Bosi i kokainës i Milanos, i kapur në Brazil, i dorëzohet drejtësisë italiane

Bosi i kokainës i Milanos, i kapur në Brazil, i dorëzohet drejtësisë italiane

13:07, 06/07/2022
A+ Aa A-

Një nga njerëzit më të kërkuar në Itali, mafiozi Rocco Morabito, ka mbërritur në Romë pasi u ekstradua nga Brazili, ku kishte qenë i fshehur.

I njohur si "mbreti i kokainës së Milanos", Morabito u arrestua në maj të vitit të kaluar në një operacion të përbashkët të policisë braziliane dhe italiane.

55-vjeçari do të vuajë dënimin me 30 vite burg për trafik droge.

Bosi i mafias kaloi dekada në arrati duke përdorur një identitet të rremë në Amerikën e Jugut.

Policia më në fund e gjurmoi vitin e kaluar në João Pessoa, një qytet port në Brazilin verilindor, ku ai u arrestua së bashku me një tjetër anëtar të grupit mafioz 'Ndrangheta, Vincenzo Pasquino. Pasquino që atëherë është dënuar me 17 vjet burg për trafik droge.

Artist i arratisjes

Mbërritja e Rocco Morabito në Romë i jep fund një gjuetie prej dekadash.

Image

I lindur në qytetin kalabrez Africo dhe me lidhje familjare me bosin mafioz Giuseppe Morabito, Rocco Morabito u bë një figurë kyçe në 'Ndrangheta, rrjeti i përhapur kriminal që kontrollon pjesën më të madhe të trafikut të kokainës në Itali dhe më gjerë.

Si i ri, Morabito shpejt bëri emër si një trafikant droge në Milano, duke krijuar rrugë kyçe të kontrabandës së kokainës nga Amerika e Jugut në qytetin e Italisë.

I veshur shik me kostume me kopsa dopiopet, ai shpesh shihej duke u përzier me parinë e qytetit dhe shumë shpejt ra në vëmendjen e policisë italiane, e cila e vuri nën vëzhgim.

Ai u regjistrua duke u përpjekur të ndërmjetësonte marrëveshje për të importuar më shumë se një ton kokainë nga Amerika e Jugut, por u zhduk menjëherë më pas.

Policia mendon se ai iku në Brazil, ku jetonte me emrin e supozuar Francisco Capeletto.

Nga atje, ai u zhvendos në Uruguain fqinj, ku jetoi në vendpushimin e Punta del Este për të paktën 13 vjet.

Image

Rocco Morabito jetonte në një vilë në vendpushimin e Punta del Este

Ndërsa ai kishte marrë me qira një shtëpi luksoze, duke e mbushur me vepra arti, fqinjët thanë se ai ngiste një makinë modeste dhe vetëm kur ai organizoi një festë luksoze për ditëlindjen e vajzës së tij, ata morën vesh për pasuritë e tij.

Por pikërisht kur Morabito e regjistroi vajzën e tij në shkollë me emrin e saj të vërtetë, policia e vuri nën vëzhgim.

Në shtator 2017, kur Morabito u zhvendos në një hotel në kryeqytet, Montevideo, pasi kishte pasur një sherr me gruan e tij, policia u sul.

Ndër pasuritë e tij, ata gjetën një armë, 13 telefona celularë dhe 150 fotografi të Morabito-s me madhësi të pasaportës me maska të ndryshme.

Megjithatë, ditët e tij në arrati nuk kishin mbaruar ende. Në vitin 2019, pasi kishte kaluar dy vjet burg në pritje të ekstradimit në Itali, ai u arratis së bashku me tre të burgosur të tjerë nga një vrimë në çati.

Si pjesë e një operacioni policor shumëkombësh të udhëhequr nga Interpoli që synonte të luftonte 'Ndrangheta', ai më në fund u zbulua në një hotel në qytetin e João Pessoa në vitin 2021.

Gjykata e Lartë Federale e Brazilit autorizoi ekstradimin e tij në Itali javën e kaluar.

Image

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco