Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Rama arreston drejtorët e Veliajt

Rrëfimi prekës i sirianit që gërmon, duke shpresuar të gjejë gjallë ndonjërin prej 30 të afërmve

Rrëfimi prekës i sirianit që gërmon, duke shpresuar të gjejë gjallë ndonjërin prej 30 të afërmve

18:55, 08/02/2023
A+ Aa A-

Malek Ibrahim doli nga shtëpia e tij pasi tërmeti goditi Sirinë dhe mendoi se mund të merrte frymë i lehtësuar. Por 30 të afërm mbetën ende të pagjetur diku tjetër.

Për dy ditët e fundit, Ibrahimi ka ‘gërmuar’ rrënojat edhe me duar teksa kërkon për anëtarët e familjes që supozohet se mbetën aty kur tërmeti vdekjeprurës i së hënës goditi Sirinë dhe Turqinë, shkruajnë mediat e huaja.

Deri më tani, ai ka arritur të nxjerrë 10 trupa, të ndihmuar nga banorët dhe shpëtimtarët në Besnaya, një fshat në veriperëndim në kufirin turk, i cili u godit rëndë nga fatkeqësia.

Xhaxhai i tij, kushëriri i tij dhe familjet e tyre ishin të bllokuar nën rrënojat.

‘E gjithë familja është zhdukur’, ka thënë 40-vjeçari i mbuluar nga dheu, shkruan France24.

Ai, gruaja dhe fëmijët e tij arritën të dilnin të gjallë nga shtëpia e tyre në qytetin e Idlib.

Por ai tha se kishte pak shpresë se ndonjë nga anëtarët e familjes së tij të gjerë të ngujuar nga ndërtesa e shembur në Besnaya kishte mbijetuar.

‘Sa herë që nxjerrim një trup, më kujtohen kohët e bukura që kemi kaluar së bashku’, rrëfen ai, duke qarë, ndërsa përdorte një kazmë për të hequr akoma më shumë rrënoja.

Grumbuj rrënojash tani janë shpërndarë nëpër një peizazh dikur të qetë dhe idilik të mbushur me pemë ulliri. ‘Dikur argëtoheshim dhe bënim shaka, por kurrë më… Nuk do t’i shoh më kurrë’.

Tërmeti vrau më shumë se 11,700 njerëz, duke përfshirë më shumë se 2,600 në Sirinë e shkatërruar nga lufta.

Kur tërmeti me magnitudë 7.8 goditi në agimin e së hënës, Ibrahimi, gruaja dhe tetë fëmijët e tij u larguan nga shtëpia e tyre në Idlib, në veriperëndim, të kontrolluar nga rebelët.

Ata ishin zhvendosur atje nga pjesa jugore e provincës pas dhunës në luftën e gjatë të Sirisë, e cila ka vrarë rreth gjysmë milioni njerëz dhe ka zhvendosur miliona të tjerë që nga viti 2011.

Familja e Ibrahimit qëndroi jashtë në rrugë për orë të tëra, ndërsa dhjetëra ndërtesa u rrëzuan përtokë.

Sapo dëgjoi se ndërtesa e familjes së tij në Besnaya ishte shembur, ai nxitoi duke shkuar larg rreth 40 kilometra (25 milje) nga qyteti i Idlibit.

‘Një popull i dënuar’

 ‘Gërmojmë pa bërë gjumë, duke shpresuar se dikush mund të jetë gjallë’, thotë ai, ndonëse me zemër e di se shanset për këtë janë të pakta. ‘Është një ndjenjë që nuk mund ta përshkruaj, një tragjedi’, thotë ai. ‘Ne jemi një popull i dënuar në çdo kuptim të fjalës’.

Tërmeti rrafshoi blloqe të tëra ndërtesash në Besnaya.

Dhjetëra banorë dhe shpëtimtarë u mblodhën në majë të rrënojave, duke gërmuar nëpër rrënoja dhe duke thirrur të mbijetuarit e mundshëm poshtë, me shpresën se dikush do të përgjigjet.

Ata kanë qarë nga gëzimi kur kanë shpëtuar një të mbijetuar dhe kanë ngushëlluar familjet që presin me ankth lajmin për të afërmit e bllokuar.

Rreth 20 kilometra në jug, në fshatin Ramadiya, Ayman Diri qau ndërsa kërkonte vëllanë dhe tetë nipërit e tij në rrënoja. Pasi gërmuan për orë të tëra, ekipet e shpëtimit nxorën jashtë trupin e nipit të tij 12-vjeçar.

Diri tha se nuk pranoi të hiqte dorë nga shpresa se dikush mund të ishte gjallë, veçanërisht pasi arriti të shpëtonte të tjerët të bllokuar nën ndërtesën e shembur me ndihmën e shpëtimtarëve.

 

‘Gjithçka që mund të bëjmë është të shpresojmë për më të mirën… megjithëse mund të shohim gjendjen e ndërtesës’, tha ai, duke vështruar pllakat e betonit të pluhurosura.

‘Zoti e mëshiroftë vëllanë tim, qoftë i gjallë apo i vdekur’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco