Lufta në Ukrainë: Çfarë ndodhi me mbrojtësit e Mariupolit të zënë rob nga Rusia një muaj më parë? Mbrojtësit e Mariupolit pranë zjarrit në Azovstal gjatë rrethimit të uzinës nga ushtria ruse, maj 2022.

Lufta në Ukrainë: Çfarë ndodhi me mbrojtësit e Mariupolit të zënë rob nga Rusia një muaj më parë?

13:21, 22/06/2022
A+ Aa A-

Afërsisht një muaj më parë, regjimenti ukrainas i Azov, i vendosur në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, u urdhërua nga Kievi që t'i dorëzohej forcave ruse.

Autoritetet ukrainase thanë se kjo ishte mënyra e vetme për të shpëtuar jetën e mbrojtësve të Mariupolit, të cilët kaluan muaj të tërë të rrethuar në uzinë nën granatimet e vazhdueshme, pa akses në furnizimet bazë. Luftëtarët e kapur duhej të ktheheshin në shtëpi nëpërmjet shkëmbimit të të burgosurve, por deri më tani asnjë prej tyre nuk është liruar dhe shumë pak dihet për gjendjen e tyre.

Hanna Naumenko, 25 vjeçe, thotë se nuk e ka dëgjuar zërin e bashkëshortit të saj që nga dita që ai u largua nga uzina në maj.

Image

Hana Naumenko.

Kreu i regjimentit të Azov, Denys Prokopenko e ka telefonuar gruan e tij Kateryna një herë për 30 sekonda, në fillim të robërisë së tij. Linja telefonike ishte shumë e keqe, çifti mezi e dëgjonte njëri-tjetrin, megjithatë Kateryna e cilëson këtë telefonatë si një kujtim të lumtur.

Ajo mësoi atëherë se i shoqi dhe bashkëluftëtarët e tij mbaheshin në kushte të kënaqshme, por ishte e pamundur të dihej nëse Prokopenko mund të shprehej lirisht në telefon.

Image

Kateryna Prokopenko

Tani për tani, familjet Azov thonë se nga informacioni i kufizuar që marrin nga negociatorët, ata e dinë me të vërtetë se të burgosurit ukrainas - të mbrojtur nga ligji ndërkombëtar humanitar - mbahen në kushte të këqija, të cilat nuk korrespondojnë me ato të kërkuara nga konventa e Gjenevës për trajtimin e të burgosurve të luftës dhe të paraburgosurve.

"Ajo që dimë është se izolatori ku mbahen të burgosurit është i tejmbushur, ushqimi dhe uji duhen përmirësuar," tha Kateryna Prokopenko në një deklaratë. "Tregimet e të burgosurve të luftës të liruar më herët tregojnë se ata duruan tortura fizike dhe mendore," shtuan Forcat e Armatosura të Ukrainës në një deklaratë për shtyp.

Nuk ka asnjë informacion të saktë publik deri më sot në lidhje me numrin e ushtarëve dhe komandantëve ukrainas të marrë nga Azovstal dhe që janë në robëri. Shifrat e dhëna nga burime të ndryshme variojnë nga 1000 deri në 2500.

Ata u transferuan fillimisht në territoret e pakontrolluara nga qeveria ukrainase, Republika e vetëshpallur Popullore e Donetskut.

Udhëheqësi i saj i vetëshpallur, Denis Pushilin, kohët e fundit deklaroi se "ka materiale të mjaftueshme për të mbajtur një gjyq mbi ushtrinë ukrainase" dhe premtoi një gjyq të hapur. Gjyqe të tilla, përfshirë ato ku 'prokuroria' kërkon dënimin më të lartë, ndodhin në të ashtuquajturën Republika Popullore e Doneskut: kohët e fundit, tre ushtarë të huaj të forcave të armatosura ukrainase u dënuan me vdekje.

Komiteti Hetimor Rus tha se do të marrë në pyetje luftëtarët. Qarkulluan thashetheme se disa prej tyre po transferoheshin në Rusi. Pala ukrainase nuk mund të konfirmonte nëse të gjithë ukrainasit mbetën apo jo në rajonin e Donetskut, në territore që nuk janë nën kontrollin e qeverisë ukrainase.

Image

Duke folur në televizionin kombëtar, Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes Oleksiy Danilov tha rreth një javë më parë se jo vetëm Ukraina, por edhe institucionet ndërkombëtare ishin të përfshira në procesin e shkëmbimit. Ai e quajti atë "një çështje shumë delikate" që "nuk duhet të ndërpritet". "Nuk ka shumë për të thënë," sugjeroi ai.

Pala ukrainase thotë se procesi i negociatave është shumë sekret, ndërsa familjet e ushtarëve të kapur janë të shqetësuar se të dashurit e tyre do të harrohen.

Ata u kërkojnë gazetarëve të huaj që të përpiqen të vizitojnë vendin ku mbahen të burgosurit e luftës dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) - i cili ka mandatin të vizitojë ushtarakët ukrainas - për të kontrolluar kushtet e ndalimit të tyre.

Kryqi i Kuq i ka regjistruar luftëtarët që largohen nga uzina Azovstal për të gjurmuar ata që janë kapur. Kjo u bë për të ndihmuar të burgosurit të mbanin kontakte me familjet e tyre, shpjegoi ekipi i KNKK-së në atë kohë.

Deri më tani, kjo i ka dhënë mundësinë një anëtari të familjes të kontrollojë përmes një procedure nëse mbrojtësi i Mariupolit nga Azovstal është larguar nga uzina për t'u mbajtur në robëri i gjallë, por jo  më tepër se kaq.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco