VIDEO| Moderatorja e Mediaset shpërthen në lot kur raporton vdekjen e Berlusconit

VIDEO| Moderatorja e Mediaset shpërthen në lot kur raporton vdekjen e Berlusconit

14:14, 12/06/2023
A+ Aa A-

Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi ndërroi jetë të hënën në spitalin San Raffaele të Milanos. Njoftimi për ndarjen nga jeta u dha fillimisht nga mjekët e tij dhe më pas pushtoi të gjitha mediat botërore.

I veçantë ka qenë dhënia e lajmit për ndarjen nga jeta në Mediaset në emisionin e mëngjesit, ku moderatorja Federica Panicucci shpërtheu në lot teksa dha lajmin e kobshëm.

Të premten e kaluar ish-kryeministri i Italisë u shtrua sërish në spital për kontrolle mjekësore, të lidhura me leuceminë kronike.

Së fundmi 86-vjeçari kishte kaluar 45 ditë në të njëjtin spital për t’u mjekuar për një infeksion në mushkri, përpara se të dilte prej andej tre javë më parë.

Tre herë kryeministër, ai ishte gjithashtu një nga biznesmenët më të suksesshëm dhe më influentë të Italisë, por aq edhe i kontestuar.

Ai ishte një forcë dominuese në poltikën italiane për të paktën 30 vjet dhe sërish vazhdonte të drejtonte partinë e tij të qendrës së djathtë, Forza Italia, pavarësisht problemeve të shumta shëndetësore të verifikuara që në 2016-n.

Vitin e kaluar, partia e tij hyri në koalicionin e krahut të djathtë që është aktualisht në qeveri, me Berlusconin që u kthye në Parlament si senator i zgjedhur pas 9 vitesh mungesë.

Por shumë njerëz tani pranojnë se Berlusconi ishte margjinalizuar dhe izoluar në kontekstin e politikës italiane dhe kishte humbur rolin e liderit të koalicionit të djathtë të vendit.

Sipas së përditshmes italiane “La Repubblica”, vdekja e tij shënon fundin e një epoke. Ajo është vija e finishit e një kapitulli 30-vjeçar të historisë italiane, e shënuar nga ndryshime kulturore, skandale politike dhe gafa ndërkombëtare.

Kavalieri, sikurse njihej ndryshe, lindi në Milano në vitin 1936 në një familje të klasit të mesëm. Ai e nisi karrierën e biznesit me shit-blerjen e pronave përpara se të themelonte “Mediaset”, rrjeti televiziv privat më i madh i Italisë.

Më pas do të vinte dhe ngjitja e tij në majat e politikës italiane, pavarësisht mungesës së eksperiencës, i nxitur nga suksesi si biznesmen.

Ai u zgjodh për herë të parë kryeministër në vitin 1994 dhe më pas në vitet 2001 dhe 2008. Në 2011-n, ai u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të krizës së borxhit.

Karriera e tij u shënua edhe nga shumë skandale, si ai i procesit “Ruby Ter”, ku u akuzua se kishte paguar një vajzë nën moshën 19-vjeçare për të kryer marrëdhënie seksuale, si dhe me zërat e shumtë për korrupsion.

Në fund të vitit 2012 ai u dënua për mashtrim me taksat, krim për të cilin kreu një dënim 1-vjeçar, të cilin e shleu duke ofruar shërbim në komunitet.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco