Tentoi t'u shiste të birin për £4000 trafikatëve të organeve, policia infiltrohet si blerës dhe arreston nënën e 7-vjeçarit

Tentoi t'u shiste të birin për £4000 trafikatëve të organeve, policia infiltrohet si blerës dhe arreston nënën e 7-vjeçarit

22:16, 15/08/2022
A+ Aa A-

Një nënë nga Kirgizistani tentoi të shiste djalin e saj të mitur për £4000, duke e reklamuar në disa faqe për transplantin e organeve njerëzore, në internet. Nargiza Aitmatova, 36 vjeç, u arrestua në Rusi pasi postoi njoftime në rrjetet sociale duke thënë se donte t'ua shiste djalin e saj “të shëndetshëm” tregtarëve të organeve.

Policia ruse, në bashkëpunim me grupet kundër skllavërisë u infiltruan si blerës potencialë, ku lanë takim me 36-vjeçaren për ‘të blerë djalin’, operacion që çoi në arrestimin e saj. Takimi u zhvillua në një qendër tregtare në Yekaterinburg, ku Aitmatova do ua dorëzonte djalin në këmbim të parave ‘blerësve’ që kishin shfaqur interes në postimet e saj në internet. Burimet thonë se gjatë bisedës ajo dorëzoi dokumentet e fëmijës, duke përfshirë kartën shëndetësore, certifikatën e lindjes dhe kartën e migracionit.

Personat e përfshirë në operacion e kanë pyetur disa herë nënën nëse ishte e sigurt për aktin që do të kryente. “Ajo u pyet disa herë nëse e dinte se çfarë po bënte saktësisht, nëse e kuptonte që nuk do ta shihte më djalin e saj, sepse ata që e ‘blejnë’ nuk duan që ajo të ketë asnjë kontakt me të. Ajo tha se kuptonte gjithçka”, tha policia. 

Ndërsa futi paratë në xhep, nëna e gënjeu djalin duke i thënë të priste aty sepse babai i tij do ta merrte më vonë. Operacioni u krye nga grupi kundër skllavërisë dhe trafikimit Alernativa dhe oficerët rusë të policisë, pasi u vunë re reklamat e saj në internet për të shitur djalin.

Gjatë negociatave ballë për ballë, Aitmatova "u soll me qetësi" dhe i dha "blerësit" një shans për të folur me djalin. Oficerët e arrestuan menjëherë nënën, me akuzën për trafikim të fëmijëve.

Në seancën e paraburgimit, gjyqtarja e la 36-vjeçaren në paraburgim për dy muaj, në pritje të një hetimi penal. Gruaja, e parë në gjykatë me fytyrën pjesërisht të mbuluar, tha se donte ta shiste djalin për të shlyer disa borxhe, meqenëse edhe burri i saj i ri nuk e pëlqente fëmijën, babai i të cilit ishte partneri i saj i mëparshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco