Çmimet e naftës rriten me afrimin e hyrjes në fuqi të kufirit për naftën e papërpunuar ruse

Çmimet e naftës rriten me afrimin e hyrjes në fuqi të kufirit për naftën e papërpunuar ruse

08:57, 05/12/2022
A+ Aa A-

Çmimet e naftës janë rritur pasi prodhuesit kryesorë ranë dakord të vazhdojnë të ulin prodhimin dhe G7 me aleatët e saj ranë dakord për të kufizuar çmimin e naftës ruse.

Nafta e papërpunuar Brent u rrit me rreth 0.6%, mbi 86 dollarë për fuçi, mëngjesin e së hënës.

Të premten, grupi G7 ra dakord që ta kufizojë çmimin e naftës ruse në 60 dollarë për fuçi për të rritur presionin ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Ndërkohë, grupi i prodhuesve të naftës Opec+ tha në fundjavë se do t'i përmbahet politikës së tij për uljen e prodhimit.

Opec+ është një grup prej 23 vendeve eksportuese të naftës,  përfshirë Rusinë, i cili mblidhet rregullisht për të vendosur se sa naftë bruto do të shesë në tregun botëror.

"Ky vendim i OPEC+ për të mbajtur kuotën aty ku është... është në vetvete një lloj mbështetjeje e nënkuptuar për tregun e naftës," i tha BBC-së, Kang Ëu i “S&P Global Commodity Insights”.

Analistët thanë se çmimet e naftës ishin rritur gjithashtu nga lehtësimi i kufizimeve të Covid në disa qytete kineze, gjë që mund të çojë në një rritje të kërkesës për naftë.

Të tjera qytete në Kinë, përfshirë Urumqi në veriperëndim, kanë thënë se do të çlirojnë kufizimet pas protestave masive kundër politikës zero të vendit për Covid.

Kufiri i çmimit

Në një deklaratë të përbashkët javën e kaluar, G7 dhe Australia thanë se kufiri prej 60 dollarësh për naftën ruse do të hyjë në fuqi të hënën ose "shumë shpejt pas kësaj".

Ata thanë se masa kishte për qëllim "të parandalonte Rusinë që të përfitonte nga agresioni kundër Ukrainës".

Kufiri i çmimit do të thotë se vetëm nafta ruse e blerë për më pak se 60 dollarë për fuçi do të lejohet të transportohet, duke përdorur cisternat e G7 dhe BE-së, kompanitë e sigurimeve dhe institucionet e kreditit.

Kjo mund ta bëjë të vështirë për Moskën që të shesë naftën e saj me një çmim më të lartë, sepse shumë kompani të mëdha të transportit dhe sigurimit janë me bazë brenda G7.

Rusia ka thënë se nuk do të pranojë kufirin e çmimit dhe ka kërcënuar të ndalojë eksportin e naftës në shtetet që miratojnë masat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco