Kina jep sinjale për lehtësim të politikave anti-Covid pas protestave popullore

Kina jep sinjale për lehtësim të politikave anti-Covid pas protestave popullore

09:14, 01/12/2022
A+ Aa A-

Kina ka sinjalizuar një ndryshim në qëndrimin e saj ndaj Covid dhe ka marrë masa për të lehtësuar disa kufizime të virusit, pavarësisht numrit të lartë ditor të rasteve.

Dhjetra qarqe në Shangai dhe Guangzhou, qytete që kanë parë raste në rritje, u liruan nga masat e bllokimit të enjten.

Zëvendëskryeministrja e vendit njoftoi gjithashtu se vendi po përballet me një "situatë të re". Kjo vjen pasi Kina pa protesta popullore masive kundër politikës së saj zero-Covid.

Trazirat u shkaktuan nga një zjarr në një bllok të lartë në rajonin perëndimor të Xinjiang që la të vdekur 10 persona javën e kaluar.

Shumë kinezë besojnë se kufizimet e gjata të Covid në qytet kontribuan në ato vdekje, megjithëse autoritetet e mohojnë këtë.

Kjo çoi në një seri protestash të gjera nëpër qytete të ndryshme dhe një pranie të madhe të policisë.

Kufizimet në qytetet kryesore si Guangzhou u hoqën të mërkurën, disa orë pasi qyteti u ngrit në protesta të dhunshme, që rezultuan në përleshje midis policisë dhe protestuesve.

Një komunitet në kryeqytetin Pekin gjithashtu lejoi që rastet e Covid me simptoma të buta të izoloheshin në shtëpi, sipas një raporti të Reuters - shumë larg protokolleve në fillim të këtij viti që detyruan ndërtesa dhe komunitete të tëra të mbylleshin, ndonjëherë vetëm për një të infektuar.

Qytetet e tjera të mëdha si Shangai dhe Chongqing gjithashtu ndienë lehtësim të disa rregullave.

Një nga zyrtarët më të lartë për pandeminë në Kinës, zëvendëskryeministrja Sun Chunlan, tha se aftësia e virusit për të shkaktuar sëmundje po dobësohej.

"Vendi po përballet me një situatë të re dhe detyra të reja në parandalimin dhe kontrollin e epidemisë, pasi patogjeniteti i virusit Omicron dobësohet, më shumë njerëz janë vaksinuar dhe është krijuar  përvojë në kontrollimin e virusit," tha ajo, sipas një raporti të Reuters.

Ky mesazh vjen në kontrast të plotë me një mesazh të mëparshëm nga autoritetet se vendi duhej të mbante një politikë strikte zero-Covid.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco