‘Restorantet luksoze, pika takimi për mafien ruse’, Turqia ngre alarmin: Përplasjet mes klaneve kanë marrë rreth 50 jetë në Ballkan

‘Restorantet luksoze, pika takimi për mafien ruse’, Turqia ngre alarmin: Përplasjet mes klaneve kanë marrë rreth 50 jetë në Ballkan

10:50, 31/01/2023
A+ Aa A-

Turqia duket se është kthyer në një strehë të sigurt për organizatat kriminale. Në një artikull të publikuar së fundmi, mediat e huaja shkruajnë se shtrirja e bandave mafioze në Turqi ka ngritur alarmin në rajon e më gjerë.

Përplasjet e përgjakshme mes banditëve të huaj kanë qenë në rritje në Turqi, duke nxitur kritikat se legjislacioni i dobët dhe veprimi i papërshtatshëm në terren e kanë bërë vendin një strehë të sigurt për bosët e krimit.

Ndonëse ministri i Brendshëm Suleyman Soylu ka deklaruar se policia turke ka qenë shumë e suksesshme kundër rrjeteve mafioze, skeptikët, besojnë se grupet e goditura janë kryesisht “peshq të vegjël”, duke pasur parasysh se prania e kriminelëve të mëdhenj të huaj në vend shpesh del në dritë si rezultat i konflikteve mes bandave dhe jo si rezultat i ndjekjeve të policisë.

Në një nga vrasjet e profilit më të lartë, Jovan Vukotiç, kreu i bandës famëkeqe të drogës Skaljari të Malit të Zi, u qëllua në makinën e tij në qendër të Stambollit në shtator nga dy vrasës me motoçikletë.

Anëtarët e një klani rival, Kavac, dhe bashkëpunëtorët e tyre turq akuzohen për vrasjen.

Mosmarrëveshja midis klaneve Skaljari dhe Kavac besohet se ka marrë të paktën 50 jetë në të gjithë Ballkanin që nga viti 2015, duke e shtyrë Vukotiçin të zhvendoset nga Mali i Zi në Turqi. 

Vukotiç ishte arrestuar në Antalia të Turqisë në vitin 2018 përpara se të deportohej në Serbi dhe më pas në Mal të Zi, ku kaloi një periudhë pas hekurave.

Cengiz Erdinc, një gazetar turk ka deklaruar se restorantet luksoze në Stamboll dhe Antalia janë bërë pika takimi të mafies rusishtfolëse, ku përfshihen bandat ruse, gjeorgjiane, azerbajxhanas dhe të tjera, jo vetëm për të diskutuar vendime të rëndësishme, por edhe për ritualet për të “kurorëzuar” mafiozët e vjetër.

Sipas Erdinc, një hakmarrje e vazhdueshme midis bandave dikur aleate kaukaziane ndiqet në një mosmarrëveshje rreth pozicioneve drejtuese në një takim të vitit 2003 në Stamboll.

Sipas shkrimtarit të ekonomisë Bahadir Ozgur, Turqia është bërë tërheqëse për bosët e krimit sepse është relativisht e lehtë për ta të hyjnë në vend dhe të marrin leje qëndrimi, të nxisin lidhjet me njerëzit në burokraci, policinë dhe politikën me kosto të ulëta dhe të krijojnë kompani me partnerët lokalë për të pastruar paratë.

Ai kujtoi se Turqia ofron shtetësi për të huajt që do të investonin vetëm 400,000 dollarë në pasuri të paluajtshme, duke vënë në dukje gjithashtu një ligj të futur disa vite më parë që lehtësonte hyrjen e parave me origjinë të panjohur në Turqi.

“Karakteri i qeverisë i bën gjërat më të lehta,” tha Ozgur, duke shtuar se Turqisë i mungojnë marrëveshjet për ekstradimin e kriminelëve me shumë vende dhe shpesh zbaton në mënyrë arbitrare ato ekzistuese.

“Mafia rusisht-folëse, në veçanti, e sheh Turqinë si një strehë të sigurt,” tha Ozgur, duke vënë në dukje se një goditje e intensifikuar ndaj trafikantëve të drogës në Evropë dhe dënimet e ashpra në Rusi po i çonin bosët e krimit në Turqi.

Kriminelët nga Ballkani kanë qenë në gjendje të hyjnë në Turqi me pasaporta të falsifikuara maqedonase edhe pasi Maqedonia e Veriut shkatërroi një rrjet të falsifikimit të pasaportave që përfshinte policë në vitin 2021, tha Ozgur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco