Francë: anulohen dhjetëra fluturime prej grevës në aeroportin më të madh

Francë: anulohen dhjetëra fluturime prej grevës në aeroportin më të madh

12:40, 02/07/2022
A+ Aa A-

Dhjetra fluturime do të anulohen të shtunën në aeroportin më të ngarkuar të Francës, për shkak të një mosmarrëveshjeje të vazhdueshme mbi pagat dhe kushtet e punës.

Me zjarrfikësit në grevë, Autoriteti Francez i Aviacionit Civil ka kërkuar anulime parandaluese të fluturimeve dhe ka mbyllur një pjesë të pistave për arsye sigurie, të cilat do të ndikojnë në 1 ndër 5 fluturimet në aeroportin Roissy-Charles-de-Gaulle midis orës 7 të mëngjesit dhe 14:00.

Të premten rreth njëqind nga 1300 fluturime u anuluan në aeroport, ndërsa aeroporti tjetër i madh në rajonin e Parisit, Orly, nuk u prek.

"Lëvizja vazhdon midis zjarrfikësve, të cilët janë të pakënaqur me propozimet e menaxhuesve për shkallën e tyre të pagave", tha shefi i sindikatës Daniel Bertone.

Zjarrfikësve iu bashkuan punonjës dhe nënkontraktorë nga kompania ADP e menaxhimit të aeroporteve të Parisit  si pjesë e një aksioni ndërsindikal dhe ndërprofesional për pagat dhe kushtet e punës.

Negociatat të premten dështuan dhe ekziston rreziku i grevave edhe fundjavën e ardhshme, pikërisht në fillim të pushimeve verore të shkollës kur tradicionalisht ka pik në trafikun e aeroportit.

Air France tashmë ka njoftuar se do të anulojë rreth 10% të fluturimeve të saj me distanca të shkurtra dhe të mesme të shtunën. Fluturimet me distanca të gjata nuk do të preken.

Çfarë kërkojnë punonjësit në grevë?

Punëtorët kërkojnë një rritje pagash prej 6% që nga 1 janari për të kompensuar inflacionin. Menaxherët kanë propozuar një rritje prej 4% nga 1 korriku.

Sindikatat thonë se kjo ofertë nuk kompenson uljen prej 5% të pagave të pranuar tashmë nga punonjësit si pjesë e planit të uljes së kostove të vendosur nga kompania gjatë pandemisë COVID në 2020-2021.

Një zëdhënës i kompanisë menaxhuese ADP tha se negociatat nuk kanë qenë të suksesshme, por dialogu social ka mbetur i hapur.

Për shkak të veprimeve dhe anulimeve të fluturimeve, aeroporti po këshillon pasagjerët të paraqiten tre orë përpara një fluturimi ndërkombëtar dhe dy orë përpara një fluturimi vendas ose evropian.

Një zëdhënës i qeverisë franceze tha të premten se ata do të "vazhdojnë të diskutojnë me sindikatat për të gjetur një rrugëdalje nga kriza".

Lexo edhe: Grevë në aeroportin e Parisit

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco