Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ 'Divorci' Meta - Kryemadhi

Gjermani: Mes të arrestuarve është edhe babai i të dashurës së David Alabas

Gjermani: Mes të arrestuarve është edhe babai i të dashurës së David Alabas

11:00, 10/12/2022
A+ Aa A-

Detaje të reja të përpjekjes së ekstremistëve të krahut të djathtë për të kryer një grusht shteti në Gjermani kanë dalë në sipërfaqe. Gjegjësisht, u zbulua se në mesin e të arrestuarve ishte një shef i njohur kuzhine, vajza e të cilit është e dashura e futbollistit të Real Madridit, David Alaba, dhe një ish-oficer policie i cili ishte përgjegjës për mbrojtjen e komunitetit hebrenj nga sulmet terroriste.

Shefi i kuzhinës, Frank Hepner u arrestua më 7 dhjetor në një hotel me pesë yje në vendpushimin austriak të skive, Kitzbuhel. Ai dyshohet se ishte anëtar i shtabit komandues të degës ushtarake të grupit të ekstremit të djathtë Reichsbürger (Qytetarët e Rajhut), të cilin qeveria e cilësoi si terrorist.

Pretendohet se ai ishte përgjegjës për rekrutimin e anëtarëve të rinj, për blerjen e armëve dhe pajisjeve të tjera, si dhe për ndërtimin e infrastrukturës së komunikimit dhe IT. Përveç kësaj, besohet se ai ishte i ngarkuar me sigurimin e ushqimeve për anëtarët e të ashtuquajturit ushtrisë së re gjermane, raporton theguardian.

Gazeta austriake Die Presse, duke cituar pretendimet e hetuesve, raportoi se 62-vjeçari Hepner supozohej të ishte kuzhinieri personal i Princit Heinrich XIII, i cili u vendos si mbret i mbretërisë së vetëshpallur gjermane. Sipas hetuesve, Hepner siguroi para, pajisje gatimi, një kamping dhe një gjenerator për qëllime emergjente, transmeton Telegrafi.

Vajza e tij 28-vjeçare Shalimar ka një djalë me futbollistin Alaba, i cili është anëtar i kombëtares austriake, i cili ka lindur në vitin 2019. Alaba nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve austriakë dhe gjermanë.

Ish-oficeri i policisë Michael Fritsch u arrestua me partneren e tij, Melanie Ritter pranë Hannoverit. 58-vjeçari u pezullua në vitin 2020 pasi mori pjesë në protesta nga ata që besojnë se coronavirusi nuk ekziston. Ai kishte kandidat për deputet nga partia DieBasis, e cila doli nga lëvizja Querdenker. Kjo lëvizje mohon ekzistencën e coronavirusit. Fritsch ka apeluar pezullimin, i cili ende nuk është vendosur.

Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa für Deutschland (Alternativa për Gjermaninë) është distancuar nga ish-anëtarja, Birgit Malsak-Winkemann, një gjyqtare e cila gjithashtu u arrestua më 7 dhjetor në shtëpinë e saj në pjesën perëndimore të Berlinit. Pretendohet se ajo ishte ndër personat kyç që planifikuan grushtin e shtetit dhe se synonte të bëhej Ministre e Drejtësisë pas grushtit të shtetit.

Malsak-Winkemann, i cili ishte gjithashtu një parlamentar, dyshohet se i dha degës ushtarake të Qytetarëve të Rajhut informacione të rëndësishme logjistike se si të futeshin në Reichstag, ndërtesa e parlamentit.

Gazeta Der Spiegel raportoi se pistoleta nëntë milimetra, shpata, thika, armë trullosëse, helmeta, pajisje për shikim natën dhe armë policie ishin midis sendeve të sekuestruara. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco