Jordania përgatitet për martesën mbretërore të Princit të Kurorës

Jordania përgatitet për martesën mbretërore të Princit të Kurorës

15:46, 31/05/2023
A+ Aa A-

Jordania po përgatitet për martesën mbretërore të Princit të Kurorës Hussein i cili do të martohet me një arkitekte të arsimuar në SHBA.

Princi 28-vjeçar i shkolluar në Sandhurst të Anglisë do të martohet me Rajwa Alseif, 29 vjeç, në Pallatin Zahran, vend ku u martuan edhe babai i tij Mbreti Abdullah II dhe gjyshi i tij, mbreti i ndjerë Husein.

Ceremonia e së enjtes pritet të përfshijë disa nga karakteristikat e ceremonive të mëparshme, duke përfshirë një autokolonë me makina Land Rover të kuqe që shoqërojnë çiftin nëpër rrugët e kryeqytetit Aman pas ceremonisë.

Në ceremoni do të marrë pjesë Zonja e Parë e SHBA-së Jill Biden, së bashku me anëtarët e familjeve mbretërore nga e gjithë bota, duke përfshirë Mbretin dhe Mbretëreshën e Holandës.

Festimet nisën javën e kaluar me një festë me këna për zonjën Alseif, të organizuar nga mbretëresha e Jordanisë Rania dhe ku morën pjesë qindra gra.

Mijëra jordanezë ndoqën një koncert falas në Aman të hënën. Interpretuesit përfshinin këngëtarë të njohur arabë, duke përfshirë Tamer Hosny të Egjiptit.

Rajwa Alseif, nga Arabia Saudite, ka një diplomë në arkitekturë nga Universiteti i Syracuse në New York dhe ka jetuar dhe punuar në Los Angelos.

Babai i saj është themelues i një prej firmave më të mëdha inxhinierike të Arabisë Saudite dhe nëna e saj është e afërme e mbretit saudit Salman.

Bashkëshorti i saj i ardhshëm u emërua zyrtarisht trashëgimtar i fronit në vitin 2009 në moshën 15-vjeçare.

Ai u diplomua në Universitetin Georgetown për histori ndërkombëtare në vitin 2016 dhe në Akademinë Mbretërore Ushtarake Britanike në Sandhurst një vit më vonë.

Ai mban gradën e kapitenit në ushtrinë jordaneze dhe ka më shumë se katër milionë ndjekës në Instagram.

Pallati mbretëror nuk ka treguar se si janë njohur çifti apo ndonjë detaj rreth lidhjes së tyre.

Ata u fejuan zyrtarisht në një ceremoni tradicionale myslimane në kryeqytetin saudit, Riad, në gusht 2022, ku morën pjesë anëtarë të lartë të familjes mbretërore të Jordanisë.

Ceremonia dhe festimet shihen si një mënyrë për të treguar mbështetjen publike gjatë një kohe të vështirësive të vazhdueshme ekonomike në vend.

Nusja dhe dhëndri janë të destinuar të bëhen një çift i fuqishëm në Lindjen e Mesme, duke krijuar një lidhje të re midis Jordanisë dhe Arabisë Saudite, ndërsa kjo e fundit kërkon të transformohet në një ndërmjetëse fuqie rajonale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco