Shtetet perëndimore zotohen t'i dërgojnë armë më të avancuara Ukrainës

Shtetet perëndimore zotohen t'i dërgojnë armë më të avancuara Ukrainës

11:24, 01/06/2022
A+ Aa A-

Kiev, Ukrainë  - Vendet perëndimore i premtuan Ukrainës armë gjithnjë e më të avancuara, në një përpjekje për ta kthyer ekuilibrin në favor të Kievit, ndërkohë që po frenon një përparim rus në lindje.

Gjermania tha të mërkurën se do të furnizojë Ukrainën me raketa moderne anti-ajrore dhe sisteme radari dhe SHBA-ja do të njoftojnë për një paketë të re armësh gjatë ditës, që përfshin sisteme raketash të teknologjisë së lartë dhe me rreze të mesme.

Kancelari gjerman Olaf Scholz u tha ligjvënësve se raketat IRIS-T SLM që do të dërgojë janë "sistemi më modern i mbrojtjes ajrore që ka Gjermania".

"Me këtë, ne do t'i mundësojmë Ukrainës të mbrojë një qytet të tërë nga sulmet ajrore ruse," tha ai. Ai tha se Gjermania gjithashtu do të furnizojë Ukrainën me sisteme radari për të ndihmuar në gjetjen e artilerisë armike.

Armët nga vendet perëndimore kanë qenë me rëndëi për suksesin e Ukrainës në pengimin e ushtrisë shumë më të madhe dhe të pajisur më mirë të Rusisë – sepse kanë penguar përpjekjet e saj fillestare për të marrë kryeqytetin dhe detyruar Moskën të zhvendosë fokusin e saj në kapjen e rajonit industrial lindor të Donbasit.

Por ndërsa lufta vazhdon dhe Rusia bombardon qytetet në përparimin e saj të shpejtë, Ukraina ka vazhduar të lutet për më shumë armë për t'u mbrojtur. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka kritikuar herë pas here Perëndimin për vendimet shumë të ngadalshme në transportin e armëve – dhe Gjermania është vënë nën kritika të veçanta që nuk po bën sa duhet.

Paketa e SHBA-së do të përfshijë helikopterë, sisteme të armëve antitank Javelin, automjete taktike, pjesë këmbimi dhe të tjera, thanë të martën dy zyrtarë të lartë të administratës.

Një zyrtar vuri në dukje se sistemet e avancuara të raketave do t'u japin forcave ukrainase saktësi më të madhe në vënien në shënjestër të pajisjeve ushtarake ruse brenda Ukrainës.

Njoftimet vijnë pasi guvernatori rajonal në Donbas tha se forcat ruse tani kontrollojnë 70% të Sievierodonetsk, një qytet që është kyç në përpjekjet e Rusisë për të kapur pjesë të rajonit që nuk kontrollohen tashmë nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Serhiy Haidai, guvernatori i rajonit të Luhansk, i tha Associated Press në komente me shkrim se luftimet në rrugë po vazhdojnë në qytet, ku rreth 13,000 njerëz janë ende aty edhe pse 90% e ndërtesave të banimit janë dëmtuar. Dhjetëra mijëra janë larguar nga qyteti, dikur vend i rreth 100,000 banorëve.

Ai vuri në dukje se i vetmi qytet tjetër në rajonin e Luhansk që rusët nuk e kanë kapur ende, Lysychansk, është ende "plotësisht" nën kontrollin e Ukrainës. "Nëse rusët arrijnë të marrin kontrollin e plotë mbi Sievierodonetsk brenda dy - tre ditësh, ata do të fillojnë të instalojnë artileri dhe mortaja dhe do të granatojnë Lysychansk më intensivisht," tha Haidai.

Më vete, në një postim në Telegram të mërkurën, Haidai vuri në dukje se disa trupa ukrainase janë tërhequr nga Sievierodonetsk. “Evakuimi i civilëve nga qyteti është ndalur. Nuk ka asnjë mundësi për të futur ndihma humanitare”, ka shkruar Haidai.

Ndërkohë presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se vendi po humb nga 60 - 100 jetë ushtarësh në ditë në luftime dhe se 500 të tjerë janë plagosur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco