Raporti Special: Kompanitë ruse vazhdojnë të prodhojnë armë, sanksionet s'i kanë prekur të gjitha

Raporti Special: Kompanitë ruse vazhdojnë të prodhojnë armë, sanksionet s'i kanë prekur të gjitha

18:12, 01/07/2022
A+ Aa A-

Ndërsa ushtria ruse vazhdon të godasë Ukrainën me raketa e armë të tjera vdekjeprurëse, vendet perëndimore janë përgjigjur pjesërisht duke goditur industrinë luftarake të Rusisë me sanksione. Raundi i fundit ishte të martën, kur SHBA nxori sanksione të reja për disa prodhues armësh dhe drejtues kompanish në zemrën e asaj që quhet “makina luftarake” e Presidentit Vladimir Putin.

Por një ekzaminim i kompanive, ekzekutivëve dhe investuesve kryesorë të sektorit të mbrojtjes të Rusisë, kryer nga Reuters, tregon një numër të madh lojtarësh që deri tani nuk kanë paguar asnjë çmim. Thuajse tri duzina liderësh të firmave të armëve dhe të paktën 14 kompani të mbrojtjes nuk janë sanksionuar nga SHBA, Bashkimi Evropian apo Britania e Madhe. Më tej, sanksionet mbi prodhuesit rusë të armëve janë aplikuar në mënyrë jo konsistente nga aleatët në NATO.

Midis manjatëve të armëve që nuk janë sanksionuar është Alan Lushnikov, aksionari më i madh i Koncernit Kalashnikov JSC, prodhuesi origjinal i automatikut të famshëm AK-47. Lushnikov zotëron 75% të aksioneve të firmës, sipas regjistrave më të fundit të biznesit, të parë nga Reuters.

Vetë kompania është nën sanksionet amerikane që më 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë. BE dhe Britania i vendosën sivjet aksionet kundër Koncernit Kalashnikov.

Kompania zë 95% të prodhimit rus të automatikëve, pushkëve të snajperëve, pistoletave dhe armëve të tjera personale të zjarrit, si dhe 98% të automatikëve të përdorur nga ushtria, sipas faqes së saj në internet dhe raportit më të fundit vjetor. Armët e prodhuara përfshijnë pushkën sulmuese AK-12, një version i përditësuar i AK-47, disa prej të cilëve u janë kapur forcave ruse nga ushtarët ukrainas. Koncerni Kalashnikov prodhon edhe raketa që nisen nga avionët ose toka.  

E njëjta skemë është edhe me Koncernin Almaz-Antey, një kompani e mbrojtjes me qendër në Moskë, e specializuar në sisteme raketash dhe mbrojtje kundërajrore. Kompania është sanksionuar nga SHBA, BE dhe Britania, por administratori Jan Novikov nuk është ndëshkuar.

Almaz-Antey prodhin raketat Kalibr, të cilave Ministria e Mbrojtjes ruse iu ka atribuuar shkatërrimin e instalimeve ushtarake ukrainase. Në një deklaratë muajin e kaluar, ministria tha se raketat Kalibr me rreze të gjatë kishin goditur një postëkomandë ukrainase pranë fshatit Shiroka Daça në lindje, duke vrarë mbi 50 gjeneralë e oficerë të ushtrisë ukrainase. Reuters nuk ka qenë në gjendje ta verifikojë pretendimin në mënyrë të pavarur. As Almaz-Antey dhe as Novikov nuk iu përgjigjën kërkesës për koment.  

Kompani të tjera në industrinë e mbrojtjes ruse nuk kanë sanksionuar, përfshirë uzinën V.A. Degtyarev që prodhon automatikë, armë anti-tank dhe anti-avion, të cilat i shiten ushtrisë ruse. Armët e saj përfshijnë edhe automatikë Kalashnikov, si dhe pushkë e mitralozë Kord, disa prej të cilëve montohen mbi mjete të blinduar.  

Po ashtu, nuk është sanksionuar uzina e specializuar e municioneve Klimovsk, në jug të Moskës, kur prodhohen “fishekët me famë botërore” për pistoleta dhe automatikët Kalashnikov. Nuk është sanksionuar as uzina e fishekëve Novosibirsk, e cila e quan veten si “një nga firmat inxhinierike kryesore të kompleksit ushtarak-industrial të Rusisë”.

Të martën, Departamenti i Thesarit i SHBA nisi një tjetër raund sanksionesh që përfshin tetë firma armësh dhe dy drejtues ekzekutivë. Njëri prej ekzekutivëve është  Vladimir Artjakov, i cili ka luajtur role kyç për dekada në industrinë luftarake ruse dhe shërben si ekzekutivi numër 2 në Rostec, një gjigant industrial ushtarak me qindra degë që punësojnë mbi gjysmë milioni njerëz, sipas sitit të tij dhe raporteve vjetore. Artjakov është edhe kryetar i të paktën pesë firmave që prodhojnë armë, midis tyre Russian Helicopters JSC, e cila prodhon disa linja helikopterësh ushtarakë, përfshirë Ka-52 Alligator, disa të rrëzuar në Ukrainë.

Artjakov nuk është sanksionuar nga BE apo Britania.

Rostec ka qenë nën sanksionet amerikane që më 2014. Të martën, SHBA e goditën sërish kompaninë, duke vendosur sanksione mbi më tepër se 40 degë e filiale. Midis të goditurve janë Koncerni Avtomatika, kompani e lidhur me industrinë luftarake kibernetike. Ajo ishte në listën e firmave ruse që Reuters i dërgoi Departamentit të Thesarit me pyetjen se pse nuk ishin sanksionuar deri tani.

Firma të tjera nga lista që u goditën me sanksione këtë javë nga Departamenti i Thesarit përfshijnë PJSC Tupolev, prodhues avionësh luftarakë, si bombarduesi Tu-22M3. Ushtria ukrainase thotë se bombarduesit Tu-22M3 janë përgjegjës për një goditje me raketë në një qendër tregtare të populluar në Kremençuk të hënën, e cila vrau të paktën 18 persona dhe plagosi rreth 60.

PJSC Tupolev dhe JSC VNII Signal nuk janë sanksionuar nga BE apo Britania. JSC VNII Signal prodhon sisteme mekanike dhe navigimi për tanket ruse, si dhe disa nga sistemet më të avancuar të raketave në vend.

Ndërkaq, ekzekutivët e një numri firmash prodhuese të armëve iu kanë shpëtuar deri tani sanksioneve perëndimore.

Një nga firmat e profilit më të lartë që nuk është sanksionuar është VSMPO-Avisma Corp, furnizuesi më i madh i titanit në botë, 25% në pronësi të Rostec. Ajo furnizon industrinë mbrojtëse ruse, por midis klientëve të saj ka edhe kompani të mëdha perëndimore të aeronautikës.

Me bazë në Verkhnjaja Salda, në Rusinë qendrore, VSMPO-Avisma ka degë në SHBA, Zvicër e Britani, si dhe personel shitjeje e shpërndarjeje në SHBA, Evropë e Azi. Pa dyshim një faktor që i ka lejuar mosprekjen nga sanksionet.

Nuk është sanksionuar as zëvendëspresidenti dhe aksionari më i madh i saj, miliarderi rus Mikhail Shelkov, personi i 59-të më i pasur i Rusisë, sipas Forbes.

VSMPO-Avisma ka një kontratë afatgjatë furnizimi me United Aircraft Corp, një degë e Rostec, e sanksionuar nga SHBA, BE dhe Britania.

VSMPO-Avisma furnizon edhe Airbus dhe deri në mars furnizonte edhe gjigantin amerikan Boeing Co, kur kompania vendosi të ndalonte blerjet nga Rusia. Boeing ka bërë të ditur se po punon që më 2014 për burime të ndryshme titani në botë, ndërsa Airbus nuk iu përgjigj pyetjes për marrëdhënien me VSMPO-Avisma, por në një deklaratë të dërguar me email tha se sanksionet e mundshme mbi titanin rus “do të dëmtonin rëndë të gjithë industrinë aerospaciale në Evropë”, ndërkohë që i shkaktonte fare pak dëm Rusisë, sepse ato shitje përbënin vetëm një pjesë të vogël të eksporteve të përgjithshme.

Në 2020, eksportet zinin dy të tretat e të ardhurave prej 1.25 miliard dollarë të VSMPO-Avisma.

Kjo i vë zyrtarët perëndimorë në një pozicion të vështirë, thotë Richard Connolly, drejtor i Eastern Advisory Group, një kompani konsulence britanike që këshillon qeveritë dhe bisnezet për ekonominë ruse dhe industrinë e mbrojtjes. Sanksionet mbi VSMPO-Avisma do të zvogëlonin eksportet e saj fitimprurëse, por edhe do të detyronin lojtarë të mëdhenj në aviacionin global të gjenin furnizues të tjerë apo të rrezikonin sanksione mbi veten e tyre.

“Kjo është çështja klasike me sanksionet: Nëse do të dëmtosh dikë, do të dëmtosh veten”, thotë Connolly.

Përktheu: Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco