit rus, Vladimir Putin.

Por rezultati ishte: asgjë konkrete. Putini vlerësoi mënyrën se si e trajtoi kryengritjen e mercenarëve të Yevgeny Prigozhin, falënderoi popullsinë ruse, si zakonisht foli për kërcënimin nga Perëndimi dhe iu ofroi luftëtarëve të Wagner mundësinë për të punuar në Ministrinë e Mbrojtjes në të ardhmen.

Edhe propagandistët rusë u çuditën: Ky supozohej të ishte fjalimi i madh për fatin e Rusisë?!

Por, kishte disa mesazhe të fshehura në fjalimin e Putinit, që synonin ta ndihmonin atë për të dalë nga kriza e pushtetit!

-Putin tha: “Solidariteti social ka treguar se çdo shantazh, çdo përpjekje për kryengritje, është e dënuar të dështojë”.

Me fjalë të tjera, Putini po përpiqet të mbulojë të vërtetën duke lavdëruar ‘solidaritetin social’. Duket sikur e gjithë Rusia kishte kundërshtuar Prigozhinin dhe luftëtarët e tij. Në fakt, në ditën e tentativës për grusht shteti, nuk pati asnjë demonstratë të vetme kundër Prigozhin. Asnjë grup vullnetar nuk u krijua për të ndaluar mercenarët.

Fakt është se në metropolin e Rostovit, i cili ishte i pushtuar nga mercenarët, shumë rusë brohoritën luftëtarët e Wagner dhe i pritën si çlirimtarë. Prigozhinit iu dha lamtumira si një yll popi, qytetarët rusë bënin selfie me të. Kur forcat e sigurisë u kthyen në qytet, ata u akuzuan si tradhtarë.

-Putin tha: “Unë theksoj se që nga fillimi i ngjarjeve, pa hezitim, u morën të gjitha vendimet e rëndësishme për neutralizimin e kërcënimit që u shfaq. Ne synonim të parandalonim derdhjen e gjakut, që pritej nga Kievi dhe Perëndimi”.

Kjo do të thotë se Putini po përpiqet ta paraqesë mosveprimin e ushtrisë së tij si një plan të madh. Ai e di se sa i madh është keqkuptimi në ushtri, por edhe në popullatë, për suksesin e mercenarëve- dhe përpiqet të vazhdojë të paraqitet si një njeri i fortë në krye.

Mesazhi i tij ishte se ka gjithçka nën kontroll që në fillim. Për të mbrojtur Rusinë dhe për të mos luajtur kartat e armiqve të Rusisë, ai i la qëllimisht trupat mercenare që të largoheshin.

Fakti është se mercenarët ishin në gjendje të merrnin kontrollin e dy qyteteve të mëdha pa rezistencë nga ushtria ruse: Rostov-mbi-Don dhe Voronezh. Dhe kjo, megjithëse në Rostov ka një seli të rëndësishme të ushtrisë. Pastaj kolona e Prigozhin mori rrugën për në Moskë pa asnjë pengesë. Ajo lëvizi për qindra kilometra nëpër Rusi pa ushtrinë, shërbimin sekret apo forcat e tjera të sigurisë që të pengonin mercenarët.

Putin tha: “Në fakt, e gjithë shoqëria ruse ishte e bashkuar nga përgjegjësia për të ardhmen e atdheut”.

Kjo do të thotë se kryengritja nuk e dobësoi regjimin e Putinit, por e forcoi atë. Rebelimi mercenar i ka bashkuar rusët dhe Putini do të mbetet udhëheqësi i vetëm rus në të ardhmen.

Fakt është se edhe luftënxitësit dhe nacionalistët e ashpër nuk pajtohen me Putinin. Alexander Khodakovski, udhëheqësi ushtarak në Donbas, deklaroi pas tentativës për grusht shteti: “Vendi ynë nuk do jetë më i njëjti”. Kryengritja e ndau “shoqërinë në gjysmë”. Në ata që brohoritën kryengritjen dhe në ata që i trembeshin një shpërbërje të Rusisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco