Lajmi i fundit

Vendimi/ Reagon kryetari i PD-së, Sali Berisha: Mesazh për anëtarët dhe mbështetësit e PDSH

‘Po luftojmë edhe për lirinë tuaj’/ Zelensky pushton zemrat e amerikanëve

‘Po luftojmë edhe për lirinë tuaj’/ Zelensky pushton zemrat e amerikanëve

11:19, 22/12/2022
A+ Aa A-

Nga Heiko Roloff, BILD

Ai erdhi, foli dhe bindi!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u largua nga vendi i tij për herë të parë që nga pushtimi rus. Destinacioni i udhëtimit të tij të përgatitur në mënyrë sekrete: kryeqyteti amerikan Uashington. Fillimisht në Shtëpinë e Bardhë, më pas në Kapitol.

Mbrëmë, pas një bisede kokë më kokë me presidentin amerikan, Joe Biden, ai foli përpara Kongresit amerikan. Por fjalimi i tij, i cili u transmetua drejtpërdrejt nga të gjitha kanalet e lajmeve, nuk kishte për qëllim vetëm senatorët dhe deputetët e fuqisë më të madhe ushtarake në botë. Ishte gjithashtu një thirrje për popullin amerikan.

Në orën 19:37 me orën lokale, kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, trokiti në tryezën e saj me çekiç. Pastaj një zë jehoi: “Zonja dhe zotërinj, presidenti i Ukrainës”.

Zelensky eci drejt foltores me një veshje kamuflazhi jeshile. Politikanët me kostume i shtrëngonin duart dhe i përkëdhelnin supet. Pati duartrokitje të forta.

Vizita e tij në fakt ishte e diskutueshme. Ndërsa presidenti Biden ishte zotuar se SHBA do të qëndrojë pranë Ukrainës për sa kohë të jetë e nevojshme, shumë republikanë ishin distancuar nga Kievi. Në maj, 57 deputetë konservatorë dhe 11 senatorë votuan kundër një paketë ndihme prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën.

Prandaj pyetja që varej mbi fjalimin e Zelensky-t ishte: a mund t’i bindë ai skeptikët e Amerikës?

Dhe ai ia doli.

Ukrainasi vuri dorën në zemër, u përkul dhe vazhdoi të thoshte: "Faleminderit, faleminderit". Më pas arriti te pika kulmore: pushtimi i vendit të tij nga Rusia.

“Përkundër të gjithë skenarëve apokaliptikë, Ukraina nuk ra. Ukraina është gjallë dhe mirë,” tha ai, duke marrë ovacione të forta nga të dyja palët.

Zelensky foli në anglisht. Ai dukej i ngurtë, teksa lexonte nga letra. Por kjo ngathtësi e dukshme e bëri atë më të pëlqyeshëm. Nuk dukej si një lexim profesional mbi telepromter, por si një qytetar normal.

Kjo nuk e ndryshoi fuqinë e tij të të folurit, sigurinë e tij për fitoren dhe përbuzjen për regjimin e Vladimir Putinit. Disa shembuj:

-“Tirani rus e ka humbur kontrollin mbi ne. Ukrainasit nuk kanë frikë- dhe askush në botë nuk duhet të ketë frikë”.

-“Rusët kanë më shumë raketa dhe avionë se ne. Por forcat tona mbrojtëse janë në këmbë. Ukraina nuk do kapitullojë kurrë”.

-“Ne nuk kërkuam kurrë që ushtarët amerikanë të luftojnë në vendin tonë. Ju siguroj, ushtarët tanë mund të përdorin tanket dhe avionët amerikanë në mënyrë të përsosur".

Një mesazh i rëndësishëm për nënat dhe baballarët e Amerikës! Ne nuk duam jetën e fëmijëve tuaj, duam vetëm armët tuaja.

Megjithatë, ukrainasi nuk dështoi të thërriste amerikanët në detyrë. Ai theksoi se Ukraina nuk po lufton vetëm për lirinë e saj, por edhe për atë të Perëndimit. Prandaj, ndihma financiare është një ‘investim për sigurinë dhe demokracinë globale’.

Ai gjithashtu vuri në dukje aleatin e Rusisë në kohën e luftës- Iranin. Një terrorist ndihmon tjetrin. Dhe është vetëm çështje kohe përpara se Irani të sulmojë SHBA-të, profetizoi ukrainasi, dhe kërkoi: “Prandaj duhet t’i ndalojmë tani”. Përsëri u dëgjuan duartrokitje.

Në fund, ai u uroi amerikanëve dhe ukrainasve një vit të ri të lumtur dhe fitimtar.

Siç tha kryetari i fuqishëm i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell: “Gjëja më e rëndësishme në botë për momentin është të mundim rusët në Ukrainë. Për fat të mirë, ata kanë një lider që të gjithë mund ta shikojnë dhe admirojnë”.

Dhe më pas këto fjalë: “Është bukur të kemi diçka për të cilën të gjithë mund të biem dakord në fund të vitit”.

E thënë më qartë: Udhëtimi i rrezikshëm i Zelensky-t në SHBA ishte një sukses i plotë. Kalimi i paketës së planifikuar prej 50 miliardë dollarësh të Joe Biden për Ukrainën tani është thjesht një formalitet.

Plani i Zelensky për të udhëtuar në Uashington, në vend të Berlinit, Parisit, Londrës apo Brukselit gjithashtu dha rezultat. Jo vetëm sepse amerikanët po furnizojnë më shumë para dhe më shumë armë se kushdo tjetër, por edhe sepse tani do t’i kërkojnë llogari Evropës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco