Pas Gjermanisë edhe Biden SHBA thotë se nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë

Pas Gjermanisë edhe Biden SHBA thotë se nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë

11:00, 31/01/2023
A+ Aa A-

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë avionë luftarakë F-16 në Ukrainë, edhe pse presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Franca nuk e përjashton dërgimin e tyre nëse plotësohen disa kushte.

Biden u përgjigj "jo" në pyetjen e gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë nëse ai ishte në favor të dërgimit të tyre.

Macron u pyet më 30 janar në një konferencë të përbashkët shtypi në Hagë me kryeministrin holandez, Mark Rutte, nëse Franca po shqyrtonte dërgimin e avionëve luftarakë. "Asgjë nuk është e përjashtuar, por disa kushte duhet të plotësohen së pari", tha ai, pa dhënë më shumë detaje.

Ukraina do të duhet të kërkojë zyrtarisht avionët, tha Macron, i cili pritet të takohet me ministrin ukrainas të Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, në Paris më 31 janar.

Rutte tha se Ukraina nuk kishte kërkuar zyrtarisht avionë luftarakë F-16 nga Holanda dhe aktualisht "nuk flitet për dërgimin e F-16 në Ukrainë. Nuk ka asnjë kërkesë".

Ministri i Jashtëm holandez, Wopke Hoekstra, u tha ligjvënësve në fillim të këtij muaji se nuk kishte "asnjë tabu" për dërgimin e avionëve luftarakë.

Ndërkohë në Berlin, ambasadori ukrainas në Gjermani tha se Kievi nuk i kishte kërkuar ende Gjermanisë t'i furnizonte me avionë luftarakë, por vuri në dukje se sa të rëndësishëm do të ishin ata.

Avionët luftarakë janë pjesë e përpjekjeve të Ukrainës për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore dhe për t'u mbrojtur kundër raketave të lëshuara në qytetet dhe infrastrukturën e Ukrainës, tha Oleksiy Makeyev për transmetuesin Deutsche Welle.

Komentet e tij erdhën pasi kancelari gjerman, Olaf Scholz, përsëriti më 29 janar se Gjermania nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë.

Scholz u pajtua javën e kaluar për të dërguar 14 tanke Leopard 2 në Ukrainë dhe për të lejuar vendet e tjera evropiane të dërgonin të tyret, pas disa javësh debat intensiv dhe presion në rritje nga aleatët.

Pas këtij vendimi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Pesckov, tha se vendimet e Perëndimit, përfshirë edhe dërgimin e tankeve, po krijojnë një situatë “shumë, shumë të tensionuar” të sigurisë në Evropë dhe për botën në përgjithësi.

Ukraina ka muaj që kërkon tanke luftarake, për të luftuar forcat ruse që e kanë nisur luftën në këtë shtet.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, beson se rreth 300 tanke do të ndihmonin në mposhtjen e Rusisë.

Polonia, Spanja, Finlanda, Holanda dhe Norvegjia dhe disa shtete të tjera pritet të dërgojnë tanket e tyre Leopard në Ukrainë./ REL/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco