Federata Ndërkombëtare e Tenisit nuk dënon gjestin jo-sportiv të tenistit serb Gjokoviç

Federata Ndërkombëtare e Tenisit nuk dënon gjestin jo-sportiv të tenistit serb Gjokoviç

18:50, 31/05/2023
A+ Aa A-

Federata ndërkombëtare e tenisit ka "falur" sjelljen jo-sportive të tenistit serb Novak Gjokoviq, i cili shkroi “Kosova është zemra e Serbisë” në një kamerë në French Open. Në deklaratë federata thotë se tenisti nuk i ka shkelur rregullat e garës pasi "deklaratat politike nuk janë të ndaluara".

Gjokoviq e mbrojti veprimin e tij gjatë një interviste të dhënë për media serbe, duke thënë se Kosova është “djepi, kalaja” e Serbisë.

Federata Ndërkombëtare e Tenisit (ITF), organi drejtues i sportit, tha se kishin marrë një kërkesë nga Federata e Tenisit të Kosovës që kërkon që Gjokoviq të sanksionohet për veprimet e tij.

Megjithatë, ata theksuan se deklarata të tilla nuk bien ndesh me rregulloret për garat e Grand Slams, si French Open.

“Rregullat për sjelljen e lojtarëve në një garë të Grand Slam rregullohen sipas rregullores së Grand Slam, e administruar nga organizatori dhe rregullatori përkatës. Nuk ka asnjë dispozitë në këtë rregullore që ndalon deklaratat politike”, tha një zëdhënës i ITF-së në një deklaratë të dërguar me email.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, kishte thënë një ditë më parë se “Gjokoviq ka promovuar sërish propagandën e nacionalistëve serbë dhe ka përdorur platformën sportive për ta bërë këtë”.

“Deklaratat e mëtejshme, pas ndeshjes, të bëra nga një personazh i tillë publik, pa asnjë ndjenjë pendimi, rezultojnë drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të tensioneve dhe dhunës midis dy vendeve”, kishte thënë Krasniqi.

Sipas tij, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar duhet ta hetojë rastin, duke hapur procedura disiplinore kundër sportistit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco