Kievi dhe Moska, deklarata kontradiktore mbi shpërthimin në Dzhankoi të Krimesë

Kievi dhe Moska, deklarata kontradiktore mbi shpërthimin në Dzhankoi të Krimesë

16:21, 21/03/2023
A+ Aa A-

Zyrtarët rusë dhe ukrainas bënë deklarata kontradiktore të martën lidhur me një sulm ndaj një treni që transportonte raketa ruse, të cilat po dërgoheshin në gadishullin e pushtuar ukrainas, në Krime.

Një zëdhënëse e ushtrisë ukrainase tha se Kievi qëndronte pas shpërthimit që ndodhi të hënën në mbrëmje, që sipas njoftimeve, shkatërroi disa raketa Kalibr, pranë qytetit Dzhankoi në veri të Krimesë, po pa dhënë më shumë detaje.

Zëdhënësja e komandës operacionale jugore të Ukrainës Natalia Humeniuk, e cilësoi sulmin si një sinjal për Rusinë se duhet të largohet nga Krimeja, rajon të cilin Moska e pushtoi në vitin 2014.

Në një deklaratë të paqartë të agjencisë ushtarake ukrainase të zbulimit të hënën thuhej se ishin shkatërruar një numër i madh raketash për nëndetëse, që po transportoheshin me tren, por pa thënë qartë se Ukraina ishte përgjegjëse apo se çfarë arme ishte përdorur për sulmin.

Megjithatë, agjencia la të kuptohej se Kievi qëndronte pas shpërthimit, duke thënë se kjo ngjarje nxit "procesin e çmilitarizimit të Rusisë dhe po përgatit çlirimin e Krimesë, një gadishull i Ukrainës.

Por autoritetet e instaluara nga Moska në Krime ofruan të martën një version tjetër mbi ngjarjen, duke thënë se dronët ukrainas kishin sulmuar objektet civile në Dzhankoi. Sergei Aksenov, zyrtari i lartë i emëruar nga Kremlini në Krime, tha se sulmi la një civil të plagosur, por nuk shkaktoi dëme serioze.

Këshilltari i zotit Aksenov, Oleg Kryuchkov, hodhi poshtë pretendimet e Kievit dhe tha se dronët ukrainas kishin shënjestruar zonat e banuara dhe jo hekurudhën. Igor Ivin, kreu i administratës lokale në Dzhankoi, tha se sulmi dëmtoi linjat e energjisë elektrike, një shtëpi, një dyqan dhe një ndërtesë kolegji. Njoftime të pakonfirmuara në median sociale që qarkulluan të hënën vonë në mbrëmje bënë të ditur se sistemet kundërajrore të Rusisë kishin rrëzuan një numër të madh dronësh mbi Krime. Megjithatë asnjë prej deklaratave apo njoftimeve nuk mund të verifikohej nga burime të pavarura.

Prej fillimit të luftës, ka patur njoftime për sulme ndaj bazave ushtarake ruse dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Krime, por Ukraina ndonëse i përshendet ato, rrallë herë merr përgjegjësinë në mënyrë të qartë./ VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco