Pesë gjëra që çuan në rënien e kryeministrit Boris Johnson

Pesë gjëra që çuan në rënien e kryeministrit Boris Johnson

13:29, 07/07/2022
A+ Aa A-

Nga Owen Amos, BBC News

Më pak se tre vjet më parë, Boris Johnson udhëhoqi Konservatorët në fitoren e tyre më të madhe që nga 1987.  Tani, kryeministri ka humbur përkrahjen e deputetëve të tij dhe pritet të japë dorëheqjen. Si arritëm deri në këtë pikë?

Çështja Chris Pincher

Të mërkurën, më 29 qershor, deputeti konservativ Chris Pincher – në atë kohë një nga ndërmjetësit kryesorë midis grupit parlamentar dhe kryetarit të partisë (Whip) – shkoi në një klub privat në Londër, ku, siç e tha vetë, “piu shumë fare” dhe “turpëroi veten”.

Ai u akuzua se u futi duart dy burrave, çka çoi në një vorbull akuzash, disa nga vite të shkuara. U vu në lëvizje një zinxhir ngjarjesh që përfundoi me rënien e kryeministrit. 

Në fillim, Downing Street (selia e kryeministrit britanik) tha se zoti Johnson nuk kishte dijeni për “akuza specifike” për zotin Pincher para se ta emëronte si zëvendës krye-whip në shkurt. Ministrat mbajtën këtë linjë, edhe pse doli se ishte e pasaktë. 

Më 4 korrik, BBC raportoi se zoti Johnson kishte pasur dijeni për një ankesë formale. Të nesërmen, një ish-shërbyes civil – Lord McDonald – tha se kryeministri ishte informuar personalisht për ankesën. 

Johnson më pas pranoi se i kishin thënë më 2019 dhe kërkoi ndjesë për emërimin e zotit Pincher.

"Partygate"

Në prill të këtij viti, kryeministri u gjobit për shkelje të rregullave të lockdown-it, pasi kishte marrë pjesë në një festë të organizuar për ditëlindjen e tij, në qershor 2020.  Ai kërkoi ndjesë edhe festën me alkool të sjellë me vete nga secili në kopshtin e Downing Street gjatë lockdown-it të parë.  Policia e Londrës vendosi 126 gjoba për 83 persona për thyerjen e rregullave anti-Covid.

Kostoja e krizës dhe një ngritje takse

Inflacioni është rritur me shpejtësi në 2022 dhe norma aktuale është 9.1%.

Shumë nga arsyet kanë qenë jashtë kontrollit të Boris Johnson. Invazioni rus në Ukrainë, për shembull, çoi në rritjen e çmimeve të karburanteve dhe të ushqimeve. 

Dhe, ndërsa qeveria ka ndërmarrë disa hapa – si ulja e tarifave për karburantin me 5 peni për litër – ajo vazhdoi edhe me një rritje takse në prill. Sigurimet Kombëtare u rritën me 1.25 peni për paund. 

Qeveria tha se rritja e taksës do të shkonte për kujdes shëndetësor e social, dhe ndryshimet që hynë në fuqi këtë javë e zbutën goditjen – por kushdo që fiton mbi 34,000 paund në vit sërish do të paguajë më tepër. 

"Në mes të krizës më të keqe të kostos së jetesës në dekada, qeveria vendos të rrisë taksat për punonjësit”, tha lideri laburist Sir Keir Starmer në prill.

Sherri për Owen Paterson

Në tetor 2021, një komision i Dhomës së Ulët rekomandoi një pezullim 30-ditor për deputetin e atëhershëm konservativ Owen Paterson.

Komisioni tha se ai kishte shkelur rregullat e lobimit për të përfituar kompanitë që e kishin paguar. 

Por konservatorët – të udhëhequr nga kryeministri – votuan për ta pushuar pezullimin e tij dhe ngritën një komision të ri për të parë se si ishte kryer investigimi.

Pas një zemërimi publik, Paterson dha dorëheqjen. Johnson më vonë pranoi se kishte shkaktuar rrëmujë me mënyrën se si e menaxhoi çështjen. 

Mungesë fokusi dhe idesh

Boris Johnson e ndërtoi fitoren mbi një politikë të lehtë për t’u ndjekur – realizimin e Brexit. Por që atëherë, thonë kritikët e tij, në Downing Street ka pasur mungesë fokusi dhe idesh. 

Ish-këshilltari i tij, i shndërruar në kritikun kryesor, Dominic Cummings, e ka akuzuar vazhdimisht se është një karrocë pazari që ndryshon drejtim papritur. 

Të tjerë kanë vënë në dyshim filozofinë e kryeministrit, madje edhe nëse ai e ka një të tillë. Në qershor, deputeti konservativ dhe ish-ministri Jeremy Hunt e akuzoi se i mungonte "integriteti, kompetenca dhe vizioni".

Hunt foli para një mocioni mosbesimi, të cilin Johnson e fitoi, por ankesat u bënë më të zëshme. 

Disfatat në zgjedhjet e pjesshme vazhduan. Pas asaj të fundit, Johnson tha se nuk do t’i nënshtrohej një “transformimi psikologjik”.

Por kjo tani nuk përbën shqetësim për deputetët konservativë. Ata folën, dhe kryeministri po ikën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Xxx07/07/2022 14:03

Sorosiani i pare ra! Heqte kemben zvarre!

Shto koment

Denonco