Blinken:Putin nuk ka treguar asnjë shenjë se është i interesuar për bisedime

Blinken:Putin nuk ka treguar asnjë shenjë se është i interesuar për bisedime

08:41, 05/12/2022
A+ Aa A-

Uashingtoni nuk sheh shenja se Moska është e interesuar për bisedime për përfundimin e luftës në Ukrainë, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Ka gjithmonë vlerë në diplomaci nëse palët në fjalë, në këtë rast Rusia, janë të interesuara vërtetë për diplomaci kuptimplote. Dhe ajo që kemi parë, të paktën kohët e fundit, është pikërisht e kundërta,” tha Blinken për CBS News.

Blinken tha më 4 dhjetor se Putini kishte ndërruar taktikë pasi pësoi humbje në fushëbetejë, duke thënë se zemërimin e tij ai po e kthen “mbi infrastrukturën dhe civilët në Ukrainë”.

Në javët e fundit, fokusi ushtarak i Rusisë ka qenë në goditjen e infrastrukturës ukrainase në mbarë vendin, duke shtyrë ofensivë në qytetin Bakmut të rajonit Donjeck dhe granatime në qytetin Herson, të cilin forcat ukrainase e çliruan muajin e kaluar.

Më 1 dhjetor presidenti amerikan, Joe Biden, tha se është i gatshëm të bisedonte me Putinin, nëse lideri rus demonstronte se dëshironte seriozisht t’i jepte fund pushtimit.

Kjo ishte deklarata e parë e këtij lloji e presidentit amerikan që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco