Izolohet Rusia/ Vendet e NATO-s nënshkruajnë protokollet e anëtarësimit për Suedinë dhe Finlandën

Izolohet Rusia/ Vendet e NATO-s nënshkruajnë protokollet e anëtarësimit për Suedinë dhe Finlandën

12:38, 05/07/2022
A+ Aa A-

Përfaqësuesit e 30 vendeve anëtare të NATO-s nënshkruan të martën protokollet e anëtarësimit për Suedinë dhe Finlandën, duke hedhur edhe një hap drejt zgjerimit të aleancës. Hapi i radhës është miratimi i protokolleve nga parlamentet e vendeve anëtare.

Veprimi shton më tej izolimin strategjik të Rusisë pas agresionit të saj në Ukrainën fqinje.

“Ky është me të vërtetë një çast historik për Finlandën, për Suedinë dhe për NATO-n”, tha Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.

Të 30 ambasadorët dhe përfaqësuesit e përhershëm miratuan zyrtarisht vendimet e takimit të lartë të NATO-s të javës së kaluar, kur aleanca mori vendimin historik për të ftuar fqinjin e Rusisë Finlandën dhe partnerin skandinav Suedinë për t'iu bashkuar klubit ushtarak.

Pavarësisht marrëveshjes në aleancë, miratimi parlamentar në Turqi mund të paraqes ende probleme për anëtarësimin e të dyja vendeve.

Javën e kaluar, udhëheqësi turk Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi se Ankaraja ende mund të bllokojë procesin nëse të dy vendet nuk përmbushin plotësisht kërkesën e Turqisë për të ekstraduar të dyshuarit për terrorizëm që kanë lidhje me grupet e jashtëligjshme kurde ose rrjetin e një kleriku në mërgim i akuzuar për një grusht shteti të dështuar në vitin 2016 në Turqi.

Ai tha se Parlamenti i Turqisë mund të refuzojë të ratifikojë marrëveshjen. Ky është një kërcënim i fuqishëm pasi pranimi në NATO duhet të miratohet zyrtarisht nga të 30 vendet anëtare.

"Pres një proces të shpejtë ratifikimi", tha ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto.

Agresioni rus në Ukrainë i ka dhënë procesit një urgjencë të shtuar, ndërsa bashkimi i të dy vendeve në aleancën ushtarake perëndimore do t'i sigurojë NATO-s më shumë ndikim, veçanërisht përballë kërcënimit ushtarak të Moskës.

“Do të jemi edhe më të fortë dhe njerëzit tanë do të jenë edhe më të sigurt, ndërsa përballemi me krizën më të madhe të sigurisë në dekada”, tha sekretari Stoltenberg./ VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco