Fundi i një kombi të madh në futboll

Fundi i një kombi të madh në futboll

10:07, 02/12/2022
A+ Aa A-

Nga Matthias Bruegelmann, BILD

Sigurisht që vendimi milimetrik, jashtëzakonisht i diskutueshëm në ndeshjen paralele mes Japonisë dhe Spanjës, është i hidhur. Dhe është e mundur që Spanja nuk dha gjithçka gjatë pjesës së dytë për të barazuar, sepse preferoi të kalonte në vendin e dytë.

Kjo nuk duhet ta fshehë faktin se largimi nga Kupa e Botës në raundin paraprak është një turp i madh, pavarësisht rezultatin final 4 me 2 ndaj Kosta Rikës!

Dhe për këtë përgjegjës nuk janë të tjerët, por Federata Gjermane e Futbollit, trajneri i kombëtares dhe lojtarët e kombëtares. Askush tjetër!

Në këtë 1 dhjetor 2022, ne dëshmuam fundin e një kombi futbollistik dikur të madh dhe krenar.

Katër herë kampionë bote, tre herë kampionë europianë- kjo ishte njëherë e një kohë!

Realiteti brutal: eliminim nga grupi në Kupën e Botës 2018, eliminim në çerekfinalet e Kampionatit Europian 2021, eliminim nga grupi në Kupën e Botës 2022.

Gjermania është një xhuxh i futbollit!

Problemet janë më të thella sesa mund të zgjidheshin vetëm me ndryshimin e trajnerit nga Loew në Flick.

Por Flick bëri gjithashtu gabime. Ai nuk ka ndërtuar një bosht të fortë për një vit e gjysmë. Humbja 2-1 kundër Japonisë erdhi prej rreshtimeve të tij. Ai ishte shumë kokëfortë për t’iu nënshtruar dëshirës së miliona tifozëve për të nisur ndeshjen kundër Kosta Rikës me Fuellkrug në sulm. Trajneri i kombëtares duhet të mësojë shpejt nga këto gabime.

Fakti është: askush nga ne nuk është më i klasit botëror. Por askush në kampin e Federatës Gjermane të Futbollit nuk do ta pranojë këtë.

Ne jemi të lëkundur nga pas, hezitojmë përpara dhe në mes treshja Goretzka-Kimmich-Guendogan është e mbivlerësuar.

Menaxheri Bierhoff dështoi keq në pretendimin e tij për të udhëhequr futbollin gjerman përsëri në majat e botës. A është ai me të vërtetë njeriu i duhur për të udhëhequr Federatën Gjermane të Futbollit në Botërorin e shtëpisë në vitin 2024?

Së bashku me presidentin Neuendorff, Bierhoff e menaxhoi në mënyrë të mjerueshme debatin për mbajtjen e fashës ‘One Love’. Nëse të paktën do të kishim guximin të dilnim me këtë fashë krahu- atëherë miliona tifozë në Gjermani të paktën do të kishin një arsye për të qenë krenarë për kombëtaren e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco