Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Vladimir Putin firmos ligjet që aneksojnë 4 rajonet e Ukrainës

Vladimir Putin firmos ligjet që aneksojnë 4 rajonet e Ukrainës

10:08, 05/10/2022
A+ Aa A-

Kiev, Ukrainë - Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar ligjet që i fusin katër rajone ukrainase në Rusi, një veprim që finalizon aneksimin e kryer në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Dokumentet u publikuan në një faqe interneti të qeverisë ruse të mërkurën në mëngjes, njofton AP.

Në fillim të kësaj jave, të dyja dhomat e parlamentit rus i ratifikuan traktatet,duke i bërë rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia - pjesë të Rusisë.

Formalitetet ishin në vazhdën e "referendumeve" të orkestruara nga Kremlini në katër rajonet që Ukraina dhe Perëndimi i kanë hedhur poshtë si mashtrime.

Nënshkrimi vjen pasi lufta e Moskës në Ukrainë ka hyrë në një fazë të re, më të rrezikshme. Rusia përballet me pengesa në rritje në fushën e betejës, me forcat ukrainase që rimarrin gjithnjë e më shumë toka në lindje dhe në jug – pikërisht në rajonet që Moska ka nxituar t’i aneksojë.

Kufijtë e territoreve që Rusia pretendon mbeten ende të paqartë, por Kremlini është zotuar të mbrojë territorin e Rusisë – rajonet e sapopërthitura gjithashtu – me çdo mjet në dispozicion, përfshirë armët bërthamore.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy iu përgjigj aneksimit duke njoftuar një aplikim të shpejtë për t'u anëtarësuar në NATO dhe duke përjashtuar zyrtarisht bisedimet me Rusinë. Dekreti i Zelenskyy, i publikuar të martën, deklaron se mbajtja e negociatave me Putinin është bërë e pamundur pas vendimit të tij për të marrë nën kontroll katër rajonet e Ukrainës.

Në fushën e betejës të mërkurën në mëngjes, shpërthime të shumta tronditën Bila Tserkva, duke shkaktuar zjarre në objekte infrastrukturore në qytetin në jug të Kievit, tha udhëheqësi rajonal Oleksiy Kuleba në Telegram.

Të dhënat e para treguan se qyteti u sulmua nga të ashtuquajturit “kamikaze” ose dron vetëvrasës, tha ai.

Bila Tserkva është rreth 80 kilometra  në jug të Kievit.

Rusia ka përdorur gjithnjë e më shumë dron kamikazë javët e fundit, një sfidë e re kjo për mbrojtësit e Ukrainës. Mjetet pa pilot mund të qëndrojnë lart për periudha të gjata kohore përpara se të hidhen mbi objektivat e tyre dhe ta shpërthejnë ngarkesën që kanë në momentin e fundit.

Shumë nga sulmet e mëparshme nga dronët e prodhuar nga Irani ndodhën në jug të vendit dhe jo pranë kryeqytetit, i cili nuk është vënë në shënjestër prej javësh.

Në një postim të mëvonshëm, Kuleba tha se gjithsej gjashtë dronë Shahed-136 goditën qytetin, një nga më të mëdhenjtë në rajon pas vetë Kievit. Një person ka mbetur i plagosur nga sulmet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco