Bisedimet me Kievin për avionët luftarakë mund të dëmtojë unitetin perëndimor

Bisedimet me Kievin për avionët luftarakë mund të dëmtojë unitetin perëndimor

10:58, 31/01/2023
A+ Aa A-

Kiev, Ukrainë - Mundësia për t’i siguruar Kievit, avionë luftarakë për mposhtjen e forcave pushtuese të Rusisë po rrezikon unitetin e aleatëve perëndimorë të Ukrainës, mes frikës për përshkallëzimin e konfliktit gati njëvjeçar dhe për t'u përfshirë më thellë në luftë.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksii Reznikov ishte në Paris të martën ku pritej që në axhendën e bisedimeve zyrtare të ishte dorëzimi i mundshëm i avionëve luftarakë në Ukrainë.

Zyrtarët e Kievit u kanë kërkuar vazhdimisht aleatëve që të dërgojnë avionë, duke thënë se ato janë thelbësore për të sfiduar epërsinë ajrore të Rusisë dhe për të siguruar suksesin e kundërsulmimeve të ardhshme që mund të drejtohen nga tanket e premtuara kohët e fundit nga vendet perëndimore.

Si Ukraina ashtu edhe Rusia besohet se po mbushin arsenalet e tyre për një ofensivë të pritshme në muajt e ardhshëm. Lufta ka qenë kryesisht e bllokuar në fushën e betejës gjatë dimrit.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të hënën se Franca nuk e përjashton dërgimin e avionëve luftarakë në Ukrainë, por ai parashtroi kushte të shumta përpara se të ndërmerret një hap kaq i rëndësishëm.

Kushtet, tha ai, kërkojnë që të mos çohet në një përshkallëzim të tensioneve ose përdorim të avionit "për të prekur tokën ruse" dhe të mos rezultojnë në dobësimin e "kapaciteteve të ushtrisë franceze".

Ai tha gjithashtu se Ukraina duhet gjithashtu të kërkojë zyrtarisht avionët, diçka që mund të ndodhë, pasi Reznikov të ulet për bisedime në Paris.

Pas disa muajsh debatesh, autoritetet ukrainase javën e kaluar i bindën aleatët perëndimorë që të dërgonin tanket. Ky vendim erdhi pavarësisht hezitimit dhe kujdesit të disa anëtarëve të NATO-s, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë.

I pyetur nga një gazetar të hënën nëse qeveria e tij po shqyrtonte dërgimin e avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë, presidenti i SHBA, Joe Biden, u përgjigj "jo".

Zëvendës-këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Bidenit, Jon Finer, tha në një intervistë për MSNBC javën e kaluar se SHBA do të diskutonte për avionët luftarakë "me shumë kujdes" me Ukrainën dhe aleatët.

Kancelari Olaf Scholz u duk se nuk e pranoi mundësinë e sigurimit të avionëve luftarakë.

Kryeministri holandez Mark Rutte tha të hënën se nuk ka "asnjë tabu" në përpjekjet për të ndihmuar Ukrainën. Por ai shtoi se dërgimi i avionëve "do të ishte një hap tjetër shumë i madh".

Ashtu si në debatet e mëparshme rreth asaj se si të ndihmojë Ukrainën, Polonia është një avokat kryesor në Bashkimin Evropian për ofrimin e ndihmës ushtarake. Polonia, Sllovakia dhe vendet baltike në krahun lindor të NATO-s ndjehen veçanërisht të kërcënuara nga Rusia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco