Belgjikë, alarm për sulm terrorist në metronë e Brukselit

Belgjikë, alarm për sulm terrorist në metronë e Brukselit

15:07, 08/03/2023
A+ Aa A-

Një e-mail kërcënues në gjuhen ruse në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, alarmoi autoritetet.  Mediat lokale raportuan se Komisioni Evropian (KE) kontaktoi policinë pasi mori një email në gjuhën ruse se është planifikuar një sulm në metronë e Brukselit më 8 mars.

Megjithëse e-maili nuk erdhi nga një burim i besueshëm, Prokuroria e Përgjithshme e Brukselit nisi hetimet. Policia Federale Hekurudhore Belge ka kryer kontrolle në metro gjatë natës dhe ka shtuar patrullimet.

Një nga gazetat me tirazhin më të madh në vend “Le Soir” raportoi se e-maili përmbante kërcënime se sulmi mund të kryhet midis stacioneve Yser dhe Rogier në metronë e Brukselit.

Po ashtu u konstatua se personi, i cili ka deklaruar në email se ishte rus, ka kontaktuar dy herë me KE-në, herën e parë më 16 shkurt dhe më pas më 3 mars. Në e-mailin e 3 marsit thuhej se “dua të paralajmëroj se ndërsa BE-ja vazhdon politikën e saj agresive, në territorin e Unionit do të fillojnë sulmet masive terroriste”.

Më poshtë thuhet se më 8 mars, metroja në Bruksel do të hidhej në erë.

Edhe pse ende nuk ka prova, autoritetet vazhdojnë të jenë në gatishmëri të lartë.

Në mars 2016, të paktën 32 persona humbën jetën dhe 340 të tjerë u plagosën në sulmet me bomba në aeroportin e Brukselit dhe stacionin e metrosë Maalbeek në qendër të qytetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco