Analiza nga DW: Pse ka dështuar ndërtimi i shtetit të qëndrueshëm demokratik në Afganistan?

Analiza nga DW: Pse ka dështuar ndërtimi i shtetit të qëndrueshëm demokratik në Afganistan?

09:39, 27/09/2022
A+ Aa A-

Pse ka dështuar ndërtimi i shtetit të qëndrueshëm demokratik në Afganistan? Bundestagu gjerman po kërkon përgjigje dhe parashikon të japë rekomandime për misione të tjera.

Bundeswehri ishte në Afganistan për 20 vjet. Si pjesë e misioneve të NATO-s  – ISAF dhe “Resolute Support” – ata luftuan me forcat e tjera të armatosura nën udhëheqjen e SHBA-së dhe përkrah ushtrisë qeveritare afgane kundër talibanëve kryengritës. Në të njëjtën kohë, synohej vendosja e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Afganistan.

Por, megjithë dislokimin masiv të materialit, parave dhe personelit, Perëndimi dhe në këtë mënyrë edhe Bundeswehri nuk arritën të pengojnë talibanët që përsëri të marrin pushtetin. Pas tërheqjes përfundimtare të forcave të NATO-s në verën e vitit 2021 – ushtarët amerikanë ishin të fundit që u larguan nga vendi më 30 gusht – talibanët nuk kishin më asnjë kundërshtar serioz.

Pra, çfarë shkoi keq gjatë atyre 20 viteve? Zbulimi i së vërtetës është detyra e Komisionit Hetimor për misionin e Bundeswehrit në Afganistan, i cili u krijua javën e kaluar. Ndryshe nga komisioni hetimor parlamentar i Afganistanit i ngritur në verë, i cili po merret me rrethanat rreth tërheqjes së Bundeswehrit dhe evakuimit të personelit gjerman, stafit lokal dhe njerëzve të tjerë të prekur, komisioni hetimor po analizon pikat e forta dhe të dobëta të operacionit. Qëllimi i 24 anëtarëve të komisionit – gjysmë deputetë, gjysmë ekspertë – është të nxjerrin mësime për politikën e jashtme gjermane dhe të sigurisë në të ardhmen.

“Si ishte e mundur?”

“Është qëllimi ynë që të shqyrtojmë mandatin politik dhe punën e qeverisë dhe parlamentit në mënyrë autokritike dhe në bashkëpunim me aktorët,” tha për DW Michael Müller (SPD), kryetar i komisionit. “Mbi të gjitha, ne duam të fitojmë një pasqyrë se si aktorët në terren punuan së bashku dhe çfarë shansi kishin ata për të përmbushur misionin e tyre.”

Afganëve u detyrohen njohuri të tilla, thotë Shahina Gambir, e cila përfaqëson ekologjistët në komision. “Ora është kthyer mbrapa në Afganistan”, tha Gambir për DW. “Kjo është veçanërisht e vërtetë për gratë dhe vajzat: gjysma e popullsisë nuk është e dukshme në rrugët afgane. Pakicat janë përsëri në rrezik. Jemi kthyer në situatën në të cilën ishim 20 vjet më parë. Si mund të ndodhte kjo? Të gjithë kemi nevojë për të gjetur fajtorët.”

Sipas gjetjeve fillestare, ka pasur shumë dobësi, njëra ishte për faktin se Bundeswehri vepronte brenda kuadrit të mandateve ndërkombëtare, thotë Serap Güler (CDU), nënkryetari i komisionit. “Kjo e pamundësoi Gjermaninë në realizimin e synimeve kryesore të misionit. Në vend të kësaj, Gjermania u përshtat me specifikat”, tha Güler për DW.

“Qëllime të paarritshme”

Në fakt, udhëzimet dhe qëllimet janë formuluar shpesh në mënyrë të paqartë dhe janë bërë gjithnjë e më gjithëpërfshirëse me kalimin e kohës, vëren politologia Ursula Schröder, e cila këshillon komisionin si eksperte. “Misioni filloi si një operacion anti-terrorizmit dhe më pas u paraqitën synime të tjera, duke përfshirë shtetndërtimin dhe ndërtimin e paqes.” Sipas drejtorit të Institutit për Kërkimin e Paqes dhe Politikat e Sigurisë në Universitetin e Hamburgut, kjo nuk mund të funksiononte. “Sepse është e rëndësishme të hartohen qartë qëllimet realiste dhe të kontrollohet vazhdimisht zbatimi i tyre. Ky kontroll nuk ekzistonte. Nuk ishte mjaft e qartë se disa qëllime ishin të paarritshme. Nëse është kështu, ndërhyrjet pashmangshmërisht dështojnë.”

Përtej specifikimeve të paqarta dhe mungesës së reflektimit, misioni u përball me probleme të mëdha specifike të këtij vendi, vazhdoi Schröder. “Është shumë e qartë nga hulumtimi se është e vështirë, e në disa raste e pamundur, të ndërtohet nga jashtë një rend kompleks shtetëror dhe shoqëror në një vend të dobësuar nga dhuna, konflikti dhe qeverisja e dobët.” Kjo vlen edhe për Afganistanin. “Vendi është tronditur në çdo aspekt nga lufta e gjatë dhe dhuna e shoqëruar. Ndërtimi i shtetit është jashtëzakonisht i vështirë në këtë mjedis.”

Mungesa e njohjes së vendit dhe njerëzve të tij

Është e mundur që konteksti politik dhe historik i vendit nuk është trajtuar sa duhet, thotë Michael Müller. Kjo kontribuoi në faktin që sukseset e misionit ishin shumë të kufizuara. “Duhet të pranojmë se ajo që pati sukses në Kabul nuk pati sukses në pjesë të mëdha të vendit. Kjo ndoshta është edhe për faktin se njerëzit në zonat rurale kanë pak lidhje me qeverinë e tyre, me ata që janë përgjegjës në Afganistan dhe nuk kanë besim”.

Performanca e dobët e qeverisë mund të ketë kontribuar në dështimin e misionit, thotë Serap Güler. Nëse shërbimet vendimtare të qeverisë dështojnë, njerëzit nuk mund të preken më për parimet e politikës progresive. “Në një situatë të tillë, shumë njerëz kanë thjesht shqetësime të tjera”, thotë Güler. “Ata duhet të shohin se kanë mjaft për të ngrënë, që fëmijët e tyre të arsimohen, që në përgjithësi të plotësojnë nevojat e tyre materiale. E gjithë kjo krijon presione të tilla në rrethanat lokale saqë idetë si shteti ligjor apo demokracia duken relativisht abstrakte. Njerëzit kanë nevojë për gjëra konkrete, duhet të kuptojnë se pse këto standarde janë të dobishme. Më pas ata mund të bëjnë diçka me to.”

Shumë pak vëmendje iu kushtua popullatës civile dhe të njëjtën përshtypje ka edhe Shahina Gambir. “Ne duhet të shqyrtojmë shumë qartë se në çfarë mase populli afgan dhe shoqëria civile ishin të përfshirë. Cila ishte ideja e tyre për demokracinë, cila është ajo? A përputhet kjo me idetë tona? Pyetjet e këtij lloji mund të jenë shumë të rëndësishme për të ardhmen.” /DW

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco