Ishulli i Gjarprit: Pse Rusia nuk mundi ta mbante shkëmbin strategjik në Detin e Zi

Ishulli i Gjarprit: Pse Rusia nuk mundi ta mbante shkëmbin strategjik në Detin e Zi

14:52, 01/07/2022
A+ Aa A-

Nga Yaroslav Lukov & Paul Kirby

Ky ishull i vogël shkëmbor në veriperëndim të Detit të Zi u pushtua nga Rusia në ditën e parë të invazionit në Ukrainës dhe që atëherë ka luajtur një rol jashtëzakonisht të madh në luftë.

Pas më tepër se katër muajsh bombardime ukrainase, forcat ruse e kanë braktisur Ishullin e Gjarprit, apo ishullin Zmijnij, siç njihet në Ukrainë.

Rusia thotë se e tërhoqi garnizonin e saj si “shenjë e vullnetit të mirë” për të provuar se nuk po i pengon eksportet e grurit, por Ukraina e ka hedhur poshtë këtë pretendim, teksa Masko vazhdon të bombardojë depot e drithit.

I vështirë për t’u mbrojtur

Ishulli është i ekspozuar karshi sulmeve nga të gjitha anët nga ajri e deti dhe garnizoni i vogël i ngarkuar me detyrën për ta mbrojtur – më parë ukrainasit e pastaj rusët – është përshkruar si shënjestër e lehtë nga ekspertët ushtarakë.

Ishulli i Gjarprit gjendet 35 kilometra larg bregdetit ukrainas, plotësisht brenda rrezes goditëse të raketave, artilerisë dhe dronëve nga bregu.

Dhe forcat ukrainase bënë pikërisht këtë, një seri sulmesh shkatërruese mbi ishullin dhe çdo anije që transportonte trupa dhe armatime të rënda. Në prill, kapacitetet anti-ajrore të Rusisë u reduktuan ndjeshëm me mbytjen e Moskva, anija flamurmbajtëse e saj në Flotën e Detit të Zi.

Kjo shpjegon se pse Kremlini ishte i dëshpëruar të çonte atje sisteme anti-ajrore dhe radio-elektronike. Por mbrojtja e ishullit u kthye në një makth logjistik për Rusinë për shkak se është shumë larg nga bazat kryesore detare në Detin e Zi.

Ukraina ka kapacitete detare shumë të kufizuara ndaj nuk ka qenë në gjendje të çonte trupat e saj në ishull. Analisti ushtarak ukrainas Oleh Zhdanov thotë se dislokimi i trupave në Ishullin e Gjarprit nuk ka kuptim për asnjë nga palët, pasi do të ishin shënjestër e lehtë. Në të kundërt, ai mbron idenë e krijimit të “kontrollit të zjarrit”, mbajtjen e kapaciteteve për të goditur çdo objektiv që i afrohet ishullit.

Kjo do t’i siguri më të madhe edhe portit të Odesës, më i madhi i Ukrainës në Detin e Zi, si dhe gjithë sektorit veriperëndimor të Detit të Zi.

Image

Shkëmb i rëndësishëm

Rusia ka nën kontroll tashmë një brez të madh të bregdetit ukrainas në Detin e Zi, plus gadishullin e Krimesë dhe të gjithë detin Azov. Mbajtja e Ishullit të Gjarprit plotësoi një bllokadë efektive mbi Odesën, çka e bëri të pamundur eksportin e pjesës më të madhe të drithit ukrainas.

Po ashtu, edhe bregu i Detit të Zi u bë i brishtë karshi sulmeve dhe ekspertët ushtarakë në Kiev ngritën shqetësimin se Rusia mund të instalonte mbrojtje ajrore me rreze të gjatë, të tilla si sistemit i raketave S-400.

Një vështrim i hartës tregon edhe se kontrolli rus mbi ishullin përbënte kërcënim për Rumaninë, anëtare e NATO-s, për portin e saj kyç të Konstancës dhe trafikun në grykëderdhjen e lumit Danub.

Nuk është vetëm i rëndësishëm nga ana strategjike, zona është e pasur me rezerva të naftës e gazit.

Versioni i Moskës

Tashmë jemi mësuar me këtë: Rusia nxjerr një version ngjarjesh që është krejtësisht i ndryshëm nga ai i paraqitur nga Ukraina apo qeveritë perëndimore.

Moska dëshiron që të besojmë se nuk pati tërheqje ruse nga Ishulli i Gjarprit.

Deklarata e nxjerrë nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë thotë se trupat ruse atje thjesht e kishin kryer detyrën e ngarkuar dhe u larguan. Ajo e quajti largimin si një gjest të vullnetit të mirë për të treguar se Rusia nuk po kërcënonte eksportet ushqimore nga Ukraina.

Duke marrë në konsideratë rëndësinë strategjike të Ishullit të Gjarprit, për të cilin u luftua për katër muaj, e duke konsideruar edhe mungesën e “gjesteve të vullnetit të mirë” nga ana e forcave të armatosura ruse që nga invazioni, ku version ngjarjesh vështirë se mund të bindë dikë jashtë Rusisë.

Fundja, ky mund të jetë një version për audiencën e brendshme. Kremlin dëshiron të publiku rus të besojë se:

Në këtë konflikt, rusët janë të mirët.

I ashtuquajturi nga Kremlini si “Operacioni Ushtarak Special” në Ukrainë po shkon sipas planit.

Image

Një ndryshues loje potencial

Kjo nuk është thjesht një fitore simbolike për Ukrainën, është një sukses strategjik. Për Rusinë është hap prapa dhe disfatë e sikletshme.

Por nuk do ta ndryshojë në mënyrë thelbësore kursin e luftës. Fokusi i Rusisë është pushtimi i të gjithë Donbasit lindor dhe qëndrimi në zonat e tjera jugore që kapi në fillim të luftës.

Ishulli i Gjarprit mund të jetë një pjesë shumë strategjike e Detit të Zi dhe pikë ideale për instalimin e sistemeve të sofistikuara të raketave, por në fund të fundit mbetet një shkëmb i vogël.

Çështja kryesore është nëse, duke detyruar forcat ruse të largohen, Ukraina mund të marrë në konsideratë rifillimin e eksporteve të grurit për të ristartuar ekonominë e dërrmuar nga lufta. Pa një flotë efektive, ka pak shanse për këtë, ndërkohë që luftanijet ruse mbajnë dominimin në Detin e Zi.

"Praktikisht, duhet të ndodhin dhjetë gjëra të tjera para se të nisësh eksportin e sigurt të grurit dhe kjo është vetëm një”, thotë Andrew Wilson, profesor i studimeve ukrainase në University College në Londër.

Ukraina e ka refuzuar ofertën ruse për të shoqëruar dërgesat e drithit nga Odesa pasi kjo do të kërkonte heqjen e minave nga jashtë portit.

Turqia po përpiqet në mënyrë aktive të arrijë një marrëveshje me Rusinë e Ukrainën bashkë, por shanset që të ndodhë janë të largëta në këtë fazë.

Javët e ardhshme shihen si jetike për eksportet ukrainase, sepse të korrat e reja nisin në korrik.

Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco