Vizita e Emmanuel Macron në Uashington, sinjal i përmirësimit të marrëdhënieve me Biden

Vizita e Emmanuel Macron në Uashington, sinjal i përmirësimit të marrëdhënieve me Biden

09:35, 27/09/2022
A+ Aa A-

Presidenti francez Emmanuel Macron do të udhëtojë në Uashington në fillim të dhjetorit për vizitën e parë shtetërore gjatë mandatit të Presidentit Joe Biden.

Vizita e 1 dhjetorit, pas zgjedhjeve për Kongresin në SHBA dhe Ditës së Falenderimeve, do të jetë vizita e dytë shtetërore në Uashington e presidentit Macron, i cili fitoi një mandat të dytë në fillim të këtij viti. Presidenti Macron zhvilloi vizitën e tij të parë shtetërore në Uashington gjatë mandatit të Presidentit Trump, njoftoi Zeri i Amerikës.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre njoftoi vizitën të hënën, duke thënë se kjo do të "theksojë marrëdhënien e thellë dhe të qëndrueshme me Francën, aleatin tonë më të vjetër".

Kjo do të jetë hera e parë që Shtëpia e Bardhë do të presë një udhëheqës botëror për një vizitë shtetërore që nga fillimi i koronavirusit.

Ftesa shihet si një shenjë se marrëdhëniet midis zoti Biden dhe zotit Macron janë përmirësuar. Marrëdhëniet mes tyre u dëmtuan vitin e kaluar pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan një marrëveshje për t’i shitur Australisë nëndetëse bërthamore. Vendimi amerikan minoi një marrëveshje të Francës për t'i shitur Australisë nëndetëse që operojnë me naftë.

Pas njoftimit të marrëveshjes, e cila lindi nga një marrëveshje e re e sigurisë midis Shteteve të Bashkuara, Australisë dhe Britanisë, Franca tërhoqi shkurtimisht ambasadorin e saj në Uashington, Philippe Etienne. Presidenti Biden gjithashtu u përpoq të rregullonte situatën me Francën duke e pranuar përfundimisht para zotit Macron se administrata e tij kishte qenë "e ngathët" në mënyrën se si e trajtoi çështjen.

Administrata e Presidentit Biden që atëherë ka lavdëruar Presidentin Macron duke e cilësuar atë ndër aleatët perëndimorë më aktivë në dënimin e luftës 7-mujore të Rusisë në Ukrainë dhe vendosjen e sanksioneve të gjëra ekonomike kundër Rusisë dhe zyrtarëve të afërt me presidentin Vladimir Putin.

Në qendër të përpjekjes së Presidentit Bidenit ishte një premtim për të rikhyer udhëheqjen në nivel global të Amerikës pas katër viteve të politikës "Amerika e Para" të ish presidentit Donald Trump. Por, Presidenti Biden e ka pranuar se zoti Macron dhe aleatët e tjerë mbeten skeptikë në lidhje me realizimin e premtimit të tij për një udhëheqje më të fortë të Shteteve të Bashkuara në mbarë botën.

Biden shpesh tregon historinë e një takimi të udhëheqësve botëror menjëherë pas marrjes së detyrës së Presidentit, në të cilin ai kishte deklaruar se "Amerika është kthyer". Ai thotë se homologët e tij, duke filluar me Presidentin Macron, u kundërpërgjigjën duke pyetur: "Për sa kohë?"

Presidenti Macron ishte gjithashtu udhëheqësi i parë botëror që fitoi një vizitë shtetërore gjatë mandatit të Presidentit Trump, megjithëse marrëdhëniet mes tyre më vonë u dëmtuan.

Udhëheqësi francez kishte kërkuar të kultivonte një partneritet të ngushtë me zotin Trump dhe e priti republikanin në 2017 për festimet e Ditës së Bastiljes në Paris. Zoti Trump iu përgjigj atij me një ftesë për vizitë shtetërore në Uashington.

Por marrëdhëniet mes tyre u përkeqësuan pasi zoti Trump tërhoqi trupat amerikane nga Siria pa u koordinuar me Francën dhe aleatët e tjerë të NATO-s. Zoti Trump shpesh e kritikonte NATO-n.

Në një nga takimet e tyre të fundit ballë për ballë, në një mbledhje të udhëheqësve të NATO-s në Londër në vitin 2019, presidentët Trump dhe Macron nuk arritën të fshihnin zhgënjimin e tyre me njëri-tjetrin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco