Greva masive dhe protesta pushtojnë Francën kundër reformës së pensioneve të Macron

Greva masive dhe protesta pushtojnë Francën kundër reformës së pensioneve të Macron

13:13, 23/03/2023
A+ Aa A-

Sindikatat franceze po zhvillojnë të enjten demonstratat e tyre të para masive që kur Presidenti Emmanuel Macron ndezi zemërimin e publikut duke imponuar rritjen e moshës së pensionit në parlament pa votim.

Grevat po ndërpresin udhëtimet dhe priten bllokada në porte, rafineri dhe vendgrumbullime mbeturinash.

Dhuna është intensifikuar ditët e fundit në protestat e shpërndara kundër reformës së pensioneve dhe udhëheqjes së Macron.

Në Marsejë, kreu i partisë së majtë Insoumis, Jean-Luc Mélenchon u bëri thirrje protestuesve të qëndrojnë të qetë sot.

“Udhëzimi i parë është që secili të ruajë gjakftohtësinë e tij, por të mos e lërë veten të frikësohet në asnjë mënyrë”, tha ai, duke denoncuar Emmanuel Macron se përdor “strategjinë e paralizës, të provokimit dhe kaosit”.

Duke u bërë thirrje të gjithëve "të hedhin të gjithë forcën e tyre në betejë" kundër reformës së pensioneve, Mélenchon bëri shaka me ata që dërdëllisin për gjoja dhunë të demonstruesve.

“Nuk ka dhunë në lëvizjen që po përjetojmë dhe që aty-këtu digjen katër apo pesë kosha plehrash nuk është asgjë në krahasim me atë që kemi parë në të kaluarën”.

Macron po i reziston me kokëfortësi pakënaqësisë në rritje në rrugët e Francës, duke thënë të mërkurën se projektligji i pensioneve për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 64 vjeç duhet të zbatohet deri në fund të vitit.

Kritikët e sulmuan Macron për komentet, duke e përshkruar atë si "të vetëkënaqur", "jashtë realitetit" dhe "fyes".

Komentet e presidentit të mërkurën ishin të parat e tij që kur qeveria e imponoi ligjin e pensioneve përmes parlamentit javën e kaluar për mungesë të mbështetjes së mjaftueshme. Qeveria më pas i mbijetoi dy votave të mosbesimit në Dhomën e Ulët të parlamentit të hënën.

Projektligji tani duhet të kalojë një rishikim nga Këshilli Kushtetues i Francës përpara se të bëhet ligj.

Presidenti 45-vjeçar i qendrës, në mandatin e tij të dytë dhe të fundit, tha vazhdimisht se ishte i bindur se sistemi i pensionit i Francës duhej modifikuar për ta mbajtur të financuar. Kundërshtarët propozojnë zgjidhje të tjera duke përfshirë taksa më të larta për të pasurit ose kompanitë, të cilat Macron thotë se do të dëmtojnë ekonominë.

Të enjten, Ministria e Arsimit vlerësoi se rreth 20% e mësuesve janë në grevë -- sindikatat pretendojnë se është afër 50% -- ndërsa Autoriteti i Aviacionit Civil të Francës po u kërkon kompanive ajrore të anulojnë 30% të fluturimeve të tyre në aeroportin Paris-Orly dhe 20% të fluturimeve në aeroportet e tjera franceze për shkak të grevës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco